Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha “ngrin” projektin kontrovers të dhënies me koncesion të parkingjeve, pas presionit të qytetarëve.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha u tërhoq nga projekti kontrovers i dhënies me koncension të parkingjeve publike në kryeqytet, katër ditë pasi dështoi bashkimi i votave të PD dhe PS në favor të dy kompanive private.
Projekti i paraqitur në Këshillin Bashkiak, në fund të mandatit 4-vjeçar të Bashës synon të vendosë tarifë parkimi në rrugët dhe lagjet e Tiranës, ndërsa menaxhimi do të realizohej nga dy kompani private me të njëjtin pronar; “ABT” dhe “Speed Taxi”.
Ky propozim ngjalli debate në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe u kundërshtua gjerësisht nga qytetarët. Një peticion kundër projektit të Bashkisë qarkulloi online, duke mbledhur në dy ditë mbi 700 vota qytetarësh.
Kryebashkiaku Basha shfaqi shenja reflektimi të hënën, kur deklaroi shtyrjen e propozimit në respekt të zërit të qytetarëve. “Nuk është momenti për të shtuar barrën financiare të qytetarëve, ndaj do t’i kërkoj Këshillit Bashkiak ta shtyjë me 5 vite propozimin,” deklaroi ai.
Por këshilltari i majtë, Eridian Salianji, i cili u rreshtua kundër projektit në mbledhjen e së enjtes në Këshillin Bashkiak e sheh me dyshim këtë deklaratë të kryebashkiakut Basha.
Salianji tha për BIRN-in se Basha ka të drejtë ta tërheqë propozimin e tij duke e bërë nul atë, por jo të deklarojë se po e shtyn për 5 vjet. “Ai po bën sërish një lojë politike me këtë deklaratë tërheqjeje, sërish pingpong,” tha Eridian Salianji.
Zanafilla e projektit të parkingjeve
Mungesa e parkimeve në një qytet me afro 800 mijë banorë është një ndër problemet kryesore të Tiranës. Por Bashkia nuk ndërmori asnjë nismë për rregullimin e këtij problemi, përgjatë 4 viteve të mandatit të Bashës.
Një propozim i pakërkuar, i dorëzuar në Bashkinë e Tiranës vuri në lëvizje mekanizmat zyrtarë dhe shtroi rrugën e dhënies me koncesion të këtij biznesi të majmë. Sipas projekt-vendimit të siguruar nga BIRN, propozimi u dorëzua në Bashki nga kompanitë ABT dhe Speed Taxi më 14 shkurt 2014.
Të dy kompanitë, sipas Qendrës së Regjistrimit të Biznesve zotërohen në mazhorancë aksionesh nga Shpresim Bajraktari.
Një muaj pas këtij propozimi, kryebashkiaku Basha nisi procedurat për koncesionin, duke ngritur një komision për vlerësimin e studimit. Komisioni realizoi dy kontakte me kompaninë e interesuar, më 21 maj dhe 3 qershor 2014.
Më 3 qershor 2014, kryebashkiaku Basha nxori një urdhër të dytë për vazhdimin e këtij projekti dhe studimin e fizibilitetit të tij. Dokumentet zyrtare tregojnë se dy kompanitë private kishin shfaqur interes për menaxhimin e parkimit në zonën brenda Unazës së tretë të Tiranës.
Projekti u zgjerua me kërkesën e Bashkisë, duke përfshirë pjesën më të madhe të territorit të Tiranës. Projekti parashikon 23 zona të parkingjeve me pagesë në Tiranë. Barra financiare për qytetarët varion nga 20 lekë/ora në lagjet periferike deri në 150 lekë për dy orë në qendër të Tiranës.
Por më shumë se sa çmimi në kurriz të qytetarëve, projekti grumbulloi armiq mbi personat që do të përfitonin paratë e këtij biznesi.
Debati në Këshillin Bashkiak
Dy ishin pikat më të kundërshtuara në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës; dhënia e koncesionit për 35 vjet nga një administratë që po numëron ditët e fundit të mandatit të parë dhe ngritja e një monopoli të ri.
Në mbledhjen e së enjtes së kaluar, këshilltari i majtë, Eridian Salianji e cilësoi këtë propozim të Bashës një gjobë për qytetarët e Tiranës. Ai kërkoi nga Bashkia një studim të mirëfilltë për zgjidhjen e problemit të parkimit në Tiranë.
Të njëjtin qëndrim kundërshtues e mbajti edhe këshilltari tjetër i majtë, Florian Pullazi. Ai hodhi dyshime për krijimin e një monopoli dhe ngriti pyetjen se pse Bashkia nuk e menaxhon vetë parkimin në kryeqytet, duke shtuar kështu buxhetin e saj.
Në relacionin që shoqëron propozimin për dhënien me koncesion të parkingjeve, Bashkia e Tiranës jep një përgjigje të thatë për këto pikëpyetje. “Duke alokuar përgjegjësinë tek sektori privat, arrihet pozicionim më i mirë i kontrollit të aktivitetit, në mënyrë që të arrihen rezultatet optimal”, thuhet në relacion.
Për miratimin e këtij vendimi nevojiteshin 2/3 e votave të Këshillit Bashkiak, e rrjedhimisht një konsensus mes këshilltarëve të majtë dhe të djathtë. Debatet e ashpra e rrezikonin këtë kuorum, ndaj u vendos shtyrja me një javë e votimit.
Por kryebashkiaku Basha u tërhoq të hënën nga miratimi i koncesionit aspak popullor, duke ia pasuar me gjasë administratës së re që do të dalë nga zgjedhjet lokale, çështjen e parkingjeve me pagesë në Tiranë.