Në qendrën Betania në Fushë Krujë Papa Françesk do të takojë fëmijët, jeta e të cilëve është ndryshuar nga puna dhe dashuria e misionarëve katolikë.
Klodian Zguri ishte 8 vjeç kur e ëma vendosi ta largonte nga shtëpia. E mbetur e ve, pa punë dhe me tre fëmijë për të rritur, Nazmie Zguri e kishte të pamundur të kujdesej për djalin e saj më të vogël.
Në Shijak, ku jetonte familja Zguri, ishte e vështirë të gjente një punë për të rritur fëmijët dhe sigurimi i bukës së përditshme ishte barrë e rëndë për gruan e ve.
Qendra Betania, një strehëz e ngritur në fshatin Bubq të Fushë Krujës nga misionarë katolikë ishte shpresa e vetme për gruan e ve.
“Kisha tre fëmijë për të rritur, shteti nuk më përkrahte, punë këtu në Shijak ishte e pamundur të gjeja, ndaj nuk kisha asnjë mundësi tjetër veçse të largoja Klodin nga shtëpia,” thotë Nazmija.
“Ishte [një vendim] shumë e vështirë, por sot unë jam e kënaqur… sepse ai është bërë një djalë shumë i zoti,” shton ajo.
Në qendrën Betania, Klodiani dhe shumë fëmijë me probleme të ngjashme me të do të gjenin një shtëpi të dytë.
“Në qendër nuk më ka munguar asgjë, ishim si një familje e madhe,” tregon ai.
“Në kohën që unë u rrita këtu, kemi qenë më shumë se 100 fëmijë të cilët kishin të njëjtat probleme, ose dhe më shumë se unë,” shton Klodiani, sot 20 vjeçar.
Tashmë Klodiani është bërë burrë. Në qendrën Betania ai ka marrë zanatin e bojaxhiut. Ai është kthyer në shtëpinë e tij në Shijak, ku kujdeset për nënën dhe po përpiqet të ndërtojë një jetë të re, teksa shpesh rikthehet në qendrën Betania si vullnetar. Lidhjet që ka me Dom Francesco Guarnati, një ndër pesë vullnetarët që merret me drejtimin e qendrës Betania, ai i përshkruan si prindërore.
Në qendrën Betania të gjithë punojnë për të mikpritur Atin e Shenjtë. Dikush kujdeset për lulishtet dhe të tjetër me kopshtin apo me sistemimet e fundit në këtë shtëpi të madhe.
Klodiani po lyen godinat, në mënyrë që ditën që Ati i Shenjtë do të shkelë aty gjithçka të shkëlqejë.
Qendra Betania do të jetë ndalesa e fundit e Papës Françesk në Shqipëri të dielën, ku ai do të jetë dëshmitar i drejtpërdrejtë i rolit që ka pasur ky institucion i kishës në jetën e qindra fëmijëve shqiptarë në nevojë.
Qendra Betania është themeluar në vitin 1998 nga Motra Antoneta Vitale dhe përbëhet nga shtëpiza që janë të ndara sipas moshës dhe gjinisë për fëmijët deri në 18 vjeç.
Dom Francesco Guarnati tregon se deri më tani kjo qendër ka mundur të mikpresë mbi 200 fëmijë që janë rritur aty nën kujdesin dhe përkushtimin e tyre.
“Në këto 15 vjet janë ndihmuar më shumë se 200 fëmijë në nevojë, të cilët kanë pasur probleme familjare të ndryshme, qoftë për shkak të gjendjes ekonomike apo dhunës fizike dhe psikologjike që kanë pësuar,” thotë ai.
“Këtu jemi munduar t’u ofrojmë jo vetëm një strehë por dhe edukim dhe dashuri. Tashmë jemi si një familje e madhe,” thotë Guarnati.
Ridvani është një tjetër fëmijë për të cilët qendra ka hapur duert e saj. Ka mbërritur në qendër kur ishte 3-vjeç. Në vitin 2003, nëna i vrau babain. dhe shatë fëmijët e familjes të mbetur jetim u strehuan në qendrën Betania.
Dom Francesku thotë se jetët e 70 fëmijëve që janë aktualisht të strehuar në qendër, janë po kaq dramatike sa ajo e Ridvanit.
Për të prekur dhimbjen e për të përcjellë mesazhin e shpresës, Don Francesko thotë se qendra është përzgjedhur nga Ati i Shenjtë për të mbyllur vizitën e tij të së dielës në Shqipëri. Ai e quan të dielën ditën më të bekuar të jetës së tij, ndërkohë që përgatitjet për të pritur Papën kanë nisur që në muajin maj.
Qendra po zbukurohet, ndërsa fëmijët po përgatisin edhe një koncert për nder të Papa Françeskut, i cili do të mikpritet nga themeluesja e kësaj qendre, Motër Antoneta Vitale.
“Këtu Papa do të ketë takim me përfaqësues nga qendra të shumta të Caritas nga mbarë Shqipëria, të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre bamirëse në zona të ndryshme,” thotë Dom Guarnati.
“Takimi do të zhvillohet në kishën e Shën Antonit të Padovës, ku Ati i Shenjtë do të bëjë dhe bekimin e tij për rreth 200 të pranishëm, mes të cilëve dhe fëmijë nga qendra të ndryshme përkujdesjeje dhe drejtuesit e tyre,” shton ai.
Në rreshtin e parë do të ulen bashkëpunëtorët më të ngushtë të Papës, pastaj personalitete të ndryshme. Jashtë kishës do të ketë barriera për të mundësuar sistemimin e shumë njerëzve që do të vijnë për të parë papën. Vizita e papës në qendrën Betania është parashikuar të zgjasë një orë.
Kambanat në qendrën Betania kanë nisur të bien fort dhe duket se bashkë me to do të kumbojnë dhe zemrat zemrat e çdo fëmije që është rritur aty.