![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Slobodan-Milosevic-icty.jpg)
Nëntë vjet pas vdekjes së liderit serb Sllobodan Millosheviç, mbështetësit e tij dhe ish-aleatë të Partisë Socialiste u mblodhën për të mbajtur zi për një njeri që ata refuzojnë të besojnë se ishte një kriminel lufte.
![Përkujtimorja në shtëpinë e familjes së Millosheviçit.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Untitled2.png)
“Sot nuk shkova në punë,” thotë një grua në autobusin që transporton përkrahësit e Millosheviçit në qytetin e vogël serb të Pozarevacit për përkujtimin vjetor ditën e mërkurë. “U thashë se do të nderojmë presidentin tonë.”
Një tjetër grua i thotë shoqes së saj se ka veshur të njëjtat rroba që veshi kur shkoi për të parë kthimin e arkivolit të Millosheviçit nga Haga pas vdekjes së tij më 11 mars 2006. Dy prej tyre, pothuajse si të gjithë në autobus, kanë vënë nga një teserë me fotografinë e ish-presidentit.
Pelegrinazh i përvitshëm në Pozarevac organizohet nga një shoqatë e quajtur “Liria”, e cila u themelua nga vetë Millosheviçi. Këtë vit, ajo mori një autobus të mbushur kryesisht me të moshuar, admirues të tij të veshur elegant nga Beogradi drejt vendit ku ai u varros, në kopshtin e shtëpisë së familjes së tij.
Lindur dhe rritur në Pozarevc në vitin 1951, Millosheviçi u ngrit në pozitë në vitin 1987, kur ai u bë i njohur si zëdhënës për nacionalistët serbë në ish-Jugosllavi. Ai erdhi në pushtet në vitin 1990 si president i Serbisë dhe në vitin 1997 u bë president i Jugosllavisë.
Ai e mbajti këtë post deri më 5 tetor 2000, kur u rrëzua nga opozita. Më pak se një vit më vonë, ai u arrestua me urdhër të ish-kryeministrit serb Zoran Djindjic, dhe u transferua në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë për të dalë para gjyqit, duke u bërë kështu kreu i parë evropian i shtetit që do të ndiqej penalisht për gjenocid dhe krime lufte.
Megjithatë, për mbështetësit e tij, Millosheviçi nuk ishte “Kasapi i Ballkanit”, siç e kanë etiketuar disa herë.
“Ai e donte vendin dhe njerëzit e tij dhe s’do të linte asnjë të ndërhynte në punë tona,” thotë Slavica, një prej grave në autobusin drejt Pozarevacit. “Nuk ka pasur asgjë pas tij, asgjë,” thotë ajo.
Slavica e tregon besnikërinë ndaj presidentit të ndjerë duke shkuar pothuajse çdo vit te varri i tij për të ndezur një qiri dhe vendosur lule.
Në rrugën e presidentit të ndjerë në Pozarevac, janë mbledhur me dhjetëra mbështetës të tij, përsëri pjesa më e madhe të moshuar. Ata mbajnë fotografinë e Millosheviçit, lule dhe qirinj. Disa prej grave po qajnë.
Ata presin para portës së madhe të shtëpisë së tij, duke u përgatitur të bëjnë nderimet e tyre. Pranë portës është një kioskë e vogël ku mund të blihen librat e Millosheviçit. Pranë saj është një vend ku ndizen qirinj.
Një grua që erdhi me djalin e saj dhe kërkoi të mbetej anonim, thotë se është hera e parë që ajo viziton varrin e Millosheviçit. Ajo nuk është anëtare e Partisë Socialiste, por pretendon se i ka mbetur gjithmonë ideologjive të saj.
“Kjo është një ditë shumë e trishtueshme,” thotë me zë që i dridhet.
“Kur kujtoj se (Ante) Gotovina dhe (Mladen) Markac (gjeneralë kroatë të shpallur të pafajshëm për krime lufte) janë të lirë …,” thotë ajo gati duke qarë.
Pastaj vargu i gjatë i njerëzve ecin ngadalë në heshtje drejt gurit të varrit, vendosin lule, qirinj të ndezur dhe të bëjmë fotografi të varrezës së improvizuar në oborrin e shtëpisë të madhe moderne.
Pas kësaj, anëtarët e Partisë Radikale Serbe vijnë duke hapur rrugën për presidentin e tyre, Vojisllav Sheshelin, i cili është gjithashtu një i pandehur për krime lufte, dhe shkon drejt e te varri, duke mos i kushtuar vëmendjen njerëzve që i ngulin sytë.
Pasi Shesheli zhduket sytë, një pensioniste, Radica Mitic, thotë se është e zemëruar për mënyrën fyese se si shteti e trajtoi presidentin e ndjerë.
“Sllobodan Millosheviçi është një njeri i madh dhe ai nuk meritojnë të varrosej në kopshtin e tij, por në Luginën e të Mëdhenjve në Beograd,” thotë ajo në mënyrë të vendosur.
Kujtime që veniten
Në qendër të qytetit, jo shumë larg varrit të presidentit të ndjerë dhe luleve të vendosura atje, gjërat duken krejt ndryshe. Është thjesht një tjetër e mërkurë pasdite e zakonshme, me fëmijë që shkojnë në shkollë dhe njerëz nëpër rrugë që bisedojnë për çështjet e përditshme – politikë, para dhe sporte.
Një shofer taksie në meso moshë në një kompani taksish në qendër të qytetit, Marko Petrovic, thotë se ai harroi se sot ishte përvjetori i vdekjes së Millosheviçit. Por ai shprehet se situata e përgjithshme në qytet është më keq se nën sundimin e Millosheviçit.
“Pozarevaci është shkatërruar. Këtu s’punon asgjë. Dikur kishim një industri të zhvilluar këtu, qyteti ishte i famshëm… Tani nuk kemi asgjë,” thotë ai si ai ndërsa ndez një puro.
E pyes se çfarë nënkupton përvjetori për njerëzit e zakonshëm në qytetin e Millosheviçit.
“Asgjë. Absolutisht asgjë,” shprehet ai me ngadalë. “Njerëzit këtu e jetojnë jetën e tyre njëosj si më parë. Ata luftojnë për të mbijetuar dhe ushqyer familjet e tyre.”
Në parkun aty pranë, Jovani, një pensionist gjithashtu pranon se e kishte harruar përvjetorin, por ai ka kujtime të mira të Millosheviçit.
“Mendoj se njerëzit këtu e njohin si njeri të mirë. Në atë kohë kishim “Bambin” (parkun e argëtimit) dhe Marko (djali i Millosheviçit) ishte ndër ata që e drejtonte atë. Tani nuk ka më asgjë,” thotë ai. Tani si gruaja ashtu edhe djali i Millosheviçit janë në mërgim në Rusi, sepse ata kërkohen në vendin e tyre.
Ndërsa ecim drejt sheshit kryesor, disa njerëz duket sikur nguten të f;asin për Millosheviçin, por arrij të gjej një grua, e cila thotë se edhe ajo është gazetare, edhe pse nuk dëshiron të më thotë emrin e saj.
“Sinqerisht, njerëzit këtu nuk e mbajnë mend më atë. Ma merr mendja se kanë harruar edhe përvjetorin e tij,” thotë ajo.
“Të gjithë shohin punën e tyre,” shton ajo dhe pastaj largohet me nxitim.
Kafenetë e mbushura në zonën kryesore të këmbësorëve dhe njerëzit që ecin me fëmijët e tyre në një ditë me diell tregojnë se jeta ka vazhduar për njerëzit e zakonshëm në këtë qytet të vogël në Serbinë qendrore.
Nëse ata e kanë harruar qytetarin më të famshme të qytetit të tyre apo thjesht vazhduan jetën, duke u përpjekur të bëjnë aq sa munden, ata nuk i kushtojnë vëmendje asaj që po ndodh në shtëpinë e madhe të bardhë me kopsht të pastër, ku një i pandehur për krime lufte u varros nëntë vjet më parë.