![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Komisioni-Qendror-i-Zgjedhjeve.jpg)
Kryetarja e KQZ, Lefterije Luzi u bëri thirrje numëruesve që të administrojnë me kujdes dhe në përputhje me ligjin kutitë e votimit dhe materialet zgjedhore. Shkodra dhe Vlora, ende pa numërues.
![Gjate nje mbledhjeje te Komisionit Qendror te Zgjedhjeve.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Komisioni-Qendror-i-Zgjedhjeve-300x185.jpg)
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterije Luzi tha se procesi i votimit shkoi përgjithësisht mirë dhe pa probleme. Në një deklaratë për mediat, KQZ theksoi se pjesmarrja mesatare në votimet e së dielës ishte rreth 47 për qind.
“Mbyllja e procesit shkoi mirë dhe sipas orarit, përveç Vlorës dhe Shkodrës, ku pati radhë votuesish pas orës 19:00,” tha Luzi. Ajo shtoi se rreth orës 19:50 janë kryer procedurat për mbylljen e qendrave dhe dorëzimin e kutive dhe materialeve zgjedhore në qendrat e numërimit të votave.
Kryetarja e KQZ shfaqi shqetësim për disa KZAZ në Shkodër e Vlorë, ku sipas saj nuk janë emëruar ende numëruesit e votave. Ndërsa Pusteci, bashkia e pakicës maqedonase ka nisur i pari numërimin e votave.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po monitoron transferimin e kutive të votimit drejt qendrave të numërimit dhe u ka bërë thirrje numëruesve që të tregojnë përgjegjshmëri në menaxhimin e materialeve zgjedhore.
Procesi i votimit për 61 kryebashkiakët e rinj dhe këshillat bashkiakë ka shkuar përgjithësisht qetë dhe pa probleme në pjesën më të madhe të vendit. Megjithatë, Partia Demokratike ka denoncuar parregullsi në disa zona votimi dhe deklaroi se i kishte denoncuar ato tek vëzhguesit ndërkombëtarë.