![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2024/06/nazifi-ne-KPK.jpg)
Ndihmësi ligjor i Gjykatës së Lartë, Saimir Nazifi u përball të hënën më 24 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për barrët e provës në kriterin e pasurisë dhe për gjetjet lidhur me një denoncim nga publiku. Ai mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës, si dhe nuk u evidentuan probleme për profesionalizimin.
Procesi i vetingut për Nazifin po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Etleda Çiftjan. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Marie Tuma.
Relatorja Shuli konstatoi se subjekti ka rezultuar nga hetimi paraprak në pamundësi për blerjen e një automjeti në vitin 2011 kundrejt shumës 5500 euro. Ai ka deklaruar se si burim për krijimin e kësaj pasurie kanë shërbyer dhe të ardhurat nga shitja e një apartamenti në Dibër në vitin 2005, për shumën 1 milion lekë.
Sipas relatores, nga verifikimi i deklaratave vjetore të subjektit, rezulton se nga viti 2005 e në vijim, ai nuk ka deklaruar gjendje cash nga të ardhurat prej shitjes së apartamentit dhe as depozitim në llogari bankare. Për rrjedhojë, KPK vlerëson në konstatimet paraprake, se këto të ardhura nuk mund të jenë përdorur për blerjen e automjetit.
Pamundësi është konstatuar dhe për blerjen e një automjeti tjetër në vitin 2009, me burim të ardhurat nga pagat dhe shitja e dy automjeteve. Shuli vërejti se të ardhurat nga shitja e një makine nuk janë konsideruar pasi ky transaksion është kryer më vonë se të blihej makina e re.
Nazifi ka deklaruar gjendje cash në shumën 1.4 milionë lekë me burim nga pagat. Por, sipas KPK, nga analiza e deklarimeve dhe të ardhurave, duket se gjendja e cash-it në vitin 2017 duhej të ishte 3.8 milionë lekë. Për këtë ktë arsye është konstatuar se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë.
Problemet kryesore me të cilat u përball Nazifi gjatë seancës dëgjimore kishin të bënin me një depozitë dyemërore në emër të tij dhe të vjehrrës në shumën 23 mijë USD, të çelur në 2022-in, si dhe një apartament të përdorur prej tij prej vitit 2004 që bashkëshortes ia kanë dhuruar prindërit në 2014-ën.
Shuli shpjegoi se subjekti ka kryer depozitimin dhe tërheqjen e vlerave të depozitës. Ai ka shpjeguar se nuk ka pasur pjesë në këtë depozitë. Sipas tij, depozita është çelur dyemërore, pasi vjehrra ishte e moshuar dhe nuk mund të vinte nga Peshkopia në Tiranë për të kryer veprime. Sipas Nazifit, prindërit e bashkëshortes druheshin ta mbanin atë vlerë në shtëpi dhe kishin vendosur ta depozitonin në bankë. Ngaqë nuk kishin një djalë që të transferonte shumën, ja kishin besuar atij. Po ashtu, i kanë besuar edhe kryerjen e veprimeve.
Nga hetimi ka rezultuar se katër ditë pasi subjekti ka tërhequr vlerën e depozitës në vitin 2004, vjehrri ka blerë një apartament në Durrës. Sipas Shulit, megjithëse depozita duket se është e prindërve të bashkëshortes, subjekti është mbajtësi dhe për rrjedhojë vjehrri dhe vjehrra janë konsideruar persona të tjerë të lidhur.
Sipas KPK, duket se vjehrri subjektit ka blerë dhe një tjetër pasuri në Durrës. Ndërkohë, në vitin 2006 ka rezultuar se prindërit e bashkëshortes kanë blerë një apartament në Tiranë, pasuri që ka rezultuar se është përdorur nga Nazifi që prej vitit 2004. Po ashtu, ka rezultuar se librezat për furnizimin me ujë dhe energji të këtij apartamenti janë regjistruar prej vitit 2004 në emër të subjektit.
Nga analiza financiare e prindërve të bashkëshortes së subjektit, ka rezultuar se ata kanë qenë në pamundësi për investimin e depozitës. Komisioni konstaton se nuk përjashtohet mundësia e përdorimit të vlerës 23 mijë USD për blerjen e apartamentit në Tiranë.
Relatorja Shuli tha se subjekti është pyetur për legjitimitetin e përdorimit të këtij apartamenti përpara se vjehrri ta blinte, ndërkohë që dhe librezat e furnizimit me ujë dhe energji elektrike ishin në emrin e tij. Sipas saj, Nazifi nuk ka dhënë shpjegime për blerjen e kësaj pasurie nga vjehrri, por ka sqaruar transaksionoin e shitjes në vitin 2021, gjë për të cilën nuk është pyetur. Ndërkohë, nga analiza financiare ka rezultuar se prindërit e bashkëshortes nuk kanë pasur mundësi për blerjen e këtij apartamenti.
Shuli evidentoi se vjehrri kishte pasur një tjetër apartament në Tiranë në kohën kur ka blerë atë të përdorur nga subjekti. Nisur nga fakti se Nazifi e ka përdorur apartamentin gjatë gjithë kohës pa ndërprerje dhe pa kundërshpërblim ndërkohë që prindërit e bashkëshortes nuk e kanë përdorur asnjëherë këtë pasuri; për arsye se subjekti nuk ka qartësuar se si e ka shlyer vjehrri çmimin e banesës; si dhe për faktin se librezat kanë dalë në emër të tij, Komisioni ngre dyshime se apartamenti mund të ketë qenë në pronësi të subjektit dhe është blerë në emër të vjehrrit.
Në analizën financiare paraprake, KPK ka konsideruar se vlera e depozitës 23 mijë USD e tërhequr në vitin 2004, është përdorur për blerjen e këtij apartamenti.
Nga analiza financiare paraprake e përgjithshme ka rezultuar bilanc negativ në shumën 7.2 milionë lekë.
Subjekti deklaroi se kishte 42 vjet punë dhe se pasuritë e tij të vetme janë 1/5-ta e apartamentit ku jeton aktualisht dhe një makinë të vitit 2006, që e ka blerë në 2019-ën.
Ai dha shpjegime të detajuara lidhur me konstatimet e KPK për apartamentin që vjehrri i ka dhuruar bashkëshortes. Sipas Nazifit, vjehrri kishte blerë tre apartamente në Tiranë. Një në vitin 1999 ku kanë jetuar vetë, një në 2001-in që e kishte kthyer në klinikë, pasi vajza tjetër ishte dentiste dhe apartamentin që i ka dhuruar bashkëshortes, që sipas tij vjehrri e kishte prenotuar në 2003-in.
Nazifi theksoi se në atë apartament ka filluar të jetojë në vitin 2000, megjithëse shitja de facto është kryer në 2006-ën.
Subjekti dha se nuk kishte si të mësonte si ishin kryer pagesat për shlyerjen e çmimit të kësaj pasurie, pasi vjehrri kishte ndërruar jetë vite më parë. “Si ta pyes se si i ka bërë pagesat?”, tha Nazifi.
Ai solli në vëmendje të Komisionit se dhurimi ishte kryer në vitin 2014, përpara se të fillonte procesi i vetingut. Sipas tij, nëse ky dhurim do të ishte kryer pas ndryshimeve ligjore të vitit 2016, atëherë mund të ngriheshin dyshime.
Nazifi deklaroi se vjehrri kishte qenë i moshuar dhe e ka kryer dhurimin në atë kohë, pasi ka dashur të ndajë si duhet pasuritë tek fëmijët. Sipas subjektit, vjehrri kishte qenë mjek kirurg ORL dhe kishte pasur të ardhura, pasi kishte punuar duke kryer ndërhyrje kirurgjikale dhe në sektorin privat, deri në moshën 78-vjeçare.
Subjekti kundërshtoi konstatimin lidhur me përdorimin e mundshëm të depozitës për apartamentin. Pasi shpjegoi se vlera 23 mijë USD ishte depozituar nga prindërit e bashkëshortes, pasi druheshin ti mbanin në shtëpi, ai vërejti se tërheqja e asaj vlere në 2004-ën nuk mund të ishte përdorur për apartamentin në Tiranë.
Ai theksoi se kishte filluar të jetonte në apartament disa muaj përpara se të tërhiqej shuma nga depozita. “Të lë njeri të banosh pa kryer pagesën?”, tha Nazifi dhe shtoi se depozita ishte përdorur për apartamentin në Durrës, transaksion që ishte kryer vetëm katër ditë pas tërheqjes së vlerës në fjalë. Ai solli si argument dhe faktin se prindërit e bashkëshortes i kanë dhuruar vajzës tjetër dy pasuri, klinikën dhe një apartament.
Sipas Nazifit, jo çdo dyshim mund të ngarkojë me përgjegjësi subjektin. Ai vërejti se dyshimet duhet të jenë të arsyeshme. “Unë nuk kisha pse të çelja depozitë dyemërore. I mbaja në shtëpi”, pohoi subjekti ndër të tjera dhe nënvizoi se vjehrri ka blerë pasuri për të dy vajzat, madje më shumë për kunatën e tij.
“Edhe apartamentin e vajzës tjetër nuk e kishin përdorur. Nuk e kishin nevojën se kishin shtëpinë e vetë”, pohoi Nazifi dhe kërkoi që apartamenti në Tiranë të mos konsiderohet si pasuri e fshehur pasi bie ndesh me veprimet juridike dhe me provat.
Lidhur me dyshimet e ngritura se vjehrri mund të kishte tjetër apartament në Durrës, Nazifi shpjegoi se nuk qëndronte, pasi rezultonte se ishte tjetër person me të njëjtin emër, por me datëlindje tjetër.
Lidhur me automjetet, subjekti vërejti se ato kishin qenë gjithmonë 15 apo 18 vjeçare kur ishte bërë pronar i tyre. Ai pohoi se për blerjen e mjeteve kishte shitur makinën e mëparshme dhe kishte shtuar nga pagat.
Për kursimet cash, ai pranoi neglizhencën në deklarime. Subjekti tha se kursimet kanë qenë reale, por janë shpenzuar vitin tjetër. Ai sqaroi se në momentin e deklarimit “veting”, për arsye se nuk lejohej që të mbante më shumë se 1.5 milionë lekë në banesë, kishte depozituar 550 mijë lekë në bankë. Sipas tij, gjendja e deklaruar ishte ajo reale.
Subjekti kërkoi rishikimin e analizës financiare për shpenzimet e udhëtimit. Sipas tij, bashkëshortja është mësuese dhe ka udhëtuar në ekskursione me nxënësit në Mal të Zi. Por, sipas Nazifit, mësuesit nuk kanë shpenzime për këto udhëtime. Po ashtu, kërkoi uljen e shpenzimit për vajzën që kishte shkuar tek halla në Itali.
Ndaj Nazifit është depozituar një denoncim në KPK. Denoncuesi ka pretenduar se subjekti ka ndikuar tek gjyqtari pasi kishte pasur lidhje krushqie me një nga palët në proces.
Subjekti shpjegoi se çështjen e kishin trajtuar të tjerë këshilltarë dhe se nuk kishte punuar asnjë relatim në atë rast.
Në përfundim, këshilltari ligjor Saimir Nazifi këkroi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 25 qershor, në orën 09:45.