Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka bërë hapa përpara në kriterin politik, por duhet të japë më shumë rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Komisioni Europian i kërkon Shqipërisë të finalizojë reformën në drejtësi, si kusht për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Progres–raporti i vitit 2015 u prezantua të martën në Bruksel nga komisioneri për Zgjerimit, Johannes Hahn, i cili theksoi se Shqipëria ka bërë hapa të qëndrueshëm përpara në kriterin politik, por duhet të japë më shumë rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Përmbushja e reformave në fushën e zbatimit të ligjit konsiderohet një prioritet kyç për Shqipërinë, sipas versionit të përmbledhur të progres-raportit, që u publikua në faqen zyrtare të Komisionit Europian.
“Rezultatet e prekshme në fushën e zbatimit të ligjit janë të nevojshme, përfshirë progresin në krijimin e një historiku solid të hetimeve pro-aktive, nga ndjekja penale deri në dënimin final në të gjitha nivelet për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,” thuhet në raport.
Komisioni Europian kërkon gjithashtu nga Shqipëria forcimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe në veçanti atë të pronës. Ndërsa dialogu politik ndërpartiak mbetet thelbësor për vazhdimin e procesit të anëtarësimit europian.
Kriteri politik
Komisioni Europian vlerëson se është thelbësore për Shqipërinë të konsolidojë progresin e bërë dhe të ruajë ritmin e reformave. Në këtë drejtim, zgjedhjet lokale të qershorit janë cilësuar me nota pozitive dhe pa incidente të mëdha.
Megjithatë, progres-raporti për Shqipërinë kërkon çuarjen përpara të rezolutës së miratuar nga Parlamenti në dhjetor të vitit 2014, çka në atë kohë i dha fund bojkotit të opozitës. Raporti vlerëson gjithashtu avancimin në reformën administrative dhe adoptimin e paketës strategjike të decentralizimit.
Hapat e ndërmarrë dhe bashkëpunimi me policitë ndërkombëtare në luftën kundër prodhimit dhe trafikimit të drogës është vlerësuar gjithashtu nga Komisioni Europian. Megjithatë, raporti thekson se Shqipëria duhet të tregojë progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në të gjitha hallkat e hetimeve.
Në fushën e zbatimit të ligjit, progres-raporti vlerëson se Shqipëria duhet të japë rezultate të prekshme.
“Hapat e ardhshëm vendimtarë për një reformë gjithëpërfshirëse në sistemin gjyqësor duhet të jenë miratimi i një kuadri të ri strategjik dhe hartimi i masave institucionale, legjislative dhe proceduriale,” thuhet në raport.
Komisioni Europian i kërkon gjithashtu Shqipërisë të bëjë më shumë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në mbështetjen e komunitetit rom dhe në mbrojtjen e grupeve vulnerabël. Progres-raporti kërkon gjithashtu më shumë përpjekje në të drejtën themelore të pronës.
“Procesi i regjistrimit të pronave dhe të kthimit apo kompensimit të pronave të humbura nuk është përmbyllur,” thuhet në raport.
Kriteri ekonomik
Në raportin e përvitshëm për zgjerimin, Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka ruajtur stabilitetin makroekonomik, por është mesatarisht e përgatitur për zhvillimin e një ekonomie funksionale të tregut. Progres raporti vlerëson progresin e bërë në përmirësimin e perspektivës së rritjes ekonimike apo në reformën e menaxhimit të financave publike.
“Megjithatë, mbeten sfida të konsiderueshme në konsolidimin fiskal, menaxhimin e fondeve buxhetore, trajtimin e nivelit të lartë të kredive me probleme dhe përmirësimin e klimës së biznesit,” thuhet në raport.
Komisioni Europian vlerëson gjithashtu se Shqipëria duhet të bëjë investime domethënëse në kapitalin njerëzor dhe atë fizik, për të rritur konkurrueshmërinë e saj.
“Shqipëria duhet të përmirësojë cilësinë e arsimit të lartë dhe të vazhdojë me ristrukturimin e arsimit dhe të formimit profesional, të miratojë dhe zbatojë strategjitë e transportit kombëtar dhe të energjisë….”, përfundon progress-raporti për Shqipërinë.