Bukureshti shpreson që Moldavia do të ruajë pozicionimin e vet politik pro-europian pas luftës së ashpër gjatë zgjedhjeve parlamentare ku partitë pro-ruse nuk ia dolën të arrijnë një shumicë.
Ministri i Jashtëm i Rumanisë, Bogdan Aurescu përshëndeti fitoren e partive pro-europiane në zgjedhjet e 30 nëntorit në Moldavi, fqinjin ish-sovjetik të Rumanisë.
“E mbështesim me forcë rrugën pro-europiane që Moldavia me shumë gjasa do ta vazhdojë,” tha Aurescu.
Partitë pro-BE në Moldavi fituan shumicën e vendeve në zgjedhjet parlamentare dhe duket se do krijojnë koalicionin drejtues në parlamentin me një dhomë, sipas analistëve.
Rezultatet zyrtare tregojnë se tri partitë pro-europiane kanë rreth 44 për qind të votave ndërsa partitë që anojnë nga Rusia kanë rreth 40 për qind.
Veçmas, Partia Socialiste, pro-ruse mori shumicën e votave, rreth 22 për qind. Partia Liberal Demokratike e Moldavisë doli e dyta me rreth 20 për qind, ndërsa ish-partia qeverisëse, ajo Komuniste Moldave doli e treta me rreth 18 për qind.
Partitë pro-europiane, – Liberal Demokratët, Liberalët dhe Demokratët, që drejtuan një koalicion qeverisës deri vitin e shkuar – kanë më shumë gjasa të formojnë një koalicion të ri qeverisës sepse ata kanë një shumicë, por ata nuk kanë mjaftueshëm vende për të zgjedhur një president, gjë që mund të shkaktojë probleme politike.
Analistët thonë se e ardhmja e Moldavisë është ende në drejtpeshim meqë rezultatet e zgjedhjeve nuk i dhanë asnjërës prej palëve fitore vendimtare.
“Kjo është një fitore e dobët e partive pro-BE në Moldavi. Votat e tyre përkthehen numerikisht në një shumicë në parlamentin 101-vendësh, por nuk është përfundimtare që Aleanca për Integrimin Europian mund të rigjallërohet,” thotë analisti politik Emil Hurezeanu.
“Le të shpresojmë se frika ndaj Moskës do t’i detyrojë ata të qëndrojnë të bashkuar,” shtoi ai.
Zgjedhjet dhe llogaritë e tyre po vazhdohen me kujdes nga Brukseli, Uashingtoni dhe Moska, teksa ata i afrohen asaj që disa po e quajnë një luftë e re e ftohtë për Ukrainën, fqinjin tjetër të Moldavisë.
Në qershor, Moldavia nënshkroi një marrëveshje asociimi me BE-në dhe siguroi udhëtim pa viza në bllok, pavarësisht ankesave, paralajmërimeve dhe vendosjes së një embargoje të verës dhe ushqimit nga Rusia.
Moldavia ishte pjesë e Rumanisë nga viti 1918 deri në 1940, kur u aneksua nga Bashkimi Sovjetik përpara se të bëhej e pavarur në 1991. Sot, rreth 80 për qind e popullsisë prej 4.1 milionë është me origjinë etnike rumune dhe flet rumanisht dhe rusisht.
Rusia dhe fqinji anëtar i BE-së, Rumania, po luftojnë për influencë në Moldavi, ku duhet të ndërmerren reforma që t’i jepet fund korrupsionit dhe të depolitizohen institucione kyçe si gjyqësori dhe policia.