![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/hashim-thaci-thumbnail.jpg)
Ministri i jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi mund të marrë pjesë në një konferencë të një OJQ-je në Beograd më vonë këtë muaj, edhe pse një urdhër për arrestimin e tij për krime të dyshuara lufte është ende aktiv në Serbi.
Prokurori serb i krimeve të luftës Vladimir Vukcevic paralajmëroi të enjten se Thaçi mund të arrestohet nëse ai merr pjesë në konferencën për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit në Beograd më 24 prill.
“Hetimi për Thaçin është në pritje për shkak se ai nuk është i arritshëm nga organet hetuese serbe. Interpoli ka anuloi vlefshmërinë e urdhër arrestit për Thaçin në vende të tjera, sepse ai është ndër zyrtarët më të lartë shqiptarë. Megjithatë, në Serbi urdhri është në fuqi, kështu që ne mund të arrestojmë nëse ai vjen këtu,” tha Vukcevic për gazetën “Blic”.
Këshilltari politik i Thaçit, Ardian Arifaj, tha të mërkurën se ministri i jashtëm i Kosovës i është përgjigjur pozitivisht ftesës për të marrë pjesë në konferencë.
“Thaçi është një nga politikanët kryesorë në Ballkan që promovojnë paqen dhe bashkëpunimin midis njerëzve dhe vendeve. Në këtë frymë, Thaçi është i gatshëm të udhëtojë për në Beograd,” tha Arifaj.
Zv/ministri i jashtëm i Kosovës Petrit Selimi tha ditën e mërkurë se vizita e Thaçit varet nga vullneti i Serbisë.
“Ministria e Jashtme i është përgjigjur pozitivisht ftesës, sepse këto vizita ndihmojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë,” tha Selimi.
Ai shtoi se qeveria e Kosovës garantoi sigurinë e presidentit serb Tomislav Nikoliç, kryeministrit Aleksandër Vuçiç dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, kur ata vizituan Kosovën dhe se ai shpreson se qeveria serbe do të bënte të njëjtën gjë.
Por ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç tha se nuk është e nevojshme që Thaçi të vijë në Beograd.
“Ne kemi bërë shumë hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve tona në një mënyrë që është rënë dakord reciprokisht. Kjo ftesë nuk u pranua nga të dyja palët, kjo është diçka që është organizuar në mënyrë të njëanshme nga disa qarqe jo-qeveritare,” tha të mërkurën Daçiç.
Daçiç, i cili e ka takuar rregullisht në Bruksel Thaçin për bisedime të ndërmjetësuara nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Beograd-Prishtinë, shtoi se “çështje të tilla serioze nuk mund të kryhen pa autoritet shtetërore”.
Delegacioni i Serbisë mori pjesë pa simbole shtetërore në nder të faktit që Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në konferencë nuk kishte gjithashtu as simbole të Kosovës.
Leo Besiri nga OJQ-ja “Këshillit Rinor për Arsim”, i cili e ftoi Thaçin në Beograd, tha për TV N1 se pritet që autoritetet e Beogradit dhe Prishtinës do të bien dakord mbi vizitën deri në fund të javës.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, gjë të cilën Beogradi nuk e njeh. Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja mes të dy palëve filluan në vitin 2011 në Bruksel.