![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/oficer-policie.jpg)
Një inspektor policie u arrestuar në orët e para të së dielës në Tiranë pasi u ndalua nga kolegët e tij në gjëndje të intoksikuar gjatë orarit të shërbimit.
![Oficerë të policisë, gjatë një konference në Pallatin e Kongreseve | Foto nga Malton Dibra/LSA](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/oficer-policie-600x337.jpg)
“Sot, në ora 02:30 të mëngjesit, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (ShÇBA), pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme arrestoi në flagrancë punonjësin e Policisë Inspektor Enri Veseli, me detyrë trup shërbimi, Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë nr. 6, Tiranë,” tha Ministria e Brendeshme nëpërmjet një njoftimi për shtyp.
“Arrestimi i Veselit u krye pasi drejtoi mjetin me targë AA 552 EL në gjendje të dehur. Ai u ndalua nga patrullat e policisë “Shqiponja” në afërsi të sheshit “Karl Topia”, Tiranë,” ajo shtoi.
Veseli është një nga dhjetra oficerët e policisë që ndalohen çdo vit nga kolegët e tyre, kryesisht për vepra të rënda penale që lidhen me shpërdorim e detyrës.
Sipas një raporti të ShÇBA-së, vetëm në gjashtë mujorin e parë të vitit 2015 u ndaluan ose u arrestuan 28 punonjës policie të gradave të ndryshme, të cilët u liruan nga detyra.
“Për 28 punonjësit e policisë të ndaluar/arrestuar nga oficerët e policisë gjyqësore të Shërbimit gjatë periudhës analizuese, me urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit është dhënë masa disiplinore “përjashtim nga Policia e Shtetit,” shkruan raporti.
Sipas ShÇBA-së nga veprimet hetimore të ndërmarra në momentin e ndalimit të Veselit rezulton se ai kishte braktisur detyrën ku ishte planizuar me shërbim.
Provat e mbledhura kundër Veselit pritet ti kalohen Prokurorisë së Tiranës. Ai akuzohet për veprat penale të “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga nenet 291, 248 të Kodit Penal.