![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Polici-i-Reneas.jpg)
Një vit pas operacionit masiv, në Lazarat është rikthyer konflikti mes banorëve dhe Policisë së Shtetit. Operacioni për arrestimin e një grupi të armatosur shkaktoi vrasjen e një polici dhe plagosjen e dy të tjerëve.
![Njeri prej efektiveve te plagosur te RENEA-s, duke u transportuar ne Spitalin Ushtarak. Foto:LSA](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Polici-i-Reneas-300x186.jpg)
Një efektiv i forcave speciale të RENEA-s ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur gjatë një përplasjeje mes një grupi të armatosur dhe policisë në fshatin e Lazaratit. Tensioni në fshatin rebel të Jugut është rikthyer gjatë orëve të natës, kur një grup personash ende të paidentikuar kanë hapur zjarr ndaj një shërbimi të policisë, të instaluar në fshat.
Policia e Shtetit bëri me dije se efektivi i vrarë mëngjesin e së mërkurës quhet Ibrahim Basha, pjesë e forcave speciale të RENEA-s. Dy efektivët e plagosur janë Perlat Hamitaj dhe Jetmir Isaj, të cilët gjenden në spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën.
Forcat speciale të RENEA-s, së bashku me policinë lokale dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë nisën mëngjesin e së mërkurës një operacion për arrestimin e një grupi të armatosur, të cilët ishin përplasur me policinë lokale dhe kishin qëlluar me armë përgjatë gjithë natës.
“Në momentin që policia bllokoi makinën e autorëve të dyshuar e të armatosur, mbi efektivat është qëlluar nga një banesë aty pranë,” thuhet në deklaratën e policisë. Në këtë moment, efektivi i RENEA-s ka mbetur i plagosur, së bashku me dy kolegët e tij. Megjithëse është dërguar në spital, Ibrahim Basha nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.
Fshati i Lazaratit në Gjirokastër ka një armiqësi të gjatë me Policinë e Shtetit, për shkak se zona ka qenë vendburimi kryesor i kultivimit të hashashit gjatë dekadës së fundit. Gjatë verës së vitit 2014, Policia e Shtetit organizoi një operacion masiv për shkatërrimin e plantacioneve nën plumbat e vazhdueshëm të banorëve, duke marrë vlerësime brenda dhe jashtë vendit.
Gjatë vitit të fundit, Lazarati ka qenë nën monitorimin e vazhdueshëm të policisë edhe pse tensionet nuk kanë munguar. Por ngjarja e djeshme, ku një oficer policie humbi jetën ka tronditur drejtuesit më të lartë të shtetit.
Kryeministri Edi Rama tha pas një vizite që u bëri dy efektivëve të plagosur se “kjo është një ditë zie për të gjithë punonjësit e policisë së shtetit”. Ai shprehu mbështetjen e tij për operacionin e policisë, duke thënë se “forca e ligjit do të sundojë mbi grupin e vrasësve”.
Efektivët e plagosur janë vizituar edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ai ka ngushëlluar familjarët e viktimës dhe ka kërkuar një analizë të gjithanshme për operacionin e policisë.