![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Merkel-with-Regional-Balkan-Leaders-Photo-by-BetaHina.jpg)
Shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet shtojnë përpjekjet për të zgjidhur mosmarrëveshjet bilaterale me ndihmën e BE-së, thanë grupet e shoqërisë civile të enjten në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Vjenë.
![Ministrat në konferencën e vjetshme. Foto: AP.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Merkel-with-Regional-Balkan-Leaders-Photo-by-BetaHina.jpg)
Grupet e shoqërisë civile në samitin e Ballkanit në Vjenë kanë dhënë disa rekomandime të caktuara për qeveritë mbi mënyrën si të zgjidhin mosmarrëveshjet bilaterale dhe të përshpejtojnë integrimin në BE.
Grupi i rekomandimeve u prezantua në samit nga Fondi Europian për Ballkanin, EFB, dhe Grupi i Këshillimit të Politikave Ballkani në Europë, BiEPAG.
Të përmbledhura në titullin “Largimi i pengesave në pranimin në BE: mosmarrëveshjet bilaterale në Ballkanin Perëndimor”, rekomandimet thonë se vendet nga rajoni duhet ta bëjnë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe një prioritet duke nënshkruar një deklaratë për të mos përdorur çëshje të tilla për të bllokuar negociatat e pranimit të shteteve të tjera dhe duke i bërë marrëdhëniet e tyre subjekt të analizave vjetore.
Dokumenti për politikat parashikon një procedurë të re ndërhyrjeje kur bisedimet bilaterale nuk sjellin dobi dhe instalimin e një kornize pune mes shteteve për të mësuar nga praktikat më të mira në rajon.
Gjithashtu nxitet që BE-ja ta shtojë përfshirjen në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në rajon duke caktuar një koordinator special të BE për këtë çështje.
Kjo, sipas dokumentit të politikës, do të tregojë zotimin e BE-së për të zgjidhur këto probleme dhe për të siguruar një parashikim koherent në proceset e ardhshme.
Një këshillë tjetër për BE-në është që të gjurmojë që në fillim mosmarrëveshjet përpara se ato të kthehen në pengesa për procesin e anëtarësimit në BE dhe të përdoren si kushte për të detyruar një kompromis.
Kur mosmarrëveshjet përfshijnë shtete anëtare në BE, si problemi Greqi-Maqedoni për emrin, grupet e shoqërisë civile rekomndojnë zgjidhjen e tyre përmes Presidencës së Këshillit Europian ose përmes arbitrimit ndërkombëtar.
Në vend që të mbështeten vetëm te perspektiva e BE-së si mjet për të zgjidhur haptazi problemet, eksperienca në rajon tregon se mosmarrëveshjet bilaterale kanë treguar se fillojnë edhe kur një vend anëtarësohet në Bashkimin Europian dhe përdor fuqinë e re për të ushtruar presion mbi një kandidat që po anëtarësohet, thotë dokumenti.
Një rekomandim tjetër është përfshirja e aktorëve të tjerë ndërkombëtar si OSBE, Këshilli i Europës dhe shoqëria civile që përpjekjet për zgjidhjet e mosmarrëveshjeve të jenë më koherente dhe zbatimi i tyre të përmirësohet.
Samiti i Ballkanit Perëndimor është pjesë e Procesit të Berlinit, një proces pesë-vjeçar që startoi vitin e shkuar për të treguar zotimin e BE-së për zgjerim.
Përveç Gjermanisë dhe Austrisë, pjesë e samitit janë edhe Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.