Policia e Kosovës ka arrestuar Sulajman Osmanin, i dyshuar për përfshirje në përleshjen me armë në Kumanovë të Maqedonisë në maj dhe i kërkuar nga autoritetet maqedonase.
Policia e Kosovës arrestoi Sulejman Osmanin, i njohur si “Komandat Sula” të martën, për llogari të një urdhërarresti të lëshuar nga policia maqedonase.
Osmani dyshohet se ka marrë pjesë në një përleshje të armatosur në maj kundër policisë speciale maqedonase në një periferi të populluar të qytetit të Komanovës.
Luftimet e ashpra vranë tetë oficerët maqedonas dhe dhjetë nga të armatosurit, ndërsa 35 policë u plagosën.
“Dje, policia e Kosovës arrestoi një person të dyshuar S.O, që mendohet se është përfshirë në rastin e Kumanovës,” tha zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani.
I dyshuari u arrestua në fshatin Letnicë pranë Vitit, në Kosovën lindore. “Ne kemi zbuluar dhe konfiskuar një pistoletë TT dhe disa municione,” shtoi Kelani.
Osmani fillimisht u arrestua nga policia maqedonase pas të shtënave por ia doli të arratisej disa ditë më vonë, kur policia e çoi në terrenin malor pranë kufirit me Kosovën ku ai do të zbulonte armët e fshehura.
Autoritetet maqedonase thanë se shpresonin që osmani do të ekstradohej së shpejti në Maqedoni.
Luftimet e ashpra ndodhën në lagjen Divo Naselje në Kumanovë pasi policia mësyu qytetin në një mision që pretendonte të parandalonte një sulm terrorist.
Pjesa e qytetit ku ndodhën luftime u shkatërrua dhe banorët mbetën të paqartë për arsyet e sulmit dhe mësymjes së policisë.
Policia maqedonase tha se hyri në Kumanovë për të kapur disa terroristë që më parë sulmuan një postobllok policie në kufirin me Kosovën. Një grup anonim në internet pretendon përgjegjësinë për të dyja sulmet.
Sulmi në Kumanovë erdhi në një kohë të tensionuar politike në Maqedoni, kur liderët e opozitës organizuan protesta ku kërkonin fundin e qeverisjes së kryeministrit Nikola Gruevski.
Përgjimet e publikuara nga opozita më herët këtë vit zbuluan një rrjet korrupsioni, ryshfeti dhe manipulimi.
Lideri i Social Demokratëve në opozitë, Zoran Zaev shfaqi shqetësime se qeveria po e përdorte Kumanovën për të shpërqendruar publikun.
Ndërkohë, partia në koalicionin qeverisës në Maqedoni, BDI, vazhdon të kërkojë një hetim ndërkombëtar për rastin në fjalë në kërkim të motiveve dhe detajeve.
Muajin e shkuar, ministri i jashtëm gjerman dhe kryeministri shqiptar kërkuan për një hetim ndërkombëtar të pavarur, por prokurori publik maqedonas tha se vendi ka vetë mundësitë për të kryer një investigim të pavarur.
Ministri i brendshëm e pohoi këtë gjë.