Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me një normë më të ulët se sa pritshmëritë, i ushqyer nga investimet publike në ndërtim. Bujqësia pësoi rënie me 1.4 për qind.
Produkti i Brendshëm Bruto i Shqipërisë u rrit me 2.98 për qind në tremujorin e tretë 2015, (korrik-shtator) në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me një ritëm pak më të lartë se sa tremujori i dytë, kur qe rritur me 2.96 për qind, bëri të ditur Instituti i Statistikave. Një pjesë e rritjes më të lartë erdhi si rrjedhojë e rishikimit në ulje të rritjes ekonomike të vitit 2014, rishikim i kryer tri javë më parë.
Pjesa dërrmuese e rritjes ekonomike në tremujorin e tretë u ushqye nga sektori i ndërtimit, i cili, nga ana e vet, u ushqye nga shpenzimet e qeverisë. Sektori i ndërtimit ka qenë në rënie të vazhdueshme që nga viti 2010, me pak fluktuacione të shkaktuara nga periudhat zgjedhore, kur qeveritë rrisin shpenzimet për të ashtuquajturat “Asfalte elektorale”.
Në fund të vitit 2014 dhe në fillim të vitit 2015, një agjenci qeveritare e drejtuar nga kryeministri me emrin Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, shpërndau disa dhjetëramilionë euro për projekte rehabilituese në qendrat e qyteteve kryesore.
Sektori i bujqësisë ka pësuar rënie të vazhdueshme që nga tremujori i katërt i vitit 2014, kryesisht si pasojë e përmbytjeve të mëdha që goditën vendin në mënyrë të përsëritur, ku përmbytjet më të mëdha ndodhën në shkurt 2015 në zonën përgjatë brigjeve të lumit Vjosa.
Qeveria shqiptare dhe FMN patën parashikuar rritje ekonomike në masën 3.1 për qind për vitin 2015, por parashikimi u rivlerësua në rreth 2.5 për qind si pasojë e ecurisë së ngadaltë të reformave, përfshirë uljen më të ngadaltë nga sa pritej të kredive të këqija dhe ecurinë e keqe të kreditimit në ekonomi.