Teksa Maqedonia pret një valë të re mbërritjesh, organizatat vendase thonë se kapacitetet po përmirësohen, por duhet të shtohen.
Agjencia e Refugjatëve të OKB, UNHCR, së fundmi paralajmëroi se një valë e re prej 7000 refugjatësh nga shtetet e copëtuara nga luftërat prej Lindjes së Mesme dhe Afrikës pritet t'i afrohen kufirit jugor të Maqedonisë me Greqinë.
Ata parashikojnë se fluksi i njerëzve do të rritet në muajt pasues dhe mund të arrijë rreth 3000 hyrje çdo ditë.
Autoritetet maqedonase thonë se ata mund të përballojnë vetëm një pjesë të këtij numri.
Ka gjithashtu probleme logjistike në kujdesin për të në pikat hyrëse dhe në transportimin e tyre të sigurt me tren dhe autobus për më tej në kufirin verior me Serbinë ku ata vazhdojnë udhëtimin drejt Europës Perëndimore.
“Vetëm 2000 migrantë mund të vazhdojnë udhëtimin e tyre drejt Europës Perëndimore në ditë. Nëse 5000 persona largohen sot nga Greqia në një ditë, nuk mund të ketë vend për 3000 prej tyre,” tha ministri i brendshëm Mitko Cavkov fundjavën e shkuar. Nëse një fluks i tillë përsëritet për disa ditë, mund të bëhet një krizë serioze, shtoi ai.
Cavkov këmbënguli se Maqedonia po bën gjithçka që mundet për të ndihmuar njerëzit dhe për të lehtësuar tranzitin e tyre. Megjithatë, si shumë zyrtarë të tjerë maqedonas, ai nxiti BE-në të japë më shumë ndihmë për vendin, pasi deri më tani është lënë të përballet i vetëm me krizën.
Njerëzit dhe organizatat që punojnë në terren në dy pikat qendrore të refugjatëve, kampi pranë qytetit Gevgelija me kufirin grek dhe kufiri me Serbinë, ku refugjatët nisen, thonë se po përgatiten për një valë të më shumë njerëzve në vjeshtë.
Ata thonë se pritja dhe transportimi janë tani më të koordinuara sesa dy javë më parë, kur policia u përpoq pa sukses të ndalojë qindra njerëz të hynin në kufirin jugor, duke rezultuar në përplasje të dhunshme.
Që nga incidenti, UNHCR, Kryqi i Kuq Maqedonas, Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe autoritetet në Gevgelija kanë ngritur një stehë të përkohshme, ku i ofrojnë atyre që vijnë hije, kushte higjiene, ushqim për bebet dhe ndihmë mjekësore.
Gjërat nuk janë gjithsesi perfektë. “Maqedonia duhet të ofrojë mbrojtje institucionale për këta njerëz. Njerëz nga ministria e punës dhe politikave sociale, ministria e shëndetësisë dhe oficerë të sigurisë duhet të jenë vazhdimisht në terren duke ndihmuar familjet në telashe,” thotë Uranija Pirovska, nga Komuniteti Maqedonas i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.
Aleksandra Davidovska, një vullnetare nga OJQ-ja Legis, që është vazhdimisht në terren, thotë se sektori civil po mban marrën më të madhe në kufi.
“Ndoshta shteti nuk mund të përballet me situatën, por sektori civil mezi po ia del,” thotë ajo.
“Numri i refugjatëve është rritur nga 500 në ditë, në 3000 deri 5000 refugjatë dita këto kohët e fundit,” shtoi ajo. “Na duhet urgjentisht ndihmë.”
Kapaciteti i qendrave pritëse nuk është i madh por ato janë një hap në drejtimin e duhur, vazhdoi Davidovska.
“Situata nuk është perfektë, por po përmirësohet me kalimin e kohës,” tha Suzana Tuneva-Paunovska, kreu i Kryqit të Kuq në Maqedoni, vullnetarët e të cilit po përballen me pritjen e refugjatëve.
“Ne duhet të kemi parasysh se vendi ka burime njerëzore dhe financiare të kufizuara. Për shembull, qyteti i Gevgelijës ku kalojnë kufirin mijëra migrantë çdo ditë, është i vogël, ndaj ka fluks të madh për ta,” shpjegoi ajo.
“Ne kemi nevojë për ndihmë nga organizatat simotra në Spanjë, Norvegji, Gjermani, Austria. Ndihma po vjen nga kompanitë vendase po ashtu,” shtoi Paunovska.
Kryqi i Kuq ka rreth 120 vullnetarë në disa skuadra të lëvizshme mjekësore dhe për shpërndarjeve të ndihmave humanitare në Gevgelija dhe Kumanovë. Skuadrat gjithashtu përfshijnë përkthyes të gjuhës arabe.
Ata merren nga çështjet e temperaturës te fëmijët te dehidratimi dhe plagosjet e lehta. Ata ofrojnë edhe ndihmë psikologjike-sociale dhe përpiqen të lidhin familjet gjatë kohës së limituar që kalojnë në vend.
John Endegal Nissen, nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, së fundmi mbërriti në Maqedoni për të ndihmuar. “Do të bëj më të mirën për të ndihmuar këta njerëz,” tha ai duke shtuar se ishte i befasuar nga shkalla e përpjekjes vendase.
“Megjithatë, ka nevojë për më shumë vend në qendra. Ndërtesat duhen përmirësuar, për shembull na duhet ujë për dushet,” tha ai për BIRN.
“Nëse qeveria dhe të tjerë mund të ofrojnë më tepër ndihmë, do të ishte shumë mirë. Pa mbështetje nuk vazhdojmë dot,” tha Nissen.
Por Pirovska, nga Komiteti i Helsinkit, thotë se autoritetet nuk po bëjnë mjaft përpjekje në sektorin civil.
“Është turp që shumica e ushqimeve të shpërndara te refugjatët, përfshirë ujin, janë dhuruar nga OJQ-të dhe kompanitë dhe asnjë nga qeveria,” tha Pirovska për BIRN.
Të dhënat nga UNHCR tregojnë se në vetëm dy muaj, që nga korriku, mbi 50,000 refugjatë janë regjistruar në pikën e kufirit Gevgelija të Maqedonisë.
Meqënëse disa hyjnë ilegalisht, UNHCR, vlerëson se numri i vërtetë mund të jetë mbi 70,000 refugjatë.
Sipas vëzhguesve kjo është një barrë e madhe për komunitetin vendas, duke marrë parasysh edhe mungesën e përballimit me këtë problem të ri të Maqedonisë, ksenofobinë dhe kalimin ilegal të migrantëve.
“Nuk më lejuan të hyj në një dyqan në Gevgelija sepse isha me një fëmijë nga Siria dhe një grua,” tha Pirovska për BIRN.
Produktet bazë ushqimore po shiten me dyfishin e çmimit, shtoi ajo. “Ky është një krim dhe askush nuk po bën gjë për këtë. Policia duhet të veprojë.”
Vëzhguesit gjithashtu thonë se disa media maqedonase nuk po ndihmojnë, duke shpërndarë lajme false se refugjatët po vijnë për të dëmtuar ose islamizuar vendin.
“Pozita që Bashkimi Europian do të marrë ndaj këtij problemi do të jetë kyç për zhvillimin e ardhshëm të krizës së refugjatëve në Ballkan. Ne do të ndjekim politikat e BE-së mbi këtë çështje, por edhe ato të autoriteteve maqedonase,” tha Xhabir Deralla, kreu i CIVIL- Qendra për Liri, një OJQ me vëzhguesit e vet në terren.
Dështimi i BE-së për të ndihmuar më shumë nuk është justifikim për mosveprim të Maqedonisë, shtoi ai. “Një shembull i keq, edhe nëse vjen nga disa shtete të BE-së, nuk është justifikim për një shembull tjetër të keq. Ky vend duhet të respektojë konventën e të drejtave të njeriut dhe refugjatëve.”
Skenari më i keq do të ishte nëse refugjatët fillojnë të mbeten në rajon, të ndaluar në rrugëtimin e tyre nga pengesat e ngritura nga Hungaria në kufirin me Serbinë.
“Nëse refugjatët që nuk kalojnë në Hungari kthehen në Maqedoni nga kufiri serb, kriza do të mblidhetm,” parashikoi Pirovska.
“Ne duhet të jemi seriozisht të përgatitur edhe për këtë,” shtoi Davidovska.
Gjatë vizitës së tij në Maqedoni më 24 gusht, ministri i jashtëm austriak, Sebastian Kurz, tha se shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për ndihmë urgjente.
“Shtetet e Ballkanit Perëndimor janë lënë vetëm. Ato kanë nevojë për ndihmën tonë,” tha Kutz, duke rritur shpresën për ndihmë, që ende nuk ka ardhur.