![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/1362919174_a6053489f1_z.jpg)
Kontrabanda në Bjellorusi konsiderohet art, dhe ndryshe nga vjedhja, është moralisht e pranueshme.
Fati i Bjellorusisë është vendndodhja mes dy blloqeve ekonomike-Rusisë dhe Bashkimit Europian. E ndërsa kufiri lindor i vendit konsiderohet gjerësisht simbolik-veçanërisht që pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Bashkimit Ekonomik Euroaziatik, -mungesa e projekteve integruese dhe dështimi i Minskut për të ndërtuar lidhje të forta me Bashkimin Europian ka bërë që kufiri perëndimor të mbetet më së shumti i paprekur.
Rregulloret e kalimit të kufirit dhe shkëmbimit doganor mund të jenë pengesë për tregtinë e lirë mes vendeve, por ato sigurojnë gjithashtu një burim ilegal të ardhurash për qytetarët me iniciativë. Kontrabanda në Bjellorusi po lulëzon, si në kufirin me vendet e BE-së drejt Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë, ashtu edhe në kufirin jugor me Ukrainën. Media bjelloruse publikon çdo javë histori me mallra të bllokuara, por raportimet mbulojnë vetëm një pjesë të vogël të sekuestrimeve si dhe një numër edhe më të vogël të operacioneve anti-kontrabandë.
Ekonomia e zezë
![Dogana në Bjellorusi. Foto: Flickr](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/1362919174_a6053489f1_z-300x201.jpg)
Kontrabanda është gjerësisht e përhapur në Bjellorusi dhe jo sepse ky është shtet i korruptuar, ku doganat dhe autoritetet e kufirit janë të lumtur të inkurajojnë ekonominë e zezë në këmbim të një rryshfeti të pranueshëm. Përkundrazi, këto institucione janë efiçente dhe korrupsioni është shumë më pak i pranishëm në Bjellorusi se sa në vendet e tjera ish-sovjetike.
Arsyeja e rritjes së kontrabandës qëndron pas faktit se ligjet në Bjellorusi i kategorizojnë shumicën e mallrave që trafikohen si shkelje të vogla. Ekonomia e zezë u mundëson njerëzve në Bjellorusi dhe Ukrainë, ashtu si edhe banorëve në zonat e varfra kufitare të Lituanisë dhe Polonisë të ardhura më domethënëse se sa do të mund të fitonin me punë të ligjshme. Për disa njerëz, kontrabanda është i vetmi burim të ardhurash.
Kontrabanda në kufinjtë e Bjellorusisë shfaqet në forma dhe lloje të ndryshme. Zakonisht, mallrat e kontrabanduar kalohen përmes pikave doganore pa u deklaruar, ose në rrugë ilegale përmes pyjeve dhe lumenjve.
Sipas autoriteteve kufitare, malli më i kontrabanduar nga Bjellorusia në BE janë cigaret; ndërsa nga Rusia drejt BE-së përmes territorit bjellorus janë sërish cigaret dhe alkooli. Në të kundërt, importet e paligjshme më të mëdha janë mishi, alkooli dhe produktet ushqimore. Qelibari është malli më shpesh i kontrabanduar nga Kaliningradi, enklava ruse e Balltikut, ndërsa veshjet, prodhimet ushqimore dhe droga janë sendet më të kontrabanduara nga Europa në drejtim të Rusisë dhe Bjellorusisë.
Në kohë të ndryshme, mallra të ndryshme kanë sjellë të ardhurat më të mëdha për kontrabanduesit. Fill pas ndarjes me Bashkimin Sovjetik në 1991, mallrat e prodhuara në Bjellorusi ishte mjaft të kërkuara në Poloni. Por situata ndryshoi me zhvillimin e ekonomisë së tregut tek fqinjët perëndimorë të Bjellorusisë, ndërsa ekonomia e saj kaloi në stanjacion. Në ditët e sotme, bjellorusët blejnë shumicën e gjërave jashtë vendit, pasi janë më të lira dhe cilësore. Të vetmet mallra që ia vlejnë të trafikohen jashtë vendit sot janë cigaret dhe nafta.
Arti i kontrabandës
Lëvizja e mallrave të kontrabanduara është kthyer në një art të vërtetë. Sendet e vogla mund të fshihen në valixhet personale ose mes rrobash, mund të transportohen me makina, autobusë apo trenë. Njerëzit bëjnë çanta me funde të dyfishta dhe sajojnë gjithfarë vendesh të fshehta në makina apo furgonë. Ata e kamuflojnë kontrabandën përmes mallrave që transportohen ligjërisht. Ndërsa droga fshihet në vazo ushqimesh, produkte kozmetike apo mes rrobash.
Trafikantët vijnë gjithashtu në të gjitha format dhe përmasat; gjyshe që kalojnë kufirin me disa paketa cigare dhe gangsterët ndërkombëtarë, me burimet e nevojshme për të organizuar kontrabandë në nivele të larta, të aftë për të blerë doganierë dhe zyrtarë të kufirit.
Kontrabandistët e kapur prodhojnë lloj-lloj historish se pse po mbajnë kuti të mëdha me cigare në zonat kufitare; “po mbledhim kërpudha”-thonë ata ose-“po kërkojmë pemë krishtlindjesh”-aktivitete për shpenzimin e kohës së lirë mes duhanxhinjve të thekur.
Nderi mes hajdutëve
Viktar Sazonau, një aktivist i të drejtave të njeriut dhe shkrimtar nga qyteti kufitar i Hrodnas ka shkruar një libër të tërë rreth kësaj çështjeje “Ditari i një kontrabandisti”, ku përshkruan me një dozë të ndershme humori aktivitetin e kontrabandistëve lokalë mes viteve 1990-2000. Në atë kohë, Viktar kombinoi punën e tij ditore si një zyrtar shkencor me atë dytësore të trafikut, përmes së cilës fitonte në një udhëtim të vetëm, 3 apo 4-fishin e rrogës së tij mujore.
Viktar bëhet nostalgjik me kontrabandistët e asaj kohe;”Ata ishin njerëz tërësisht të ndryshëm, shumë më romantikë. Ata shkonin për t’i hedhur një sy Perëndimit. Ishin aktivë, të vendosur, zemërmirë dhe gjithnjë të gatshëm të ndihmonin njëri-tjetrin. Ata ishin plot me ide kapitaliste, të guximshëm dhe rriskues dhe mendonin se do ta përdornin kontrabandën si një mënyrë për të vënë pak para mënjanë, hapur një biznes apo për t’u bërë qytetarë të respektuar”. Kontrabanduesit e sotëm, në anën tjetër janë sipas Viktarit “kurrnacë dhe plot me zili”. Ata përpiqen të vjedhin pjesën më të mirë të mallit nën hundët e njëri-tjetrit. Qëllimi i tyre i vetëm është mbijetesa, fitimi i sa më shumë parave. Sazonaŭ beson se përmirësimi i ekonomisë në Bjellorusi do ta bënte kontrabandën shumë më pak tërheqëse. “Është punë shumë stresuese dhe e vështirë. Shumica e trafikantëve kanë një nivel jetese më të lartë se të tjerët, jo se bëjnë fitime të mëdha, por se punojnë 20 orë në ditë. Nëse do të kishte ndonjë shans për të fituar një jetesë dinjitoze në mënyrë të ligjshme, shumica e njerëzve do të vepronin si polakët; do ta braktisnin kontrabandën dhe do të bënin jetë normale, do të paguanin taksat dhe shijonin jetën”.
Viktori thotë se ngjan paradoksale, por kontrabanda u bë popullore në Bjellorusi, edhe pse qytetarët e këtij vendi i binden ligjit. Ata nuk shohin asgjë imorale tek të blerit të një malli në një vend dhe shitjes së tij në një vend tjetër-“është veçse biznes”. Në vendin e tyre, bjellorusët jetojnë një jetë shembullore nën forcën e ligjit; vjedhja konsiderohet turp. Por kontrabanda nuk është njësoj si vjedhja, edhe pse mund të duket kështu, në termat e së mirës publike. Duke e trajtuar kontrabandën si një shkelje të rëndomë, qeveria inkurajon sjelljen “edhe pse është larg të qenit biznes tërësisht i ligjshëm, të paktën është moralisht i pranueshëm”.
Ti biesh drejt
Pikëpamja rreth kontrabandës është shpjeguar nga Olga, e cila i dha fund pasi u kap nga policia kufitare. Në një intervistë për gazetën polake “Rzeczpospolita”, Olga foli për punën e saj të mëparshme, duke e bërë atë të duket si një biznes i zakonshëm. Punëdhënësit i siguruan asaj rrogë, një makinë, telefon e madje edhe taksa të paguara.
Olga filloi të transportonte cigare kontrabandë, pasi ishte e dëshpëruar. Burri i saj e kishte lënë dhe ajo kishte dy fëmijë për të rritur. Përgjatë dy viteve, Olga fitoi jo vetëm për jetesën, por mjaftueshëm për një apartament të ri dhe pushime jashtë shtetit. Ajo tha se u kap, kur trafikantët rivalë e denoncuan atë tek njerëzit e doganës. Kur arriti në kufi, makina e saj u kontrollua menjëherë. Ajo e shmangu ndjekjen penale, pasi nuk ishte duke transportuar ndonjë sasi të madhe, por vendosi të linte njëherë e mirë biznesin.
Olga i tha intervistuesit të saj se nuk ishte e vështirë të bëheshe një kontrabandiste-duhej vetëm të njihje njerëzit e duhur. Mund të punoje vetëm, por për të fituar shumë para, nevojitej të transportoje sasi më të mëdha se sa mund të bleje në një dyqan të zakonshëm. Ndaj të duhej një marrëveshje me shitës shumice apo “paketues”. E lije makinën tek njerëzit me paisje të posaçme; ata e mbushnin makinën me cigare dhe pasi kaloje kufirin, i merrje sërish ata për të shkarkuar mallin.
Olga nuk mendon se ajo punonte për mafian. “Çfarë mafia? Çfarë kriminelësh? Ata ishin njerëz normalë! Fundja, unë nuk isha duke trafikuar drogë. Njerëzit pinë duhan-kjo është e gjitha,” thotë ajo. Dhe miqtë e saj nuk panë asgjë të keqe tek mënyra se si ajo punonte.
Cigaret e tregut të zi
Historia e Olgës të bën të mendosh për shkallën marramendëse të kontrabandës së cigareve nga Bjellorusia drejt Bashkimit Europian. E famshme për diktaturën e Lukashenkas, shpërthimin e Çernobilit dhe hokein në akull, Bjellorusia është mesa duket e njohur edhe mes duhanpirësve europianë-është një ndër furnizuesit më të mëdhenj ilegalë të tregut të cigareve në vendet e BE-së. Humbja në taksa nga tregtia ilegale e duhanit në BE arrin në 10 bilionë dollarë në vit dhe kontributi i Bjellorusisë në këtë humbje është i konsiderueshëm.
Në ligjin bjellorus, kontrabanda e cigareve është një shkelje minimale, edhe pse mund të jetë po aq fitimprurëse sa trafiku i drogës apo i armëve-krime shumë më serioze. Në këtë mënyrë, biznesi është rritur në mënyrë marramendëse përgjatë viteve të fundit.
Statistikat zyrtare tregojnë se tregu i Bjellorusisë konsumon 20 bilionë cigare në vit, ndërsa industria e duhanit prodhon 30 bilionë. Në fjalë të tjera, 10 bilionë cigare kalojnë kufirin në rrugë ilegale çdo vit.
Në Bjellorusi, cigaret e “eksportuara” në Europë kushtojnë më pak se 0.5 euro një paketë. Në vendet anëtare të BE-së, të njëjtat marka kushtojnë nga 2 në 6 paund, në varësi të nivelit të taksave të vendit, duke lejuar kështu trafikantët të bëjnë fitime marramendëse.
Cigaret shiten zakonisht në zonat pranë kufinjve, tek klientë të njohur. Operatorë më të organizuar dhe profesionalë i dërgojnë ato drejt e në Perëndim. Hulumtimet në tregun e cigareve në Poloni zbuluan se në vitin 2013, 14.5 % e cigareve të shitura vinin nga kontrabanda. Thuajse gjysma e tyre vinte nga Bjellorusia, në një kontrast të fortë me shifrat e 2007s, ku vetëm 2 % e tyre vinin nga Bjellorusia.
Në një tjetër studim të kryer në vitin 2013 nga Instituti i Tregtisë së Lirë në Lituani, 35 % e të anketuarve pranuan se kishin blerë cigare kontrabandë në vitin paraardhës, 16 % se kishin blerë pije alkoolike dhe 29 % se kishin blerë naftë kontrabandë. Thuajse 2/3 e lituanezëve e konsideruan këtë të justifikuar nga situata e vështirë ekonomike në vendin e tyre.
Të mbyllësh sytë
Pavarësisht sasisë së madhe të cigareve kontrabandë, qeveria e Bjellorusisë nuk jep asnjë shenjë se ka ndërmend të shtojë penalitetet për këtë krim. Eksporti ilegal i cigareve gjeneron të ardhura të mëdha për dy fabrikat e prodhimit të cigareve në vend dhe i kthen shtetit të ardhura masive nga akciza.
Por kontrabanda është një proces me dy anë. Importi i ushqimit të lirë dhe i cilësisë së lartë dhe produkteve të tjera nga BE i kushtojnë Bjellorusisë biliona dollarë në vit. Në 2013, Alyaksandr Lukashenka çuditi publikun, teksa propozoi taksën “100 USD për kokë” mbi njerëzit që iknin nga vendi, sa kohë që sipas tij, bjellorusët nxirrnin 3 bilionë dollarë çdo vit jashtë vendit. Ky propozim, gjithsesi u rrëzua. Lidershipi i vendit është i shqetësuar nga trazirat potenciale për shkak të kushteve të jetesës-bazat e kontratës mes qeverisë së Lukashenkës dhe bjellorusëve janë tanimë të rrezikuara. Njerëzit, gjithsesi e kanë pranuar pafuqinë e politikës, në këmbim të mirëqënies së tyre materiale.
Kështu, një pjesë e bjellorusëve dhe fqinjëve të tyre fitojnë një jetesë të mirë nga kontrabanda dhe autoritetet, të frikësuara nga paqëndrueshmëria sociale dhe të nxitura nga të ardhurat e akcizës, nuk kanë asnjë nxitim në marrjen e masave të nevojshme kundër biznesit të cigareve. Kjo situatë është tipike për shoqëritë e ish-vendeve sovjetike, ku kontrabanda konsiderohet një mjet i ndershëm dhe i pranueshëm për fitimin e të ardhurave. Është gjithashtu me leverdi për duhanpirësit europianë, të cilët mund të blejnë cigaret e tregut të zi me gjysmë çmimi. Kjo situatë i shkon për shtat të gjithëve-sigurisht përveç vendeve të Bashkimit Europian, të cilët humbin biliona euro nga taksat vit pas viti.
Marrë me autorizim nga opendemocracy.net