![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/maqedoni-zaev-gruevski.jpg)
Takimi i ardhshëm i liderëve maqedonas për zgjidhjen e krizës politike është ende i pavendosur, ndërsa kryeministri bën lojëra politike.
![Liderët maqedonas në një takim të mëparshëm me komisionerin europian për zgjerim Johannes Hahn.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/maqedoni-zaev-gruevski-300x225.jpg)
Kryeministri Nikola Gruevski të martën tha se kushtet nuk janë pjekur ende për një raund të ri bisedimesh për krizën në Maqedoni.
Opozita u përgjigj se ai nuk ishte në pozitë për të komanduar dinamikën e bisedimeve të ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët.
Një takim i ri do të mbahet “kur të jenë kushtet për të”, tha Gruevski në media, duke shtuar se, për momentin ky nuk është rasti.
“Ndërhyrja e Gruevskit për të penguar procesin është e dukshme,” u përgjigj për shtypin partia e Social Demokratëve duke shtuar se Gruevski duhej të binte dakord për një takim deri të mërkurën ose partia do të ndryshojë taktikat.
Opozita ka kërcënuar prej kohësh se do të marrë një drejtim radikal dhe se do të ndryshojë strategjinë e protestave në formë kampi me trazira civile dhe okupim të institucioneve shtetërore.
Qeveria e Maqedonisë dhe partitë opozitare fillimisht ranë dakord të gjejnë një zgjidhje për krizën deri në 29 qershor. Ato do të binin dakord për detajet e një qeveria tranzicionale që do të ndihmojë tranzicionin e vendit për zgjedhjet e parakohshme të cilat do mbahen prillin e ardhshëm.
Më e rëndësishmja, ato do të binin dakord nëse Gruevski do të japë dorëheqjen përpara zgjedhjeve.
Megjithatë, pavarësisht shpresave për takime të premten e javës që kaloi dhe këtë të hënë, nuk u mbajtën takime të tjera.
Raportet thonë se oferta e fundit e opozitës në bisedime përfshiu dorëheqjen e kryeministrit pesë muaj përpara zgjedhjeve dhe të drejtën për të drejtuar disa ministri kyçe, përfshirë atë të brendshme, komisionin anti-korrupsion dhe televizionin shtetëror.
Gruevski ka mohuar presionet duke u shprehur se mes palëve ka komunikim dhe negociata.
Kriza në Maqedoni rrotullohet rreth pretendimeve për mbikëqyrje të paligjshme të 20,000 shtetasve të cilën opozita pretendon se e ka urdhëruar kryeministri.
Një tjetër faktor problematik është mundësia e arrestimit të liderit të opozitës, Zoran Zaev. Ai akuzohet se është përpjekur të shantazhojë kryeministrin.
Javën e shkuar, kryeopozitari i sfidoi gjykatat duke thënë se nuk do të respektojë më vendimet e tyre për akuzat që i janë ngritur prej motivimit politik.
Media ndërkohë ka përmendur vizitën e datës 13 korrik nga Ndihmës Sekretares Amerikane të Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Victoria Nuland si shansin e fundit për arritjen e një marrëveshje mes liderëve politikë.