![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/gjykata-speciale-kosove.jpg)
Një votim për të ndryshuar kushtetutën për të lejuar krijimin e një gjykate të re speciale polemike për gjykimin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka dështuar sepse nuk votuan pro mjaftueshëm deputetë.
![Protestat jashte parlamentit per gjykaten speciale. Foto: BIRN](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/gjykata-speciale-kosove-300x225.jpg)
Votimi i stërvonuar për ndryshimet në kushtetutë për të krijuar një gjykatë të re që do gjykojë krimet e luftës kryer gjatë konfliktit të 1998-99 nuk ia doli të premten të merrte mjaftueshëm vota për të kaluar në kuvend.
Pas një debati të zjarrtë, vetëm 75 deputetë votuan për ndryshimet – gjashtë më pak se numri i kërkuar për të aprovuar legjislacionin. Shtatë votuan kundër dhe dy abstenuan por pjesa tjetër e deputetëve të parlamentit me 120 vende refuzuan të marrin pjesë në procesin e votimit.
Propozimet për krijimin e një gjykate të mbështetur nga BE-ja kanë qenë shumë polemike në Kosovë.
Lidhjet e veteranëve dhe partitë opozitare kanë pretenduar se kjo është një fyerje për luftën e armatosur të UÇK për t’u çliruar nga kontrolli serb në konfliktin e 1998-99 dhe disa protestuan jashtë parlamentit gjatë seancës së të premtes.
Në fillim të seancës, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa u tha deputetëve se gjykata do të gjykojë individë dhe jo luftën e UÇK-së.
“Ju ftoj të gjithë të votoni për amendamentin e propozuar,” kërkoi Mustafa.
Ministri i Jashtëm Hashim Thaçi tha gjithashtu në parlament se krijimi i gjykatës speciale ishte në interes të Kosovës.
“Ne do të vërtetojmë se nuk kemi asgjë për të fshehur dhe ruajmë aleancë historike dhe strategjike me partnerët tanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe NATO-n. Duhet ta ngremë këtë institucion të pavarur dhe ndërkombëtar,” tha Thaçi.
Por Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosja e opozitës tha se gjykata ishte një fyerje për luftën e UÇK-së.
“Një gjykatë që gjykon Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, unë nuk do të votoja për të, edhe po ta dija se kjo do të shkaktonte fundin e botës,” tha Konjufca.
Ramush Haradinaj, lideri i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se drejtësia po imponohej në mënyrë selektive për shkak se Beogradi po detyrohej të ngrinte një gjykatë të ngjashme.
“Kjo nuk po ndodh me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë. Kjo nuk po ndodh në Serbi. Kjo nuk po i ndodh të gjithë të tjerëve që kanë qenë palë në luftë,” tha Haradinaj.
Krijimi i të ashtuquajturave Dhoma të Specializiuara, shpesh të referuara si ‘gjykatë speciale’, për herë të parë u bë publik në një shkëmbim letrash midis presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga dhe shefit të politikës së jashtme të BE-së vitin e kaluar.
Publiku i Kosovës dhe pjesa më e madhe e partive politike mendojnë se ajo është imponuar nga aleatët perëndimorë të Prishtinës.
Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar gjithashtu se s’do të vazhdojnë të kundërshtojnë përpjekjet e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të ngritur gjykatën e Kosovës, nëse nuk ngrihet gjykata e re.
Partitë opozitare kanë fajësuar gjithashtu partitë qeverisëse se ia janë përulur presionit ndërkombëtar dhe se po veprojnë kundër interesave të Kosovës.
Mandati për gjykatën rrjedh nga një raport i publikuar në fillim të vitit 2011 nga raportuesi i Këshillit të Europës Dick Marty, i cili deklaroi se krimet kundër civilëve si për shembull rrëmbim, torturim dhe trafikim organesh janë kryer nga anëtarët e UÇK-së gjatë konfliktit.
Raporti implikon ish-kreun politik të UÇK-së dhe ish-kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tani është ministër i jashtëm. Thaçi i mohon kategorikisht akuzat.