![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/maqedonia.jpg)
Dhjetë orë bisedime të ndërmjetësuara nga BE-ja në Strasburg midis kryeministrit të Maqedonisë dhe liderit të opozitës përfunduan pa rezultate, edhe pse ata ranë dakord të takohen përsëri.
![Qeveria maqedonase. Foto: Sinisa Jakov Marusic](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/maqedonia-533x400.jpg)
Bisedimet shumë orëshe në Strasburg midis kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski dhe liderit të partisë opozitare Social Demokrate Zoran Zaev përfunduan të enjten në orën 03:30 të mëngjesit pa ndonjë rezolutë për krizën politike në Maqedoni.
Tre eurodeputetët që lehtësuan dialogun thanë se ata dëgjuan diskutime të sinqerta nga të dy liderët dhe ata u angazhuan të takohen përsëri.
Europarlamentarët Richard Hoëitt, Eduard Kukan dhe Ivo Vajgl në një konferencë të përbashkët për shtyp “mirëpritën përpjekjet e liderëve të partive për të punuar drejt një marrëveshjeje në interes të të gjithë qytetarëve të vendit dhe për të adresuar sfidat që dalin nga kriza sipas standardeve evropiane”.
“Të dyja palët konfirmojnë angazhimin ndaj procesit të integrimit në BE dhe parimeve demokratike, si edhe ranë dakord për të vënë në vend të parë interesin e vendit,” dhe mbajtën “diskutime të hapurambi çështjet kryesore të diskutueshme,” shtuan ata.
Bisedimet maratonë ishin raundi i tretë i tillë midis dy liderëve brenda vetëm një jave, por të parat që u zhvilluan jashtë vendit, me ndihmën e Komisionerit Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn.
Negociatat janë një përpjekje për të zgjidhur një krizë të thellë politike mbi pretendimet për përgjime të paligjshme masive. Opozita e akuzon Gruevskin, i cili është në pushtet që prej vitit 2006, për organizimin e përgjimit të më shumë se 20,000 njerëzve dhe kërkon që ai të japë dorëheqjen.
Gruevski ka këmbëngulur se përgjimet e bisedave zyrtare të bëra publike nga opozita që në shkurt “ishin krijuar” nga shërbime sekrete të huaja pa emër dhe i janë dhënë opozitës për të destabilizuar vendin.
Kasetat tregojnë mashtrim zgjedhor, abuzim të sistemit të drejtësisë dhe të medias, si edhe sugjerojnë se qeveria ka mbuluar vrasjen e një të riu nga një oficer policie.
Ditën e hënë, Shtetet e Bashkuara gjithashtu i bënë thirrje të dyja palëve që të punojnë më shumë për të gjetur një zgjidhje dhe i bënë thirrje qeverisë të trajtojë të gjitha pretendimet e bëra nga kreu i opozitës.
“U kemi bërë thirrje autoriteteve të bëjnë progres drejt dhënies llogari për akuzat ndaj qeverisë që janë ngritur nga zbulimet e kohëve të fundit. Gjithashtu i kemi bërë thirrje partisë opozitare të rikthehet në parlament, që të marrë pjesë në mbikëqyrjen parlamentare të institucioneve qeveritare maqedonase, përfshirë edhe një komision hetimor për këto zbulime,” tha Jeff Rathke, nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Shtetet e Bashkuara thanë se ishte një hap pozitiv që tre nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të kryeministrit Gruevski, të cilët ishin ndër më të përfshirët në akuza, dhanë dorëheqjen javën e kaluar.
Ata ishin ministrja e jashtme Gordana Jankuloska, ministri i transportit Mile Janakieski dhe kushëriri i Gruevskit, shefi i policisë sekrete, Saso Mijalkov.
Ndërsa përpjekjet për të gjetur një zgjidhje vazhdojnë, dy blloqet opozitare politike organizuan protesta të mëdha, por paqësore, ditën e dielë dhe të hënë në Shkup.
E para, e organizuar nga kundërshtarët e Gruevskit, u zhvillua para ndërtesës së qeverisë. E dyta, e organizuara nga partia VMRO DPMNE e Gruevskit dhe mbështetësit e saj, u zhvillua para parlamentit.
Dy blloqet kanë ngritur tenda në mbështetje të kauzave të tyre përkatëse, vetëm rreth 800 metra larg njëri-tjetrit.