![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Gevgelija-Refugees-by-SJM640.jpg)
Liderët politikë në Serbi dhe Kroaci paralajmëruan që të mos krijohet urrejtje ndaj refugjatëve, ndërsa Maqedonia u përgatit për ndërtimin e një gardhi të mundshëm në kufirin e saj.
![Refugjatët në Gevgelija. Foto: BIRN.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Gevgelija-Refugees-by-SJM640-300x225.jpg)
Autoritetet në Maqedoni, Serbi dhe Kroaci thanë se ata e kanë rritur nivelin e alarmit rreth militantëve të mundshëm që fshihen mes refugjatëve duke përdorur rrugën e Ballkanit për të arritur në Europën Perëndimore pas raportimeve të pakonfirmuara se një nga të dyshuarit e sulmit në Paris kaloi përmes rajonit.
Por disa liderë politikë dhe aktivistë të të drejtave gjithashtu lëshuan paralajmërime se sulmet në Paris nuk duhet të lidhen drejtpërdrejt me çështjen e refugjatëve dhe të përdoren për të nxitur urrejtje etnike.
Këshilli i Sigurimit në Maqedoni të dielën urdhëroi që ushtria të dërgohej në gatishmëri për ndërtimin e një gardhi me tela me gjemba në kufirin jugor me Greqinë, pika kryesore e hyrjes së refugjatëve, nëse vendet europiane kufizojnë sasinë e refugjatëve të lejuar të hyjnë.
Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov këmbënguli megjithatë se gardhi nuk do të synojë të mbyllë kufirin, por të kanalizojë dhe të kufizojë rrjedhën e refugjatëve.
Ndërkohë Uranija Pirovska, kryetarja e Komitetit Maqedonas të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, bëri thirrje që sulmet në Paris të mos lidheshin me krizën e refugjatëve.
“Ne kemi tashmë probleme me urrjejten dhe incidente që nxiten nga urrejtja ndaj atyre që po ndihmojnë refugjatët,” tha Pirovska.
Marshimi i përvitshëm i Tolerancës të dielën në Shkup të Maqedoni iu dedikua refugjatëve dhe bëri thirrje për tolerancë dhe solidaritet ndaj tyre. Një minutë heshtje u mbajt për viktimat e sulmeve të Parisit, ku mori pjesë edhe ambasadori francez Laurence Auer.
Disa media maqedonase spekuluan rreth mundësisë që disa sulmues mund të kenë kaluar në vend gjatë rrugës për në Francë.
Media raportoi në fundjavë se një burrë me pasaportë siriane që u gjet në skenën e krimit në një nga sulmet në Paris ka kaluar nëpërmjet Maqedonisë, Serbisë dhe Kroacisë në tetor, duke pretenduar të jetë një refugjat. Franca megjithatë nuk e ka konfirmuar zyrtarisht se pasaporta i përkiste një sulmuesi të dyshuar.
Zyrtarët serbë kanë thënë se pasaporta i përkiste një azilkërkuesit në qytetin e Preshevës pranë kufirit me Maqedoninë më 7 tetor.
Kryeministri Vuçiç tha të hënën: “Arabët nuk janë më të mirë sesa jo-arabët dhe e anasjellta. Një person i bardhë nuk është më i mirë sesa një person me ngjyrë dhe e kundërta. E vetmja gjë që ka rëndësi është mirësia dhe virtytet. Ngjyra dhe besimi nuk luan rol,” tha Vuçiç.
Në Kroaci, ministri i brendshëm Ranko Ostojiç tha të hënën se synimi i sulmuesve të Parisit ishte të vinte në rrezik itinerarin e refugjatëve dhe të parandalonte largimin e tyre nga konfliktet në Lindjen e Mesme.
“Kjo është arsyeja përse jam i lumtur që Juncker tha se kriminelët duhet të dallohen nga njerëzit që janë refugjatë,” tha Ostojiç.
Kryeministri kroat Zoran Milanoviç tha të shtunën se nuk e lidh krizën e refugjatëve me “tragjedinë në Paris”.
Sinisa Jakov Marusic, Sasa Dragojlo dhe Sven Milekic kontribuuan për këtë lajm.