![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Tents-Government-Skopje-by-AP-Boris-grdanoski.jpg)
Teksa partia opozitare zbulon më shumë përgjime në lidhje me zyrtarët qeveritar, lideri i Social Demokratëve, Zoran Zaev, tha se ai pret një zgjidhje për krizën në Maqedoni deri nga fundi i qershorit.
![Udhëheqësi i opozitës në Maqedoni Zoran Zaev. Foto: SDSM](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Zoran-Zaev-1-by-SDSM-4x3-300x180.gif)
Duke folur në skenën përpara zyrave të qeverisë në Shkup, lideri i opozitës Zoran Zaev tha se priste që kriza mbi skandalin e mbikëqyrjeve të paligjshme në Maqedoni të merrte fund shpejt me ndihmën e ndërhyrjes së ndërkombëtarëve.
“Ka shenja të qarta se BE dhe SHBA do të çojnë ndërmjetës për bisedimet mes Zaevit dhe Gruevskit dhe nuk do të lejojnë zgjatjen e krizës deri në fund të verës,” tha Zaev.
Duke përsëritur thirrjen e tij për dorëheqjen e Gruevskit, Zaev tha: “Është herët të thuhet nëse do të ketë zgjedhje, por dikush do të duhet të garantojë se ato zgjedhje do të jenë të drejta dhe demokratike dhe ai dikush nuk është Gruevski. Ne kemi nevojë për një qeveri tranzicionale që të na përgatisë për këtë”.
Pas një pauze dy-javore, opozita të mërkurën vazhdoi publikimin e bisedave të zyrtarëve që kanë diskretituar qeverinë.
Në konferencën e 34 të dedikuar ndaj skandalit të përgjimeve, Zaev prezantoi përgjme të cilat ai tha se zbulonin tendencën e Gruevskit për të shpërfillur ligjet kur ai kishte interesat e tij.
Përgjimet shfaqin zërin e Gruevskit që këshillon ministrin e transportit që ka dhënë dorëheqjen së fundmi, Mile Janakieski, të bënte më shumë përpjekje për të sjellë investitorë të mëdhenj potencialë dhe të mos ndiqte me rreptësi ligjin.
“Duhet të jesh më i orientuar nga marrëveshjet,” shfaqet Gruevski teksa i thotë Janakieskit në një përgjim, duke pranuar se qeveria e tij nuk ka bërë ende një marrëveshje të madhe investimi ose të ketë përfunduar një projekt të madh. “Kam filluar të shqetësohem,” i thotë ai Janakieskit.
Një tjetër përgjim e shfaq Gruevskin teksa i kërkon ministres së brendshme që po ashtu ka dhënë dorëheqjen, Gordana Jankuloskas, të sigurojë zhdukjen e një letre turpëruese nga kreu i Agjencisë së Aviacionit Civil prej arkivit të policisë.
“Mund ta zhdukësh dokumentin origjinal?” e pyet Gruevski ministren. “Origjinali është në sirtarin tim,” përgjigjet Jankuloska, duke shtuar se nëse gazetarët e kërkojnë, ajo do të mohojë ta ketë marrë letrën.
Një tjetër përgjim tregon Jankuloskan dhe kreun e Zyrës së të Ardhurave Publike, Goran Trajkovski, teksa kërkojnë rrugë për të anuluar një gjobë të vënë mbi një biznesmen mik firma e të cilit është kapur teksa ruan tone të naftës së cilësisë së ulët dhe të paligjshme.
Jankuloska dhe Trajkovski shprehen se biznesmeni është një donator i partisë dhe ata duhet të bëjnë disa telefonata për rastin.
Opozita dhe shoqëria civile ka ngritur një kamp proteste në ndërtesën e qeverisë duke kërkuar dorëheqjen e Gruevskit. Kampi u ngrit pas një proteste të opozitës më 17 maj.
Ndërkohë BE-ja ka filluar përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për krizën përmes diskutimeve mes liderëve maqedonas.
Tre parlamentarë europianë, Richard Hoëitt, Eduard Kukan dhe Ivo Vajgl, që po ndërmjetësojnë procesin, të cilëve iu bashkua Komisioneri Europian për Zhvillim, Johannes Hahn, do të arrijnë në Shkup të hënën për të vazhduar bisedimet Zaev dhe Gruevski.