Ndërsa pjesa më e madhe e refugjatëve ende hyjnë në Kroaci nga Serbia, grupe të vogla kanë filluar të kalojnë përmes Bosnjës dhe Hercegovinës, duke krijuar kështu një rrugë të re për refugjatët që shkojnë drejt perëndimit.
Disa refugjatë nga Lindja e Mesme kanë filluar të hyjnë në Kroaci nga Bosnja dhe Hercegovina fqinje, duke hapur një rrugë të re të mundshme drejt Gjermanisë dhe Evropës veriperëndimore.
Që kur Hungaria mbylli kufirin serb dhe shmangi valën e refugjatëve në Kroaci më 16 shtator, të gjithë refugjatët që hyjnë në Kroaci janë sistemuar në kampin në Opatovac pranë kufirit serb. Që atje, refugjatët transportohen fillimisht në kufirin me Hungarinë dhe më pas në atë me Slloveninë.
Megjithatë, policia kroate ndaloi tre emigrantë kurdë nga Turqia ditën e dielë në Vrhovine në rajonin kontinental të Likës, të cilët kishin kaluar nga qyteti veriperëndimor boshnjak i Bihacit.
Ata raportohet se kanë fluturuar në Sarajevë, Bosnje, nga Turqia dhe i thanë policisë se rreth 15 të tjerë ishin aktualisht në Bihac dhe do të hynin në Kroaci ditën e nesërme.
Raportet nuk janë konfirmuar nga autoritetet vendase. “Nuk kemi ndonjë fakt për refugjatë që kalojnë në këtë pjesë të vendit,” tha zëdhënësi i kantonit Una Sana në Bosnjë për BIRN ditën e martë.
Autoritetet boshnjake kanë qenë në gatishmëri të plotë për mua me radhë, duke pritur që brenda vendit të hapej një rrugë e re refugjatësh. Megjithatë, pjesa më e madhe e refugjatëve deri tani e kanë shmangur kalimin përmes Bosnjës.
Që kur zyrtarët kroatë thanë në fillim të fluksit se Kroacia nuk do të tolerojë refugjatë që hyjnë nga Bosnja, tre emigrantët kurdët u transferuan në qendrën për emigrantët e paligjshëm dhe do të kthehen përsëri mbrapsht në Bosnjë.
Procesi do të ishte “transportimi në qendrën për emigrantët e paligjshëm, procedurimi dhe dëbimi i tyre,” tha të martën Ranko Ostojiç, ministri i brendshëm kroat.
Autoritetet kroate ndërkohë do të mbyllin qendrën në Opatovac në ditët e ardhshme, duke qenë se ditën e martë do të hapet një kamp i ri refugjatësh në Slavonski Brod, në Kroacinë lindore. Ky kamp do të shërbejë si qendër tranziti dhe regjistrimi gjatë dimrit me tendat e saj me ngrohje.
Transporti i parë i refugjatëve me tren nga Presheva në Serbinë lindore drejt kampit në Slavonski Brod filloi të martën.
Midis mesnatës së ditës së hënë dhe orën 09:00 të ditës së martë, 2,006 refugjatë hynë në Kroaci. Në total, 314,423 refugjatë hynë në Kroaci nga 16 shtatori.
Duke iu drejtuar anëtarëve të Bashkimit të saj Kristian Demokrat, CDU, në qytetin perëndimor të Darmstadtit ditën e hënë, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se mbyllja e kufirit gjerman me Austrinë për refugjatët, do të ishte një veprim i pamatur dhe do të çonte në një reagim të ashpër në Ballkanin Perëndimor.
“Nuk dua që atje të jenë përsëri të nevojshme konflikte ushtarake,” tha Merkel, duke shpjeguar se mosmarrëveshjet në një rajon ende të plagosur nga konfliktet e armatosura të viteve 1990 mund të përshkallëzohet lehtësisht, gjë të cilën “nuk e dëshiron askush”.