Mbi 100 figura të shquara kanë nënshkruar një letër në mbështetje të drejtorit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arit pasi politikanët dënuan thirrjen e tij që Serbia të pranojë se e ka humbur Kosovën.
Figura të shquara kanë dhënë mbështetjen e tyre për shefin e Akademisë Serbe Vladimir Kostic, pasi ai deklaroi se Kosova “nuk është më në duart e Serbisë as de facto dhe as de jure”, duke shtuar se dikush duhet t’ia thotë haptazi këtë popullit.
Më shumë se 100 njerëz kanë nënshkruar letrën e mbështetjes të publikuar të martën nga Qendra e Politikave me bazë në Beograd.
Ata shprehen se është shkelur e drejta e Kostic për të mbajtur qëndrim publik, dyke shtuar se “të gjithë kanë të drejtë të shprehin qëndrimin e tyre ndaj Kosovës, si edhe ndaj çdo dite tjetër”.
“Kjo e drejtë nuk mund dhe nuk duhet të mohohet duke pretenduar se ajo që thotë individët ose qeveria është interesi kombëtar. Askush nuk ka monopol mbi çështjet me rëndësi për të gjithë qytetarët serbë,” thuhet në letër.
NATO detyroi Serbinë të tërhiqej nga Kosova në vitin 1999 dhe Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.
Beogradi ende refuzon ta pranojë këtë. Problemi i fundit në mes dy vendeve vjen përpara kërkesës së Kosovës për t’iu bashkuar UNESCO-s, një lëvizje e kundërshtuar fuqimisht nga Serbia, e cila e konteston çdo lloj njohjeje ndërkombëtare të pavarësisë së ish-krahinës së vet.
“Me paraqitjet e tij publike, akademiku Vladimir Kostic ka kontribuar shumë në ndërtimin e një kulture dialogu dhe ka bërë publike tema të mbyllura. Çdo hakmarrje dhe presion mbi të për shkak të fjalës së folur do të nënkuptonte një hap drastik pas dhe do të dëmtonte seriozisht zhvillimin e shtetit dhe të shoqërisë,” vazhdonte letra.
Në një intervistë me Radio Beogradin më 18 tetor, kreu i akademisë, e njohur me akronimin SANU, tha se ishte mëse e qartë që Serbia kishte humbur kontrollin mbi Kosovën.
“Sinqerisht, nëse një ministër, kryeministër ose president duhet të kërkojnë leje për të hyrë në atë territor, është mëse e qartë që nuk kemi kapacitet as ekonomik, as njerëzore dhe as ndonjë tjetër për të imponuar vullnetin tonë atje,” tha Kostic.
Menjëherë pas kësaj, disa zyrtarë të lartë serbë, duke përfshirë presidentin Tomislav Nikoliç dhe kryeministrin Aleksandër Vuçiç, i bënë thirrje SANU-s të reagojë.
Është çast i keq për deklarata të tilla në një çast kur ne po përpiqemi të parandalojmë hyrjen e Kosovës në UNESCO,” tha Vuçiç.
Duke iu përgjigjur kritikave, Kostic tha se kjo ishte pikëpamja e tij personale për Kosovën dhe se ai nuk fliste në emër të Akademisë.
“Nuk do të lejoj që askush të më tregojë atë që mund të them dhe atë që s’mund të them dhe të më tregojnë se cilit opinion duhet t’i qëndroj besnik,” tha Kostic.
Komiteti i Kuvendit të Serbisë për Kosovën e dënoi gjithashtu Kostic, duke argumentuar se qëndrimet e tij janë në kundërshtim me interesat kombëtare të Serbisë dhe vetëm dobësojnë të gjithë vendin.
SANU dikur njihej për entuziazmin e saj nacionalist. Ajo publikoi një memorandum famëkeq në vitin 1986, i cili kërkonte ricentralizimin e Jugosllavisë dhe akuzonte kroatët dhe shqiptarët se kishin kryer një lloj gjenocidi të heshtur kundër serbëve në Kosovë dhe Kroaci.