Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, shpalli të enjten më 27 qershor vendimin për deklarimin fajtor të ish-kreut të Dhomës së Avokatisë Korçë, Arben Lena, koleges së tij, avokates Dajana Kodra Ninga, si dhe katër prej pesë personave të tjerë, të akuzuar për “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Moskallëzim krimi”.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, SPAK, të pandehurit Nikolla Hafësllari, Nikolla Jesku, Blerand Kozici dhe Artiana Kozici në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në formë aktive kanë dhënë përfitim të parregullt prej 5000 euro, me qëllim ushtrimin e ndikimit të paligjshëm tek gjyqtari i Gjykatës së Apelit Korçë dhe lehtësimin e pozitës proceduriale të të pandehurit Blerand Kozici, i cili po hetohej nën efektin e masës së sigurimit “arrest në burg“, nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Pogradec për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve.
Ndërsa avokatët Arben Lena dhe Dajana Kodra Ninga, u akuzuan se kishin marrë ryshfetin, duke premtuar se do të ushtronin ndikim të paligjshëm te gjyqtari i Gjykatës së Apelit Korçë, për të favorizuar pozitën e Kozicit.
Hetimi për këtë çështje u konkludua në dhjetor të vitit të kaluar që u pasua me ndalimin e avokatit Lena. Në prill çështja u dërgua për gjykim.
Gjykimi i kësaj çështje u zhvillua me gjykim të shkurtuar, prej nga të pandehurit përfituan uljen e 1/3-ës së dënimit. Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Irena Gjoka dhe Erjon Bani, vendosën deklarimin fajtor të avoktit Arben lena dhe dënimin e tij përfundimtar me 2 vjet heqje lirie. Po ashtu, i është hequr e drejta për të ushtruar profesionin për tre vjet. Të pandehurit Nikolla Hafësllari dhe Nikolla Jesku u dënuan me nga 1 vit burgim. Avokatja Dajana Kodra Ninga është dënuar me 1 vit e 4 muaj, por është vendosur pezullimi i ekzekutimit të vendimit për pjesën e mbetur pa vuajtuar, duke e vendosur në provë për 2 vjet e 8 muaj, me kusht që të mos kryejë tjetër vepër penale gjatë kësaj periudhe. Asaj i ëhstë hequr e drejta për të ushtruar profesionin për një muaj.
Fajtorë janë gjetur dhe të pandehurit Blenard Kozici i cili është dënuar me 1 vit e 4 muaj dhe e pandehura Artiana Kozici, e cila u dënua me 8 muaj heqje lirie. Për këtë të fundit është pezulluar masa e dënimit dhe është vendosur në shërbim prove për 1 vit e 4 muaj.
Ndërkohë, gjykata ka deklaruar të pafajshëm të pandehurin Dritan Tabaku, që ka qenë i akuzuar për “Moskallëzimi i krimit”, me argumentin se fakti nuk ekziston.