![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/gazetaret-kosova-dhe-serbia.jpg)
Në përpjekje për të afruar më shumë komunitetet e përçara, gazetarë serbë dhe kosovarë punuan për realizimin e disa historive në vendet e njëri-tjetrit në një projekt bashkëpunues që mund të ndriçojë rrugët drejt pajtimit.
![Dafina Halili është një nga 18 gazetarët pjesëmarrës në prjektin Serbia Kosova: LIVE project. Foto: Media Centre Belgrade.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Dafina-Halili-Media-Centar-BG-533x400.jpg)
Foto: Media Centre Belgrade.
Kur Dafina Halili, një gazetare e faqes së internetit Kosova 2.0, mbërriti në Beograd, ajo e dinte se çfarë dëshironte të gjente – se si po jetojnë në ditët e sotme disa serbë që u larguan nga Kosova, 16 vjet pas përfundimit të konfliktit.
Kështu që ajo u bë një nga gazetaret e pakta nga Kosova që vizitoi strehën e refugjatëve në Krnjaca në periferi të Beogradit, ku rreth 200 persona të zhvendosur nga luftëra të ndryshme në ish-Jugosllavi jetojnë ende në shtëpi të përkohshme në gjendje të mjeruar.
Ajo tha se disa prej tyre ishin “të traumatizuar”. Të tjerët ishin të zemëruar dhe nuk donin të flisnin, por në asnjë mënyrë jo të gjithë.
“Disa ishin të lumtur që takonin një gazetare shqiptare të Kosovës e madje folën edhe në shqip me mua,” tha ajo.
Halili është ndër 18 gazetaret nga Kosova dhe Serbia që kanë marrë pjesë në një program një vjeçar të quajtur Kosova Serbia: LIVE, i organizuar nga Shoqata e Gazetarëve të Pavarur në Serbi, NUNS, nga Beogradi dhe OJQ-ja KovovaLive nga Prishtina.
Gazetarë nga Serbia kaluan kohë në Kosovë duke shkruar artikuj, ndërsa homologët e tyre shqiptarë të Kosovës bën udhëtime raportuese në Serni.
Gjatë asaj kohe, u shkruan 30 artikuj, duke u përqendruar në tema që janë shqetësuese për të dyja shoqëritë. Pavarësisht nervozizmit fillestar, nuk pati incidente negative.
Halili tha se ajo është midis një grupi të vogël gazetarësh shqiptarë të Kosovës të cilët kanë shkruar për serbët që larguar pas luftës në vitin 1999 dhe pas trazirave të ngarkuara etnike në Kosovë në mars të vitit 2004.
“Kjo temë nuk ishte mbuluar shumë në mediat e Kosovës për shkak se gazetarët shpesh raportojnë vetëm për anën e tyre,” tha ajo.
Halili tha se mediat shpesh janë të njëanshëm dhe plot paragjykime kur shkruajë artikuj që fokusohen te “të tjerët”.
“Nuk ka një imazh real të asaj që po ndodh. Është e nevojshme të prodhohen artikuj që flasin për njeriun dhe jo të jemi të njëanshëm kur raportojmë për çështje të ndjeshme,” tha ajo.
Histori të tjera të hulumtuar nga gazetarët e përfshirë në projekt kanë trajtuar personat e zhdukur dhe krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë, trafikimin e qenieve njerëzore, refugjatët që kalojnë përmes Kosovës dhe Serbisë gjatë rrugës së tyre drejt Europës dhe gjuhën si një pengesë shumë të madhe midis dy komuniteteve. Ato u botuan të gjitha në mediat e shkruara dhe në internet në të dyja vendet.
Kundër sfondit të mosbesimit të vazhdueshëm midis serbëve dhe kosovarëve dhe vështirësive për të bërë progres në bisedimet e vazhdueshme të ndërmjetësuara nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve politike midis Beogradit dhe Prishtinës, projekti hedhë dritë mbi çështje që shpesh injorohen, tha Vukasin Obradoviç i NUNS.
“E gjithë kjo ka treguar se ka edhe histori të tjera për të cilat njerëzit duan të flasin dhe jo vetëm për politikën ditore të bisedimeve Beograd-Prishtinë,” tha Obradoviç.
Megjithatë, gjatë viteve të fundit ka pasur disa përpjekje për të rivendosur lidhjet kulturore midis Kosovës dhe Serbisë.
Një prej tyre është i përvitshmi “Mirëdita, Dobar Dan” (që do të thotë “Mirëdita” në shqip dhe serbisht), i cili sjell filmat shqiptarë të Kosovës, ekspozita dhe koncerte në Beograd.
Këtë vit, regjisori teatral serb Pedrag Miki Manojloviç, vuri gjithashtu në skenë një produksion të “Romeo dhe Xhulieta” nga Shekspiri në gjuhën shqipe dhe serbe, me një shqiptar të Kosovës që luante rolin e Romeos dhe një serbe në rolin e Xhulietës.
Këndvështrime ‘nga ana tjetër’
![Milivojeviç dhe kolegia e saj raportuan për kriminelët serbë dhe kosovarë që shmangin drejtësinë. Foto: Media Centre Belgrade.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Andjela-Milivojevic-Medija-Centar-BG-533x400.jpg)
Andjela Milivojeviç dhe Ivana Jeremiç, gazetarë të Qendrës për Gazetari Hulumtuese në Serbi, CINS, morën gjithashtu pjesë në këtë projekt, por ato hasën vështirësi ndërsa punonin me një artikull mbi mënyrën se si kriminelët nga Kosova dhe Serbia i shpëtojnë drejtësisë, sepse policia e të dy vendeve dhe pushtetet gjyqësore nuk bashkëpunojnë.
Jeremiç tha se gazetarët shqiptarë të Kosovës dëshironin shumë t’i ndihmonin, njësoj si edhe institucionet e Kosovës. Por problemi më i madh ishte marrja e përgjigjeve dhe dokumenteve nga autoritetet serbe.
“Gjatë pesë ditëve në Kosovë, morëm më shumë të dhëna zyrtare nga institucionet dhe programuam më shumë intervista sesa arritëm të kishim për javë të tëra në Serbi,” tha Jeremiç.
Milivojeviç tha se kur ajo i telefonoi zyrës së qeverisë serbe për Kosovën, asaj i mbajtën një leksion mbi faktin se si Kosova ishte ende një provincë serbe, por nuk i dhanë asnjë informacion.
Ajo tha se përshtypja e përgjithshme “është se në Kosovë u mirëpritëm shumë më mirë nga institucionet e tyre sesa na mirëpritën në institucionet tona në Serbi”.
Pas suksesit të tij këtë vit, organizatorët e Serbi Kosovë: LIVE shpresojnë që kjo të mund të shndërrohet në një event të përvitshëm që do të kontribuojë në pajtimin mes dy komuniteteve dhe do të ndihmojë në rivendosjen e lidhjeve që u ndërprenë nga lufta dhe pasojat e saj – si edhe do të mund t’i japë gazetarëve këndvështrime të vërteta mbi jetën në ‘anën tjetër’.
“Kjo na ndihmoi të krijojmë një imazh më të gjerë të perspektivave që ekzistojnë midis Beogradit dhe Prishtinës,” tha Kelmend Hapçiu i KosovoLive.