![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/johannes-hahn.jpg)
Bisedimet për zgjidhjen e krizës mes liderëve maqedonas janë në një fazë kritike dhe nuk ka kohë për të humbur, u shpreh Komisioneri Hahn përpara vizitës së tij në javën e ardhshme.
![Hahn me liderët maqedonas. | Photo by ec.europa.eu](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/maqedoni-zaev-hahn-gruevski-300x225.jpg)
Komisioneri Hahn pritet të mbërrijë në një mision shpëtimi në Maqedoni në fillim të javës tjetër, ka lajmëruar zyra e tij.
Vizita vjen pasi lideri i opozitës Zoran Zaev tha të mërkurën se bisedimet për krizën me qeverinë kishin dështuar dhe se marrëveshja e zgjedhjeve të parakohshme ishte në ujëra të vdekur.
Zyra e Hahn tha për agjencinë e lajmeve Meta se BE-ja pret që liderët maqedonas të veprojnë me përgjegjësi dhe konstruktivisht dhe të shfaqin më shumë vullnet për të kaluar krizën me të cilën vendi i tyre po përballet.
Vizita e Hahn rastis me vizitën e lajmëruar nga Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, Victoria Nuland, që shihet si një tjetër shans për të bindur liderët e vendit për të arritur një marrëveshje.
Nuland do të mbërrijë të hënë më 13 korrik për bisedime me kryeministrin Nikola Gruevski, si dhe me liderin e opozitës Zaev.
Pasi Gruevski shmangu bisedime të reja për disa ditë, Zaev lajmëroi të mërkurën se opozita tanimë e konsideron marrëveshjen paraprake të 2 qershorit të anuluar. Kjo marrëveshje u arrit me ndërhyrjen e Hahn.
Opozita ka kërcënuar prej kohësh se do të marrë një drejtim radikal dhe se do të ndryshojë strategjinë e protestave në formë kampi me trazira civile dhe okupim të institucioneve shtetërore.
Kriza në Maqedoni rrotullohet rreth pretendimeve për mbikëqyrje të paligjshme të 20,000 shtetasve të cilën opozita pretendon se e ka urdhëruar kryeministri.