Formula e përzgjedhur nga qeveria për rritjen e çmimit të dritave do të godasë më shumë konsumatorët e kursyer dhe ato të mesëm dhe më pak konsumin e luksit.
Formula e propozuar nga qeveria dhe kompania publike OSHEE për Entin Rregullator të Energjisë për ndryshimin e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë pritet t'i rrëmbejë shqiptarëve që paguajnë rregullisht energjinë elektrike rreth 7.5 miliardë lekë në total gjatë vitit 2015, por konsumatorët e kursyer të energjisë do të rëndohen shumë më tepër se sa konsumatorët dorëlëshuar.
Sipas propozimit të kompanisë publike të shpërndarjes së energjisë elektrike, OSHEE, çmimi për konsumatorët familjarë duhet të rritet në 12.3 lekë për kWh pa tatim të vlerës së shtuar, tatim që e rrit çmimin final në 14.76 lekë. Në rast se kjo tarifë do të miratohet nga ERE, çmimi mesatar për konsumatorin familjar do të pësojë një rritje prej 32 për qind, por për shkak se rritja do të jetë e pabarabartë, kjo tarifë do t'i rrisë të ardhurat e OSHEE nga konsumi familjar me rreth 29 për qind.
Llogaritjet e kryera nga BIRN sugjerojnë se energjia e faturuar për konsumatorët familjarë, pritet të arrijë në 33 miliardë lekë me TVSH në vitin e ardhshëm falë tarifës së re nga rreth 27 miliardë që janë me strukturën aktuale të çmimit.
Qeveria ka vendosur të japë rreth 16 milionë dollarë për të mbuluar kostot për familjet e varfra, duke sjellë një efekt neto në buxhetin e shtetit prej rreth 60 milionë dollarësh, para që do të paguhen para së gjithash nga konsumatorët e mesëm të energjisë.
Fasha
Shqiptarët kanë paguar që nga viti 2001 energji elektrike me dy tarifa. Tarifa e parë për konsumin deri në 300 kWh është aktualisht 7.7 lekë pa TVSH ndërsa tarifa e dytë për konsumin mbi 300 kWh, është 13.5 lekë pa TVSH. Duke argumentuar se nuk është në gjendje të kontrollojë siç duhet këtë model tarifimi, qeveria ka vendosur të vendosë një çmim për të gjithë konsumin. Çmimi i propozuar prej 12.3 lekësh pa TVSH po shqyrtohet nga Enti Rregullator i Energjisë, një institucion që ligjërisht është i pavarur, por që gjatë të gjithë ekzistencës së saj, i është bindur vazhdimisht vullnetit të qeverisë së radhës.
Tarifimi me fasha u vendos në vitin 2001 me synimin për të frenuar konsumin e tepërt të energjisë elektrike dhe për të nxitur konsumatorët familjarë të përdorin lëndë djegëse alternative si gazin e lëngshëm apo naftën e rëndë për ngrohje dhe gatim. Arsyetimi pas kësaj forme tarifimi është që energjia e prodhuar në vend ka një çmim të papërfillshëm, për të cilin, tarifa prej 7.7 lekësh për kWh është mëse e mjaftueshme për të mbuluar të gjitha kostot me përjashtim të amortizimit të hidrocentraleve. Rrjedhimisht tarifa e dyfishtë për konsumin e lartë, duhej të shërbente njëkohësisht për të frenuar konsumin dhe për të paguar energjinë e shtrenjtë të importit.
Heqja e modelit dytarifor të energjisë e eliminon politikën e frenimit të konsumit të lartë, por për shkak se çmimi i ri është tepër i lartë, ka gjasa që do të frenojë edhe konsumin në tërësi.
Tarifë më e lartë për të varfrit
Llogaritjet e BIRN sugjerojnë se nëse çmimi i propozuar miratohet, familjet e varfra dhe që konsumojnë më pak do të goditen më rëndë.
Familjet që konsumojnë deri në 200 kWh në muaj do të detyrohet të paguajnë 1,100 lekë më shumë me tarifat e reja ose një rritje në masën 60 për qind. Familjet që konsumojnë 300 kWh në muaj do të paguajnë 1600 lekë më shumë me të njëjtën masë rritjeje. Familjet që janë brenda skemave ekzistuese të mbrojtjes sociale në Shqipëri si psh pensionistët dhe familjet në skemën e ndihmës ekonomike, pritet të përfitojnë mesatarisht 650 lekë në muaj, gjë që pritet të mbulojë më gati gjysmën e çmimit të rritur për konsumatorët deri në 200 kWh në muaj dhe akoma më pak për familjet që konsumojnë deri në 300 kWh.
Por për familjet që konsumojnë 400 kWh, fatura mujore e energjisë elektrike do të rritet me 1,500 lekë në muaj ndërsa për familjet e tjera, çmimi do të rritet më pak se kaq. Për familjet që konsumojnë 800 kWh në muaj çmimi do të rritet me 936 lekë ndërsa ata të paktët që konsumojnë 1 mijë kWh, çmimi do të rritet me më pak se 650 lekë në muaj.
Në rast se Enti do të miratojë një tarifë më të ulët nga ajo e kërkuar nga OSHEE, konsumatorëve të varfër sërish do t'u bjerë një barrë më e rëndë ndërsa të pasurve do t'u bjerë një barrë edhe më e lehtë.
Për familjet që nuk e paguajnë energjinë elektrike, nuk pritet të ketë ndryshim.