![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2023/09/Gjykata-Kushtetuese-1.jpg)
Gjykata Kushtetuese rrëzoi të enjten pikën e ligjit që i detyronte profesionistët e lirë të paguanin tatim për të ardhurat në masën 15 % prej janarit të këtij viti, por la në fuqi vetë masën e tatimit, i cili nëse parlamenti nuk bën ndryshime hyn në fuqi në vitin 2030.
“Lidhur me themelin e pretendimeve të kërkuesve, Gjykata pa vënë në dyshim hapësirën e gjerë të vlerësimit të ligjvënësit dhe diskrecionin e tij në fushën fiskale, vlerësoi se neni 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit nr. 29/2023 dhe neni 4 i VKM-së nr. 753/2023, cenojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike për shkak të mosrespektimit të parimit të sigurisë juridike (në kuptim të pritshmërive të ligjshme dhe qartësisë së normës) dhe parimit të proporcionalitetit”, thuhet në njoftimin për shtyp të Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata ka arsyetuar se profesionistëve të lirë nuk u ishte dhënë kohë e mjaftueshme për t'u përshtatur me ndryshimin e vlerës së tatimit. “Gjithashtu, Gjykata vlerësoi se norma e tatimit prej 15 % e parë së bashku me kohën e zbatimit të saj nuk e kalon testin e proporcionalitetit, pasi nuk rezulton të jetë masa më e përshtatshme, në kushtet kur ka masa të tjera alternative, të cilat vetë ligjvënësi i ka evidentuar të zbatohen për kategoritë e tjera të tatimpaguesve mbi të ardhurat”, thuhet në njoftim.
Vendimi i Kushtetueses e pezullon teorikisht zbatimin e tatimit deri në janar 2030, nëse qeveria dhe parlamenti nuk ndërmarrin ndryshime që mund të afrojnë apo largojnë këtë datë.
Nga ana tjetër Gjykata i ka rrëzuar kërkesat në lidhje me masën e tatimit në 15 % dhe 23 % të parashikuara në nenin 24 të ligjit, pasi ka konsideruar se kjo është në diskrecion të ekzekutivit dhe legjislativit.
Kjo gjykatë mori disa padi të ndryshme gjatë këtij viti kur ligji i miratuar që në mars të vitit 2023 hyri në fuqi dhe një Vendim i Këshillit të Ministrave përcaktoi dhe listën e profesioneve që do të përfshiheshin në një tatim nga 15-23 për qind nga 1 janari 2024.
Deputetët e opozitës dhe përfaqësues të grupimeve të profesionistëve të lirë që preken nga ky ligj, kontabilistët dhe avokatët pretenduan në seancë se ligji krijon pabarazi dhe diskriminim para ligjit për kategoritë e ndryshme që do të tatohen nga këto ndryshime dhe krijon pasiguri juridike për kategoritë e prekura.