![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Edi-Rama1.gif)
Kryeministri Edi Rama vlerësoi procesin e votimit si më të mirin e zhvilluar deri më sot, por opozita pretendon se ka dokumentuar manipulimet dhe bën thirrje që rezultati të mos preket.
![Kryeministri Edi Rama duke votuar ne qendren e votimit te fshatit Surrel.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Rama-duke-votuar-251x300.jpg)
Kryeministri Edi Rama i cilësoi zgjedhjet si “më të mirat, më të lirat e të ndershmet deri më sot” dhe falenderoi të gjithë qytetarët shqiptarë që u bënë pjesë e procesit të votimit. Në një deklaratë të botuar në rrjetin social Facebook, Rama e vuri theksin tek përmbushja e standardeve dhe ndryshimi që këto zgjedhje sjellin, për shkak të ndarjes së re territoriale.
“Sot u votua reforma e madhe e riorganizimit administrativ. U vulos vendimi historik për të barazuar përfaqësimin e grave me burrat në kuvendet e reja vendore të Shqipërisë,” tha Rama.
Deklarata e kryeministrit Edi Rama erdhi pas mbylljes se procesit të votimit në të gjithë vendin. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhje morën pjesë 45 për qind e votuesve në rang vendi.
Ndryshe nga deklarata e Ramës, Partia Demokratike tha se kishte evidentuar përpjekje për të manipuluar procesin gjatë gjithë ditës së dielë. Edi Paloka, kryetar i grupit parlamentar të PD-së tha se pavarësisht këtyre situatave, të dhënat flasin për një fitore të kandidatëve të djathtë.
Paloka denoncoi parregullsi në transportimin e materialeve zgjedhore në Shkodër dhe Krujë si dhe përpjekje për të votuar me karta identiteti false.
“Kemi raporte të plota për këto tentativa, ua kemi dorëzuar ndërkombëtarëve dhe sigurojmë se përgjegjësit do të ndëshkohen,” shtoi ai.
Paloka u shpreh megjithatë optimist për rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe paralajmëroi mazhorancën që të mos bëjë asnjë lëvizje për të prekur rezultatin.