Zyrtarët e Beogradit po vazhdojnë të ndalojnë përdorimin e teksteve shkollore shqiptare në Serbinë jugore, duke pretenduar se ato janë politikisht të papranueshme, por vendasit thonë se është edukimi i fëmijëve ai që po i vuan pasojat e kësaj.
Ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç tha të mërkurën se Serbia i respekton të drejtat e pakicave, por nuk mund të lejojë që tekstet shkollore që pretendojnë se Kosova është një shtet i pavarur të përdoren në shkollat në vend.
“Ju doni që tekste shkollore nga Kosova apo Shqipëria të përdoren në Serbi dhe doni që nxënësit në Serbi të mësojnë se Kosova është e pavarur. Kjo nuk do të jetë e mundur,” tha Daçiç në parlament gjatë një diskutimi në lidhje me të drejtat e pakicës shqiptare në Serbi.
Sipas një marrëveshje të arritur më 10 shtator, Prishtina do të furnizonte me tekste shkollore komunitetet shqiptare në Serbi, ndërsa Beograd do të bënte të njëjtën gjë për serbët në Kosovë – hera e parë që të dyja palët kishin arritur në një marrëveshje të tillë që prej përfundimit të luftës në vitin 1999.
Megjithatë, kamionë që po transportonin rreth 100,000 tekste shkollore fillore nga Kosova në Luginën e Preshevës në Serbi, e cila ka një popullsi të madhe etnike shqiptare, janë mbajtur më pas nga autoritetet serbe në një terminal doganor.
Që nga fillimi i vitit shkollor, nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës janë pa tekste shkollore dhe është dashur të mësojnë duke mbajtur shënime nga diktimet e mësuesve të tyre, tha Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve.
“Ky ndalim është për arsye politike, por s’mund ta ndaloni dikë të mësojë për popullin e tij. Kjo nuk është më epoka e ish-liderit serb Sllobodan Millosheviç,” tha Musliu për BIRN.
Qeveria serbe beson se tekstet shkollore mësojnë historinë nga këndvështrimi i shqiptarëve të Kosovës, gjë e cila ajo thotë se është politikisht e papranueshme.
Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç tha së fundmi se tekstet shkollore që përshkruajnë luftëtarin e ndjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari si një hero kombëtar nuk mund të përdoren në shkollat serbe.
Jashari – i cili u vra në mars të vitit 1998, së bashku me 50 të tjerë kur forcat jugosllave rrethuan shtëpinë e familjes së tij në Prekaz – nga kosovarët konsiderohet si një hero i luftës së tyre kundër sundimit serb.
“Inspektorët shkollorë do të vendosin për përdorimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe,” tha Vuçiç.
Nxënësit dhe mësuesit etnikë shqiptarë kanë mbajtur disa protesta në jug të Serbisë, duke argumentuar se ministria serbe e arsimit po pengon marrëveshjen.
Musliu tha se Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve është përpjekur ta zgjidhë disa herë këtë problem duke njoftuar ministrinë e arsimit.
“Ministri serb i arsimit, Srdjan Verbiç, është informuar tashmë për dhurimin e librave nga ministria kosovare e arsimit më 15 janar 2015. Ne kemi kërkuar gjithashtu të kemi një takim me të, por nuk kemi marrë ende një përgjigje,” tha Musliu.
Ai tha gjithashtu se tekstet e reja shkollore janë të nevojshme sepse ata të mëparshmit kishin mungesë të konsiderueshme informacioni mbi Shqipërinë dhe Kosovën.
BIRN kontaktoi me ministrinë serbe të arsimit për një koment, por nuk mori asnjë përgjigje në kohën e publikimit.
Sipas censusit të Serbisë në vitin 2002, 61,467 shqiptarë jetojnë në Serbi. Shumica e shqiptarëve e bojkotuan censusin e e vitit 2011, kështu që numri aktual nuk dihet ende.
Një numër i konsiderueshëm mendohet të ketë emigruar në Kosovë ose në Europën Perëndimore në vitet e fundit. Por ata përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë së Preshevës dhe janë komuniteti më i madh në Bujanoc në Serbinë jugore.