![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2024/06/447249947_999143014913935_8630284077685102992_n.jpg)
Partitë populiste të ekstremit të djathtë patën një performancë jashtëzakonisht të mirë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, duke dalë të parat në Francë, Itali dhe tre vende të tjera. Ato fituan gati një të katërtën e vendeve në Parlament, menjëherë pas qendrës së djathtë.
Me Evropën që tashmë po lëkundet nga lufta në Ukrainë, kërcënimi i një presidence të dytë të Donald Trump në Shtetet e Bashkuara, standardet e jetesës në stagnacion dhe ngjarjet ekstreme të motit, nacionalistët përbëjnë një kërcënim serioz. Këto parti shpesh janë mbështetëse ndaj presidentit rus Vladimir Putin dhe armiqësore ndaj politikave të gjelbra, emigrantëve dhe institucioneve të Bashkimit Evropian.
Partitë kryesore pro-evropiane kanë tre opsione të gjera për t'u përgjigjur: vetëkënaqësi, kooptim ose kundërsulm. Shumë evropianë besojnë – gabimisht – se zgjedhjet e BE-së janë të parëndësishme. Pjesëmarrja është shumë më e ulët se në zgjedhjet kombëtare dhe shumë njerëz hodhën vota proteste, shpesh kundër partive qeverisëse.
Megjithatë, partitë pro-BE do të vazhdojnë të kenë shumicën në Parlamentin e ardhshëm. Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë (EPP), e udhëhequr nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, në fakt, fitoi vende.
Për më tepër, partitë e ekstremit të djathtë janë thellësisht të ndara. Ato janë të ndara midis dy grupeve parlamentare rivale, dhe disa s'janë të lidhura mes tyre. Ato nuk janë dakord për luftën në Ukrainë, politikën ekonomike, të drejtat e LGBTQ-së dhe, më e rëndësishmja, nëse duhet të punojnë brenda sistemit të BE-së apo kundër tij. Në mënyrë të pashmangshme, përçarje të tilla zbehin ndikimin e tyre.
Por vetëkënaqësia është e rrezikshme. Qendra u mbajt vetëm sepse ajo përkufizohet gjithnjë e më gjerë, duke përfshirë jo vetëm EPP-në dhe Socialistët dhe Demokratët (S&D), por edhe liberalët klasikë dhe socialë të Reneë Europe dhe të Gjelbrit. Von der Leyen, me sa duket, ka mjaft vota në Parlament për t'u rizgjedhur si presidente e Komisionit. Dhe gjithçka mund të ndodhë në një votim të fshehtë. Kjo zor se sugjeron një qendër të fortë dhe të qëndrueshme pro-BE, veçanërisht sepse EPP-ja fitoi terren pjesërisht duke bërë fushatë kundër agjendës së gjelbër të bllokut.
Më shqetësuese, zgjedhjet riorganizuan peizazhin politik në vendet kyçe anëtare. Pavarësisht tendencave neo-naziste dhe lidhjeve të dyshimta me Rusinë dhe Kinën, Alternativa ekstremiste për Gjermaninë (AfD) përfundoi e dyta në Gjermani, përpara Social Demokratëve (SPD) të kancelarit Olaf Scholz. Në Francë, Tubimi Kombëtar fitoi 32% të votave, më shumë se dyfishi i aleatëve qendrorë të presidentit Emmanuel Macron – një humbje dërrmuese që e bëri Macron të thërriste zgjedhje të parakohshme. Kështu, dy liderët më të fuqishëm të Evropës janë dobësuar rëndë, duke e lënë bllokun potencialisht pa timon përballë sfidave të mëdha ekonomike, atyre të sigurisë dhe klimës.
Opsioni i dytë, pra, është të akomodohet e djathta ekstreme, një rezultat i përbashkët në nivel kombëtar. Shumë parti të qendrës së djathtë miratojnë gjuhën dhe politikat e ekstremit të djathtë, veçanërisht për emigracionin (siç bëjnë disa të qendrës së majtë). Në disa shtete anëtare, ata madje qeverisin së bashku.
Në nivel të BE-së, pragmatistët argumentojnë se disa parti të ekstremit të djathtë mund të futen në rrjedhën kryesore konservatore. Një shembull i kësaj është përshëndetja e von der Leyen për kryeministren italiane Giorgia Meloni, e cila e ka modeluar veten si një konservatore tradicionale, pavarësisht nga rrënjët neofashiste të partisë së saj Vëllezërit e Italisë (FdI), dhe e ngriti profilin e saj duke punuar me dhe jo kundër institucioneve të BE-së.
Rreziku është që e djathta ekstreme të zgjedhë qendrën e djathtë dhe jo anasjelltas. Mendoni se si qasja e BE-së ndaj azilkërkuesve është zhvendosur nga politika e mirëseardhjes e kancelares gjermane Angela Merkel në vitin 2015 në një armiqësi pothuajse universale tani. Për më tepër, partitë e ekstremit të djathtë mund të fitojnë forcë ndërsa pikëpamjet e tyre normalizohen, siç dëshmohet nga fitorja e Partisë për Liri (PVV) e Geert Wilders në zgjedhjet e përgjithshme holandeze të vitit të kaluar.
Mbi të gjitha, përqafimi i ekstremit të djathtë mund të kthehet kundër në mënyrë spektakolare. Partia Fidesz e kryeministrit hungarez Viktor Orbán, për shembull, dikur ishte ulur në EPP; tani ai është një renegat pro Putinit që e trajton shtetin e së drejtës dhe të drejtat demokratike me përbuzje. Dhe ndërsa Meloni mund të jetë e pëlqyeshme për disa centristë, askush nuk duket i etur për të punuar me Tubimin Kombëtar të Francës, aq më pak me AfD-në e Gjermanisë.
Kjo lë opsionin e tretë: të luftohet e djathta ekstreme. Macron ka zgjedhur të ndjekë këtë kurs duke thirrur zgjedhje të parakohshme legjislative. Ky shihet gjerësisht si një bast me rrezik të madh, duke pasur parasysh mungesën e popullaritetit të Macron dhe qëndrimin armiqësor të elektoratit. Franca mund të zgjedhë një kryeministër të ekstremit të djathtë në një balotazh muajin e ardhshëm. Në atë rast, Macron do të bëhej një politikan në periudhën e fundit në pushtet për tre vitet e tij të mbetura në detyrë.
Por pozita e tij u dobësua ndjeshëm gjithsesi dhe koalicioni i tij qeverisës, të cilit i mungon shumica parlamentare, rrezikonte të humbiste një votë mosbesimi. Me shpërbërjen e Asamblesë Kombëtare, Macron ka krijuar dy rrugë të mundshme për të mposhtur të djathtën ekstreme.
Së pari, fushata mund të përqendrojë vëmendjen e votuesve në kërcënimin e ekstremit të djathtë, i cili mund ta ndihmojë Macron të bashkojë një shumicë parlamentare që përbëhet nga partitë e majta dhe të djathta të bashkuara në dëshirën e tyre për të mbajtur larg Tubimin Kombëtar. Duke pasur parasysh mungesën e popullaritetit të Macron, kjo duket disi e pamundur.
Më e besueshme, Macron mund ta përgatisë të djathtën ekstreme për të dështuar. Populistët priren të performojnë më mirë kur janë të jashtëm që sfidojnë partitë tradicionale, jo kur ushtrojnë përgjegjësi. Shikoni se si Konservatorët në Mbretërinë e Bashkuar, pasi përmbushën premtimin e tyre për Brexit, janë zhgënjyer nga realiteti i tij, ndërsa popullariteti i PVV-së së Wilders tashmë është ulur tani që ajo është në qeveri.
Nëse Tubimi Kombëtar fiton një shumicë, ose përfundon duke udhëhequr një koalicion më të gjerë të krahut të djathtë, ai ka të ngjarë të has vështirësi për të përballuar përgjegjësitë e mëdha të qeverisjes – siç janë vendimet e vështira fiskale dhe se si të bashkëpunojë me institucionet e BE-së. Moderimi i politikave të saj fanatike mund të gërryejë avantazhin e saj anti-establishment; zbatimi i tyre mund ta fusë vendin në krizë. Në të dy rastet, kjo mund të minojë popullaritetin e udhëheqëses së saj, Marine Le Pen, përpara kandidimit të saj të mundshëm presidencial. Më mirë një kryeministër i ekstremit të djathtë në vitin 2024 sesa një presidente e ekstremit të djathtë në 2027.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Europe Must Fight the Far-Right Surge