![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/49ac2201.jpg)
Strategjia e qeverisë së re ka si objektiv nxjerrjen nga varfëria të 400,000 personave deri në vitin 2020.
Qeveria e qendrës së majtë të Rumanisë po merr në konsideratë një strategji të re kundër varfërisë që ka si qëllim të nxjerrë nga varfëria 400,000 prej qytetarëve në gjendjen më të keqe.
Rreth 22.6 për qind e rumunëve jetojnë në varfëri si rezultat i të ardhurave të ulëta dhe shumica e tyre po e provojnë varfërinë prej shumë vitesh, thotë drafti i Strategjisë Kombëtare të Reduktimit të Varfërisë.
Ndër rumunët më në nevojë përfshihen rreth 1.8 milion rom, 1.4 milion fëmijë, 725,000 njerëz mbi moshën 80-vjeçare, 687,000 njerëz me aftësi të kufizuara dhe mbi 63,000 jetimë, në total 4.6 milionë.
Dokumenti që është bërë qendër e debatit publik i nxjerrë nga Ministria e Punës planifikon të pakësojë shkallën e varfërisë me të paktën 400,000 deri në vitin 2020.
“Ka shumë komunitete të varfra ku këto probleme janë akumuluar, duke e bërë thuajse të pamundur për të thyer akullin e varfërisë pa një ndërhyrje nga jashtë,” shkruhet në strategji.
Strategjia ka si qëllim të krijojë vende pune dhe mundësi për njerëzit e varfër si dhe të inkurajojë barazi më të madhe të mundësive.
“Kjo do të thotë zhvillim i aftësive, edukimit dhe eksperiencës në tregun e punës për të varfrit… pakësimi i mjerimit duhet të arrihet përmes një shpërndarje më të mirë dhe më specifike të mbrojtjes sociale për pjesën më të varfër të shoqërisë,” shton dokumenti.
Analistët janë në dilemë rreth asaj që strategjia do të arrijë. “Theksimi i strategjive dhe rekomandimeve nuk janë asgjë nëse këto politika nuk përkthehen në realitet,” paralajmëroi Elena Dumitru, një gazetare.