![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Glover-Luzi.gif)
Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë vlerëson pozitivisht fushatën elektorale dhe ditën e votimit, por thekson se mungesa e vullnetit politik dhe politizimi i institucioneve minuan sërish procesin.
![Audrey Glover dhe kryetarja e KQZ, Lefterie Luzi gjate nje konference shtypi. Credits by: LSA / MALTON DIBRA](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Glover-Luzi-300x180.gif)
Credits by: LSA / MALTON DIBRA
Misioni ndërkombëtar i OSBE/ODHIR vlerëson me nota pozitive ditën e zgjedhjeve, por thekson se “mungesa e vullnetit politik dhe politizimi i institucioneve shtetërore vazhdoi të minonte procesin zgjedhor”.
Raporti paraprak i vëzhguesve të huaj u prezantua nga shefja e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë, Audrey Glover dhe i dërguari i Këshillit të Europës, Stewart Dickson. Zgjedhjet e 21 qershorit konsiderohen një provë e rëndësishme për reformën territoriale dhe një test për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.
Sipas ambasadores Glover, fushata elektorale ishte e qetë dhe përgjithësisht u respektuan liritë e shprehjes dhe të tubimit. Dita e votimit mori gjithashtu vlerësim pozitiv nga misioni i OSBE/ODHIR, sikurse edhe faza fillestare e numërimit të votave.
Megjithatë, vëzhguesit ndërkombëtarë kanë hasur parregullsi dhe shkelje proceduriale në zona të ndryshme të vendit. Më e dukshmja ndër to ishte prania e aktivistëve politikë pranë qendrave të votimit.
“U vëzhguan edhe shumë raste të votimit në grup dhe disa parregullsi të rëndësishme proceduriale,” tha Glover.
Roli i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve analizohet gjithashtu me dritë-hije në raportin paraprak të misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë. Ndërsa vlerëson seancat publike të këtij institucioni, raporti e vë theksin tek politizimi i KQZ-së dhe vendimet e paqëndrueshme të tij.
“Diskutimet e politizuara të KQZ sollën vendime të paqëndrueshme, të cilët dëmtuan besimin e publikut në pavarësinë e administrimit zgjedhor,” tha ambasadorja Glover.
“KQZ duhet të siguronte më mirë drejtimin dhe mbikqyrjen e fazave të procesit zgjedhor,” shtoi ajo.
Raporti paraprak i OSBE/ODHIR evidentoi gjithashtu se gjatë fushatës elektorale pati akuza të ndërsjellta për presion mbi zgjedhësit si dhe raste të përdorimit të fondeve shtetërore për fushatë.
Shpërndarja e certifikatave të legalizimeve, sipas raportit ishte një prej rasteve që mjegulloi ndarjen mes shtetit dhe partisë. Presionet mbi nëpunësit publikë konsiderohen gjithashtu një fenomen që vazhdoi edhe në këto zgjedhje.
Roli i medias në mbulimin e fushatës elektorale mori vëmendje në raportin paraprak të vëzhguesve të huaj. Sipas ambasadores Glover, disa pronarë mediash kanë lidhje me partitë kryesore në vend, ndërsa videot e fushatës elektorale u prodhuan sërish nga stafet e partive.
Shefja e misionit të vëzhguesve të huaj, Audrey Glover refuzoi të krahasonte zgjedhjet e 21 qershorit me ato të mbajtura në vitin 2013. “Ne nuk bëjmë krahasime nga njëri proces në tjetrin. Kjo gjë mund të bëhet e mundur pas publikimit të raportit përfundimtar,” tha ajo.
Përfaqësuesi i Këshillit të Europës, Stewart Dickson tha gjatë konferencës për shtyp se misioni që ai drejton është në dakordësi të plotë me gjetjet e OSBE/ODHIR.
“Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm dhe ka ecur përpara në administrimin e zgjedhjeve, megjithatë ka ende shumë punë për të bërë,” tha ai.
Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR numëron procesin e 12 zgjedhor të monitoruar në Shqipëri. Raporti përfundimtar për zgjedhjet e 21 qershorit do të prezantohet pas 2 muajsh dhe do të miratohet 20-22 tetor 2015.