![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Katica-Janeva-2-BIRN.jpg)
Akuzat kundër kryeministrit Nikola Gruevski, do të jetë mes çështjeve të para që prokurorja speciale e Maqedonisë do të hetojë.
![Prokurorja speciale e Maqedonisë, Katica Janeva. Foto: BIRN.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Katica-Janeva-2-BIRN-300x225.jpg)
Çështja e parë që Prokurorja Speciale e Maqedonisë do të hetojë përfshin pretendimet se ish-shefi i policisë sekrete të Maqedonisë, Saso Mijalkov, kërkoi ryshfete për të lehtësuar prokurimin e pajisjeve izraelite të mbikëqyrjes në vitin 2011.
Prokurorja Speciale tha se çështja e dytë, përfshin “falsifikimin e dokumenteve të identifikimit personal dhe shkelje të të drejtave elektorale,” që lidhen me vetë kryeministri Nikola Gruevski, si dhe me ish-ministren e brendshme Gordana Jankuloska dhe ish-ministrin e transportit Mile Janakieski.
Maqedonia miratoi një ligj mbi Prokurorinë Speciale dhe caktoi Katica Janevën në këtë post në shtator si pjesë e një marrëveshje të krizës që u ndërmjetësua këtë verë nga Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn.
Sipas marrëveshjes, Gruevski duhet të japë dorëheqjen në fund të vitit, të paktën 100 ditë përpara zgjedhjeve të prillit, për të siguruar se nuk do të influencojë procesin zgjedhor.
Kriza në Maqedoni rrotullohet rreth pretendimeve të opozitës se qeveria ka përgjuar mbi 20,000 persona përfshirë ministra, regjistrime që opozita i ka publikuar që nga shkurti.
Ata këmbëngulin se përgjimet përmbajnë prova inkriminuese kundër zyrtarëve të lartë, përfshirë mashtrim me zgjedhjet dhe abuzim me sistemin e drejtësisë dhe median.
Gruevski, në pushtet që nga viti 2006, këmbëngul se përgjimet janë të sajuara nga shërbime të huaja inteligjence që i janë dhënë opozitës për të destabilizuar vendin.
Në Janar, Gruevski përdori një stacion televiziv kombëtar për të akuzuar liderin e Social Demokratëve në opozitë, Zoran Zaev, për sajimin e një grushti shteti.
Zaev më vonë u akuzua për shantazh dhe dhunë ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit dhe u udhërua të dorëzojë pasaportën.
Kjo çështje gjithashtu i është transferuar Prokurorisë Speciale.
Një tjetër çështje për përgjim të paautorizuar po ngrihet kundër zyrtarëve të një operatori telefonik maqedonas dhe kundër një entiteti ligjor, tha Janeva.
Sipas ligjit të miratuar nga marrëveshja e ndërmjetësuar nga BE-ja, Prokurori Special do të hetojë deri në mars 2017 të gjitha çështjet e ngritura, afati i kur mbaron legjitimiteti.
Disa vëzhgues kanë pyetur veten nëse ka mjaftueshëm kohë për një program kaq të ngjeshur.