![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Kosovo-Parliament-3.png)
Ligjvënësit mbështetën ndryshimet kushtetuese për të ngritur gjykatën e re të krimeve që do gjykojë ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pavarësisht rezistencës së fortë nga politikanët e opozitës dhe ish-luftëtarët.
![Parlamenti i Kosovës.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Kosovo-Parliament-3-300x225.png)
Deputetët votuan 82 me 5, të hënën në favor të ndryshimeve kushtetuese që do të lejojnë krijimin e një gjykate të re të krimeve të luftës, nën presion të madh nga amerikanët dhe zyrtarët e BE-së që mbështesin Kosovën, pasi një votim i mëparshëm në parlament dështoi muajin e shkuar.
Kryeministri Isa Mustafa i tha parlamentit përpara votimit se Kosova duhet ta krijojë gjykatën speciale për të përmbushur detyrimet ndaj partnerëve perëndimorë dhe për shkak se gjykatat vendase nuk ia kanë dalë të japin drejtësi.
“Fatkeqësisht, dështimi i sundimit të ligjit, në shumë raste, ka ndikuar në humbjen e besimit nga komuniteti ndërkombëtar se ne mund të zhvillojmë këtë proces në vendin tonë,” tha Mustafa.
Zëvendës kryeministri dhe ministri i jashtëm Hashim Thaçi tha se nuk do ishte vendim i lehtë, por se ishte i nevojshëm.
“Ky ndryshim nuk duhet të jetë një pengesë që do i kushtojë shumë vendit tonë, por në vend të kësaj, do ndihmojë integrimin tonë euro-Atlantik,” tha Thaçi.
Gjykata ka provokuar zemërim në Kosovë, ku lidhja e veteranëve dhe partitë opozitare pretendojnë se do jetë një ofendim për luftën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj kontrollit serb gjatë konfliktit të 1998-99.
Gjatë atij që u bë një debat që zgjati një ditë, deputeti Valdet Bajrami nga Nisma për Kosovën, parti opozitare, tha se ajo do t’i vinte viktimat në gjyq dhe jo agresorin, Serbinë.
“Po ngrini dorën sot për të votuar një gjykatë që do të gjykojë çlirimtarët që sollën lirinë,” i tha Bajrami ligjbërësve.
Deputeti Glauk Konjufca nga Vetëvendosje, parti opozitare tha se gjykata do të ishte në thelb e njëanshme.
“Ne jemi plotësisht të bindur se historia tregon se Serbia ishte okupatorja, por këtu po gjykohen çlirimtarët. Askund në botë gjykata nuk merret vetëm me njërën palë,” tha Konjufca.
Të ashtuquajturit “dhoma të specializuara” do të krijohen për të gjykuar pretendimet se luftëtarët e UÇK ishin të përfshirë në vrasje, rrëmbime, izolime të paligjshme dhe persekutim të serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës të cilët besonin se ishin bashkëpunëtorë me regjimin serb.
Pretendimet u shfaqën fillimisht në vitin 2011 në një raport të Dik Martit nga Këshilli i Europës, i cili pretendoi se krime kundër civilëve si rrëmbimi, tortura dhe marrja e organeve ishin kryer nga anëtarë të UÇK gjatë konfliktit.
Raporti implikonte ministrin aktual të jashtëm Thaçi, ish-kreu politik i UÇK. Ai i ka mohuar akuzat kundër tij.
Diplomatët amerikanë kanë paralajmëruar se dështimi i votimit të gjykatës speciale do të çojë në themelimin e saj nga Këshilli i Sigurimit të OKB – siç ka propozuar aleati i Serbisë, Rusia.