Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK kërkoi të hënën deklarimin fajtor të 13 të pandehurve si organizatorë dhe për përfshirje në skemën mashtruese të call-center, të cilët kanë shkaktuar të paktën një dëm prej rreth 7 milionë euro qindra shtetasve të vendeve të Bashkimit Evropian.
Për të akuzuarin si organizator të kësaj skeme, Erjon Kasmin u kërkua dënimi me 9 vjet heqje lirie, ndërsa për bashkëpunëtorin e tij, Xhulian Xhafa u kërkua dënimi me 8 vjet e 6 muaj burgim. Për 11 të pandehurit e tjerë, Anduel Gjergji, Ariol Zenuni, Denada Bardhi, Emion Orizaj, Ermir Shehu, Eris Kurila, Evis Mahmutaj, Ilir Shkurti, Indrit Tila, Klevin Molla dhe Skerdi Llupi, të akuzuar për veprën penale “Pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal” u kërkua vendosja e tyre në shërbim prove. Për shkak të gjykimit të shkutuar, të pandehurit përfitojnë uljen e 1/3-ës së dënimit.
Nga hetimet e procedimit penal të vitit 2021 ka rezultuar se shtetas gjermanë, francezë, italianë, spanjollë dhe grekë ftoheshin nga agjentët e subjektit Bluenergycall sh.p.k., shoqëri me lidhje me Kasmin dhe Xhafën, që të investonin në bursa ndërkombëtare, duke bërë depozitimin e parave sipas udhëzimeve të agjentëve, në platformat mashtruese. Këto depozita nga viktimat bëheshin në llogari të cilat kanë rezultuar se gjenden në banka të vendeve të ndryshme si në Bullgari, Lituani, Poloni, Qipro, ku më pas zhdukeshin nëpërmjet transfertave të njëpasnjëshme ose konvertimit në kriptovalutë. Sipas prokurorisë, është provuar se një pjesë e parave të depozitave të viktimave kanë përfunduar në llogaritë e të pandehurve në Shqipëri. SPAK konstaton dëme financiare në dëm të qytetarëve evropianë në vlerën rreth 7 milionë euro.
Në zyrat e kompanive Bluenergycall shpk, Cleartech shpk dhe Claudnetshpk, që rezultojnë të lidhura me të pandehruit Erjon Kasmi dhe Xhulian Xhafa, janë gjetur dokumente shkresore personale të Kasmit dhe të aktivitetit të tij në këto shoqëri, si dhe për kompani të tjera në Kosovë dhe Shqipëri. Po ashtu, janë gjetur dokumente të shkruara me dorë me shënime të platformave Globalix, Brokerz, Tradixa, Finazio, regjistrime të bëra nga viktimat, si dhe vula për kompani të ndryshme. Nga të dhënat e analizuara nga autoritetet gjyqësore gjermane që kanë hetuar këtë skeme mashtrimi, ka rezultuar se janë gjendur lista të mbajtura nga drejtuesit dhe punonjësit e Bluenergycall shpk, ku janë evidentuar depozitat e kryera nga viktimat nga vende të ndryshme.