![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/vera-jourova.jpg)
Tabela më e fundit e BE-së për Drejtësinë tregon se shtetet e Ballkanit kanë pak besim në sistemin e tyre gjyqësor – pavarësisht se disa prej tyre janë të tejmbushura me gjykatës.
![vera jourova](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/vera-jourova-300x217.jpg)
Gjykatat në vendet e Ballkanit nuk shihen si vërtetë të pavarura, sipas Tabelës së Drejtësisë së BE-së në 2015.
Të dhënat u prezantuan të hënën nga Vera Jourova, Komisionerja për drejtësinë, konsumatorët dhe barazinë gjinore, bazuar në shifrat e mbledhura nga viti 2013 dhe 2014.
Klasifikimet tregojnë se Bullgaria, Kroacia dhe Rumania janë mes vendeve me perceptimit më të ulët pozitiv të punës së gjyqësorit në BE.
Bullgaria u rendit e dyta nga fund në tabelë pas Sllovakisë, ndërsa Kroacia e treta. Sllovenia fqinje ishte e pesta nga fundi, ndërsa Rumania e gjashta.
Kroacia dhe Rumania kanë treguar progres të kufizuar nga 2010. Megjithatë, në Bullgari dhe Slloveni, besimi në pavarësinë e gjyqësorit ka rënë që atëherë.
Shtetet në BE me më shumë besim në gjykatat e tyre janë Finlanda, Danimarka dhe Irlanda.
Besimi në pavarësinë e gjyqësorit shihet si i rëndësishëm për një gamë të gjerë çështjesh, përfshirë investimin. Pa një siguri në drejtësi, parashikim dhe stabilitet të sistemit ligjor, biznesi e ka të vështirë të operojë.
Besimi në gjykata nuk ka lidhje me numrat e gjyqtarëve, sugjerojnë të dhënat. Megjithatë, Sllovenia e kryeson këtë kategorizim me 46 gjyqtarë për 100,000 banorë, e ndjekur nga Kroacia me 44, gjë që nuk vjen në drejtpeshim me efikasitetin për nga koha e duhur për të zgjidhur një çështje.
Bullgaria vjen e pesta në numrin e gjyqtarëve me 30, ndërsa Rumania ka 23 gjyqtarë për 100,000 banorë.
Sipas shifrave nga 2013, duheshin 386 ditë mesatarisht për të zgjidhur një çështje në Kroaci, e gjashta më e ngadalta në BE. Malta është më e ngadalta nga të gjitha. Duhen mesatarisht 750 ditë për çështje atje.
Luksemburgu është vendi më i shpejtë nga të gjitha shtetet e BE-së. Gjykatat atje i zgjidhin çështjet mesatarisht në 53 ditë, e ndjekur nga Lituania me 94 ditë dhe Estonia 130 ditë, ndërsa Danimarka renditet e pesta me 160 ditë dhe vetëm gjashtë gjyqtarë për 100,000 banorë.