Ndryshe nga shumë universitete të tjera, përfshi atë të Tiranës ku garat për vendet drejtuese janë të paracaktuara për shkak se nuk ka më shumë se një kandidat, në Universitetin Aleksandër Moisiu të Durrësit, katër pedagog garojnë për postin e rektorit.
Por ndërsa universiteti duket i përfshirë në një garë reale, kjo e fundit nuk ka sjellë përballje platformash mes kandidatëve dhe shumica e fushatës është zhvilluar në rrjete sociale e takime të ngushta.
Zgjedhjet në UAMD mbahen të premten, 21 qershor. Në to garojnë Prof. Dr. Andon Kume, Prof. Dr. Osman Metalla, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi dhe Prof. Dr. Lindita Mukli. BIRN kërkoi intervista nga të katër kandidatët, por Mukli nuk iu përgjigj pyetjeve.
Garuesit kanë ofruar një gamë të gjërë zgjidhjesh sa i përket probelemeve të universitetit, por studentët nuk duken shumë optimistë.
Anxhela Rama, që ka mbaruar studimet bachelor në UAMD në vitin 2023 shprehet se ky universitet ka nevojë të forcojë edhe reputacionin e vet në mënyrë që studentët e tij të mos përballen me nënçmim kur vijojnë edukimin e mëtejshëm universitar, siç ndodh rëndom me jo pak studentë që ndjekin më pas studimet master në universitetin e Tiranës.
Degë që rrezikojnë
I konsideruar si një nga institucionet më të rëndësishme në jetën dhe zhvillimin e qytetit dhe rajonit të Durrësit, zgjedhjet për rektorin e UAMD-së janë një proces i rëndësishëm jo vetëm për pedagogët dhe studentët. Universiteti aktualisht numëron 17 637 studentë dhe është një nga universitetet me numrin më të madh të studentëve në vend.
Megjithatë ashtu si universitetet e tjera në rrethe dhe ai përballet me një sërë degësh që rrezikojnë të mbyllen për shkak të intersimit të ulët të studentëve. Degët më të rrezikuara janë ato të shkencave sociale, por në Durrës, një qytet në të cilin turizmi është mjaft i rëndësishëm, është vënë re tkurrje e numrit të studentëve edhe në këtë degë.
Rigels Xhemollari, drejtues i organizatës “Qendresa Qytetare”, e cila prej vitesh monitoron dhe nxjerr në pah problematikat e universiteteve në vend, shpreh keqardhje për situatën e degës së turizmit në Durrës, një qytet me potencial të lartë turistik, dhe keqmenaxhimin e planifikimin e saj. “Durrësit po i shuhet dega e turizmit. 30 pedagogë i bëjnë leksione një apo pesë studentëve, po shpesh vetëm njërit pasi të tjerët mungonin,” thotë Xhemollari.
Nga garuesit për vendin e rektorit Prof. Dr. Andon Kume dhe Prof. Dr. Osman Metalla shprehin shqetësimin për degë që janë në rrezik për shkak të mungesës së interesit nga të rinjtë, veçanërisht për degë që duken të lidhura ngushtë me qytetin si turizmi apo dhe disa programeve profesionale si mekanika detare.
“Edhe pse ka një interes të lartë në tregun e punës për këto degë, interesi i të rinjve është i ulët”, thotë Metalla. Metalla sugjeron një qasje më reaguese ndaj kërkesave të tregut dhe përditësimin e programeve ekzistuese për t'u përshtatur me zhvillimet e reja teknologjike dhe tregtare.
Kume nga ana tjetër propozon përshtatjen e kurrikulave me nevojat e tregut të punës dhe krijimin e një platforme ndërveprimi me palët e interesit. “Mënyra më e mirë për të tërhequr studentë në këto degë është përshtatja e kurrikulave me nevojat e tregut të punës dhe krijimi i një platforme ndërveprimi me palët e interesit,” thotë Kume, që thekson dhe nevojën për të përqafuar përvojat e vendeve të rajonit në fushën e turizmit dhe logjistikës turistike.
Ndërkohë kandidati tjetër Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi është më optimist, duke theksuar se UAMD nuk ka degë me rrezik të shtuar dhe se programet e studimit janë të përshtatura me preferencat kombëtare dhe evropiane. Fortuzi përqendrohet në përputhjen më të mirë të ofertës akademike me kërkesat e tregut përmes rrjeteve funksionale dhe strategjive rajonale të zhvillimit. “Do ketë një mbështetje të plotë dhe të gjithanshme institucionale ndaj njësive bazë, në inkurajimin dhe rritjen e përkushtimit të tyre për një përputhje më të mirë të ofertës akademike me kërkesat e tregut për dije, aftësi dhe zotësi,” shprehet Fortuzi.
Rritja e Cilësisë së Arsimit Universitar
Të tre kandidatët pajtohen se cilësia e arsimimit është thelbësore, por qasjet e tyre ndryshojnë. Kume thekson krijimin e platformave ndërvepruese dhe përmirësimin e metodave të mësimdhënies duke integruar teknologjinë.
Metalla, nga ana e tij, sugjeron përmirësimin e metodave të mësimdhënies, përdorimin e teknologjisë dhe trajnimin e vazhdueshëm të stafit akademik.
Ndërkohë Fortuzi përqendrohet në krijimin e një marrëdhënieje gjithëpërfshirëse në Rrjetin e Dijes dhe angazhimin e stafit në kërkimin shkencor të aplikuar.
Por para se të mbërrijnë të përmirësimi i cilësisë së arsimimit, rektori i ri do duhet të përballet me probleme më thelbësore dhe më bazike. Studentët kanë pritshmëri ta për zgjidhjen e problemeve që i shqetësojnë prej vitesh ku përfshihen strehimi dhe transporti. Një varg problemesh që dhe pse diskutohen prej vitesh ende nuk kanë marrë zgjidhje.
Vincenso Xhafa, student në Fakultetin e Studimeve Politike-Juridike në UAMD, thekson se transporti urban në linjën e kampusit universitar mbetet një shqetësim kryesor për studentët, me orare të paqëndrueshme, mungesë abonesh dhe kushte të papërshtatshme në stacionet e autobusëve.
“Transporti lë për të dëshiruar, me orare të paqëndrueshme dhe mungesë abonesh,” thotë Xhafa. Për më tepër, mungesa e konvikteve për studentët që vijnë nga rrethet dhe për ata të huaj është një problem që kërkon zgjidhje të menjëhershme.
“Mungesa e konvikteve për studentët nga rrethet dhe për studentët e huaj që vijnë në Durrës në kuadër të programit Erasmus + është një problem që duhet zgjidhur,” shton ai. Xhafa gjithashtu nënvizon nevojën për mbështetje më të madhe për studentët nga familjet me probleme ekonomiko-sociale dhe për zbatimin e Kartës së Studentit.
Zgjidhjet e kandidatëve për rektor në këtë pika mbeten të njëjta. Të tre ata propozojnë bashkëpunim me pushtetin vendor e qëndror, për të përmirësuar kushtet.
Transparenca dhe plagjiatura
Rigels Xhemollari, nga “Qendresa Qytetare”, vë në dukje se veç problemeve të infrastrukturës UAMD, është peng i mungesës së transparencës.
“UAMD ka pasur probleme të vazhdueshme me transparencën, që nga kontratat për rojet dhe ndërtimet, deri te mungesa e qartësisë në destinacionin e fondeve. Pavarësisht kërkesës për të gjetur fakte mbi një sasi kompjuterash që ishin blerë, ndërsa studentët ankoheshin për mungesë të kompjuterave apo kompjutera jo të mirë, nuk morëm përgjigje”, thotë ai.
Kanditatët në këtë pikë premtojnë të bëjnë ndryshimin. Kume propozon një ndarje transparente të buxhetit bazuar në nevojat dhe kërkesat e njësive akademike.
“Ndarja transparente e buxhetit bazuar në nevojat dhe kërkesat e njësive akademike është thelbësore për menaxhimin e duhur të shpenzimeve,” thotë Kume.
Metalla gjithashtu mbështet një qasje të bazuar në kërkesat e njësive bazë dhe kryesore për të siguruar një përdorim të efektshëm të fondeve. “Respektimi i kërkesave që vijnë nga njësitë bazë është vendimtar për përdorimin efektiv të të ardhurave,” thekson Metalla.
Fortuzi, në anën tjetër, parashtron një Plan Zhvillimi për UAMD 2024-2028 që përfshin një menaxhim të kujdesshëm të shpenzimeve dhe gjenerimin e të ardhurave përmes projekteve të financuara nga aktorët e Rrjetit të Dijes. “Plani ynë i Zhvillimit 2024-2028 do të sigurojë menaxhimin e kujdesshëm dhe transparent të shpenzimeve dhe gjenerimit të të ardhurave,” thotë Fortuzi.
Në epokën e inteligjencës artificiale përballja me plagjaturën dhe nxitja e kërkimit shkencor janë shndërruar në një sfidë globale. Të pyetur në lidhje me këtë, Kume dhe Metalla propozojnë investimin në softëare për kontrollin e plagjiaturës dhe nxitjen e kërkimit shkencor përmes bashkëpunimit me universitete partnere dhe projekte kërkimore.
Ndërkohë të tre kandidatët premtojnë të vënë në punë programet e posaçme për luftimin e plagjiaturës.