Të inkriminuarit e Parlamentit Shqiptarë si qeni Korbu i Çausheskut!
Lideri i liberalëve britanik Dejvid Stil i beri dhuratë Çausheskut dikur një qen të racës Labrador – Çausheskut i pëlqeu dhe u dashurua aq shumë me qenin saqë i vuri emrin KORBU. Nga dashuria që kishte lideri për Korbunë, rumunët filluan t’i thërrasin “shoku Korbu”. Shumë shpejt Korbu u bë “V.I.P”, dhe shihej t’i bënin xhiro nëpër Bukuresht me Limuzinë dhe eskortë shoqërimi. Korbu flinte natën me liderin dhe ditën kishte vilën e tij “Vila 12A” si rezidencë, Brenda së cilës kishte të gjitha kushtet maksimale të luksit, deri edhe televizion e telefon. Ushqimi, Korbusë i vinte nga Londra me çantë diplomatike. Shumë shpejt Korbu mori gradën Kolonel në ushtri ( deputet në rastin tonë).
Ç’faj kishte Korbu se e donte “LIDERI”?! Korbu në rastin e parlamentit shqiptarë sërish nuk ka asnjë faj, sistemi ynë zgjedhor është përplotësim i dëshirave të liderëve politikë, Ata nuk kanë hyrë vetë dhe nga dëshira e tyre në parlament, janë aty nga dashuria dhe dëshira që kanë liderët për ta. Me këtë ligj zgjedhorë dhe “diktaturën” e brendshme partiake, ku gjithçka vendoset sipas dëshirës dhe interesit të kryetarit, nuk është habi sikur dëshirat e këtyre kryetarëve të jenë ndonjë ditë si ajo e Kaligulës, i cili bëri Kalin Senator. Kemi rënë aq poshtë si komb, sa u duhet ndërkombëtarëve të na “reshtin me shkop në dorë” dhe sërish rezultati është zero. Në parlamentin tonë nuk janë më të fajshmit Ata që kanë ardhur nga bota e dyshimtë e “krimit”, aty ka edhe shumë njerëz me integritet të lartë moral e intelektual – po pse nuk flasin këta (sigurisht ka edhe që flasin dhe artikulojnë fort kundër këtyre fenomeneve), por janë shumë pak, dhe fakti që ska rezultate konkrete e vërteton këtë. Ka deputetë ndershëm, por që nuk flasin, ndoshta duan të dalin në pension si senatorë/ deputetë, ka ndoshta të tjerë që janë kompromentuar dhe janë bërë biznesmenë falë politikës…
E çfarë t’i thuash Kaligulës për “senatorin” e tij kur na ka lënë një mësim kaq të madh edhe për kohët që jetojmë. Jo, kjo nuk është një histori të pafajshmish që duhet të na rijnë ndërkombëtarët me “shkop” tek koka, edhe kaq sa bëjnë është shumë.
As Korbu, as senatori i Kaligulës nuk janë ngjarje qesharake, të tilla ka dëshirë politika t’ia mësojë popullit. Po populli që i votoi a nuk është fajtor?! As populli nuk ka faj, të paktën për përbërjen e Parlamentit që kemi sot, sepse populli votoi Partinë. Nuk mund të ketë faj populli që lideri i partisë i vendos “korbut” në krye të listës, që të dalin me patjetër deputetë.
Po, edhe populli nuk është krejt i pafajshëm për këtë situatë, rasti i kandidatëve për Kryetar Bashkie, edhe pse, Rrjeti Ballkanin i Gazetarisë Investigative “BIRN” dhe ndërkombëtarët folën me emra dhe mbiemra, populli u dha mbi 60% të votave këtyre. Për “Korbutë” që kemi në parlament fajin na e kanë liderët e Partive, ndërsa për “Korbutë” që kemi në krye të bashkive, fajin e kemi të bashkëndarë, lider Partie – Popull.