![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Protesta-Athine.gif)
Një grup protestuesish anarkistë u përleshën me policinë në Athinë mbrëmjen e të mërkurës ndërkohë që parlamenti i vendit është mbërthyer në ankthin e votimit të marrëveshjes së shumëdebatuar me kreditorët e vendit.
![Oficerë të policisë greke vrapojnë ndërkohë që protestuesit hedhin bomba me naftë gjatë përleshjeve në Athinë më 15 korrik 2015. (AP Photo/Emilio Morenatti)](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Protesta-Athine-300x180.gif)
Kryeministri Alexis Tsipras po përballet me orën e tij më të vështirë sonte kur ka nevojë të marrë mbështetjen e parlamentit për paketën e marrëveshjes me kreditorët e vendit të arritur të hënën në mëngjes.
Marrëveshja, e cila parashikon rritje të mëtejshme taksash dhe shkurtim shpenzimesh, si dhe një mbikëqyrje ndërkombëtare të financave të Greqisë, do të duhet të miratohet nga parlamenti i Greqisë para se të miratohet nga së paku disa nga parlamentet e vendeve anëtare të Eurozonës.
Tsipras është përballur me kryengritje nga deputetët radikalë të partisë së tij dhe aktualisht ka nevojë të kufizojë numrin e të rebeluarve për të miratuar marrëveshjen, për të cilën thotë se është e keqe dhe e pashmangshme.
Jashtë parlamentit, turma të mëdha protestuesish u mblodhën për të kërkuar rrëzimin e propozimeve të kreditorëve. Protesta përshkallëzoi në dhunë me përleshje mes protestuesve anarkistë dhe policisë, siç duket në këtë video të Guardian.
![Protestuesit hedhin shishe me naftë ndaj policisë në përleshjet në Athinë mbrëmjen e 15 korrikut 2015. Protesta po zhvillohet ndërkohë që kryeministri Alexis Tsipras është duke luftuar për të ruajtur unitetin brenda rradhëve të partisë së vet. (AP Photo/Emilio Morenatti)](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Protesta-Athine2-600x360.gif)
![Ministri i Financave i Greqisë Euclid Tsakalotos po lexon shënimet e veta gjatë mbledhjes maratonë të parlamentit të vendit në të cilën duhet të miratohen kushtet e kreditorëve për më shumë kursime dhe rritje taksash si dhe për privatizimin e aseteve shtetërore dhe mbikëqyrjen ndërkombëtare të financave të vendit. (AP Photo/Thanassis Stavrakis)](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Euclid-Tsakalotos-600x360.gif)