Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka përgëzuar qytetarët shqiptarë për votimin pa incidente dhe u ka bërë thirrje institucioneve që të certifikojnë sa më shpejt rezultatet.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë përgëzon qytetarët shqiptarë për ushtrimin paqësisht të së drejtës për të votuar dhe u kërkon institucioneve që të sigurojnë një certifikim të shpejtë dhe tërësor të rezultateve.
Deklarata e ambasadës së SHBA në Tiranë erdhi pas publikimit të raportit paraprak të OSBE/ODHIR, ku kishte vlerësime, por edhe kritika për zgjedhjet e 21 qershorit.
“Votimi ditën e zgjedhjeve nuk pati incidente madhore apo akte dhune,” thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane. Megjithatë, zyrtarët amerikanë i kanë bërë jehonë gjetjeve paraprake të OSBE/ODHIR dhe shqetësimeve të tyre.
“Ndajmë shqetësimet e tyre për blerjen e votave, pretendimet për presione mbi votuesit, institucionet e politizuara zgjedhore dhe parregullsi të tjera. Nxisim qeverinë dhe partitë politike të punojnë për t’i trajtuar këto gjetje dhe rekomandimet e tjera të ODIHR,” thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA.