Pasi kryeministri i Rumanisë Viktor Ponta dha dorëheqjen javën e shkuar, kryeministri i ri ka gjasa të jetë një teknokrat i pavarur i fokusuar mbi ruajtjen e zhvillimit, parashikojnë ekspertët.
Këshillimet mbi një kryeministër të ri rumun po kryen këtë javë, por siç parashikojnë analistët dhe zyrtarët ka mundësi të përzgjidhet një kabinet teknokratik derisa të mbahen zgjedhjet e ardhshme në dhjetor 2016.
“Një qeveri teknokratike mund të përballet me situatën aktuale pasi ka një mandat të qartë afatshkurtër,” tha të hënën guvernatori i bankës kombëtare rumune, Mugur Isarescu.
“Ka disa detyra për një qeveri të tillë, përfshirë ruajtjen e stabilitetit dhe rritjen ekonomike dhe sigurisht organizimin e zgjedhjeve të lira. Asgjë më tepër,” shtoi ai.
Isarescu, që ishte gjithashtu një kryeministër teknokrat në vitin 1999-2000, është një zë i respektuar në vend dhe deklaratat e tij ndiqen me kujdes nga zyrtarët.
Ai tha se gjatë mandatit të tij si kryeministër ai nuk kishte as stabilitet dhe as rritje ekonomike, por ia doli të japë një nivel minimal rritjeje.
“Zhbalancat u zhdukën dhe zgjedhjet qenë të lira,” tha ai.
Presidenti Klaus Iohannis po mban këshillime me partitë kryesore politike për të caktuar një kryeministër të ri pas dorëheqjes së Viktor Pontës javën e shkuar.
Ai dha dorëheqjen pas protestave masive mbi një zjarr në klubin e natës që i mori jetën 46 personave.
“Presidenti Iohannis do të ofrojë një zgjidhje që siguron stabilitet dhe gjithashtu përmban zemërimin publik. Në një kontekst të tillë, një qeveri teknokratike është zgjidhja më e mundshme,” tha gazetari Viktor Rotarium nga uebsajti Gandul.
Presidenti, i cili u takua me liderë partiakë nga koalicioni qeverisës të hënën, tha se do të vendoset një program qeverisës përpara se të zgjidhet një kryeministër i ri. Ai tha gjithashtu se nuk favorizon zgjedhje të parakohshme.
Ndërkohë ministri i arsimit, Sorin Cimpeanu, ka marrë rolin e kryeministrit të përkohshëm.
Të hënën dha dorëheqjen ministri i brendshëm, i cili është hasur me kritika për vdekjen e një polici që u vra teksa shoqëronte autokolonën e tij.
Media lokale ka spekuluar për kandidatë të mundshëm për kryeministër me emra që përfshijnë ish-komisionerin e BE, Dacian Ciolos, zyrtarin e bankës kombëtare Lucian Croitoru dhe ish-ministrin dhe sociologun, Vasile Dancu.