![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Civil-Society-forum.jpg)
Grupet e sektorit civil nga gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor i nxitën liderët politikë të sigurojnë lirinë e fjalës dhe pavarësinë e medias, duke kërkuar më tepër përfshirje në procesin e integrimit të vendeve të tyre në BE.
Teksa liderët nga Ballkani Perëndimor dhe BE-ja u mblodhën në Vjenë për takimin e dytë të Procesit të Berlinit, rreth 200 aktivistë të shoqërisë civile dhe anëtarë të think-tankeve dhe medias diskutuan propozimet dhe shqetësimet e tyre për rajonin.
Në rekomandimet e përbashkëta prezantuar nga Drejtoresha e BIRN në Maqedoni dhe menaxherja e redaktorëve të Balkan Insight, Ana Petruseva, të enjten, aktivistët nxitën shtetet e Ballkanit Perëndimor të vazhdojnë procesin e tyre të modernizimit si në shtetet e tyre dhe në rajonin e gjerë.
Rekomandimet u prezantuan te liderët e Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarët e BE-së dhe përbëheshin zakonisht nga tre çështje kryesore – bashkëpunimi rajonal, liria e fjalës dhe krijimi i vendeve të punës dhe mirëqenia.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile shprehën shqetësimet e tyre dhe paraqitën kërkesa konkrete, duke thënë se përfshirja më e madhe e shoqërisë civile do të ndihmonte në nxitjen përpara të integrimit në BE dhe të reformave.
“Qeveritë e Ballkanit Perëndimor duhet të pranojnë sektorin e shoqërisë civile si një partner të barabartë në procesin e integrimit në BE dhe të zotohen ndaj financimit të iniciativave të shoqërisë civile dhe rrjeteve që paraqitën rezultatet,” shkruhej në rekomandime.
Aktorët e shoqërisë civile thonë se mund të kontribuojnë drejt politikave dhe strategjive për plotësimin e bashkëpunimit rajonal në zonën e zhvillimit social dhe ndihmës për përmirësimin e mjedisit institucional dhe ligjor për shoqërinë civile në rajon.
Rekomandimet thoshin gjithashtu se përmirësimi i mirëkuptimit të përbashkët, eksplorimi dhe diskutimi i episodeve të vështira në historinë e përbashkët mbeten aspekte të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal në të cilin shoqëria civile duhet të luajë një rol aktiv.
Rekomandimet theksojnë rolin dhe potencialin e shoqërisë civile për integrimin në BE, bashkëpunimin rajonal dhe projektet në energji dhe infrastrukturë.
Rekomandimet gjithashtu nxisin liderët e Ballkanit të sigurojnë lirinë e fjalës, pavarësinë e medias dhe mbrojtje më të madhe ligjore dhe kushte më të mira pune për gazetarët.
“Mbrojtja ligjore e gazetarëve duhet rritur, po ashtu edhe kushtet e tyre të punës. Pronarët e medias duhet të respketojnë ligjet ekzistuese të punësimit dhe kushteve të punës,” shkruan dokumenti, duke shtuar se media duhet të jetë e pavarur dhe se nevojiten organe rregullatorë të lira nga influenca qeveritare.
Në çështjen e tretë – krijimi i vendeve të punës dhe tregu i punës, aktivistët e shoqërisë civile i nxitën qeveritë në rajon të përqendrohen në rifillim të prodhimit, modernizimit dhe mbështetjes së sektorit bujqësor dhe përmirësimin e mbrojtjes së konsumatorit.
Forumi i Shoqërisë Civile për Samitin e Ballkanit Perëndimor në Vjenë 2015 është një iniciativë e përbashkët e Fondacionit ERSTE, Friedrich-Ebert-Stiftung, dhe Institutit Karl Renner, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë Austriake për Europën, Integrimin dhe Çështjet me Jashtë.