![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/d1865edd.jpg)
Dy zyrtarë të lartë të OKB-së argumentojnë përse bota duhet të bëjë më shumë për të ndihmuar refugjatët dhe njëkohësisht për të përfituar prej tyre duke i angazhuar në punët që do të rrisin mirëqenien e refugjatëve dhe do të zhvillojnë ekonomikisht botën.
![Një vajzë e ulur në hekurudha pret për trenin teksa ka prani të shumtë policore në kufirin greko-maqedonas. 21 nëntor 2015. AFP PHOTO / ROBERT ATANASOVSKI](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/refugjatet2-300x225.jpg)
Bota ka hyrë në një periudhë në të cilën njerëzit po zhvendosen në një normë të paprecedent. Në vitin 2014, konflikti dhe përndjekja detyruan 42,500 njerëz në ditë të largoheshin nga shtëpitë e tyre rreth katërfishin e numrit të vitit 2010. Rreth 60 milionë njerëz u zhvendosën me forcë – një krizë e pahasur që nga Lufta e Dytë Botërore.
Kjo është e papranueshme, por jo e paevitueshme. Në vitin 1945, bota iu përgjigj konfliktit më të përgjakshëm në historinë njerëzore duke krijuar Kombet e Bashkuara. Sot, si krerë të agjencive të OKB për refugjatët dhe zhvillim, ne i bëjmë thirrje botës t’i përgjigjet kësaj trazire monumentale duke i dhënë njerëzve mjetet e nevojshme për të rindërtuar jetët. Ne besojmë se rruga përpara fillon me Synimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm të 2030, ku OKB-ja u zotua të mos lër asnjë pas në luftën kundër varfërisë dhe pabarazisë, miratuar unanimisht në shtatorin e shkuar.
Qasja aktuale e komunitetit ndërkombëtar ndaj zhvendosjes gjendet kryesisht te ndihma humanitare, që ofron lehtësim të shpejtë dhe shpëtimtar të jetës ndërsa kërkimi për një zgjidhje afatgjatë është në zbatim e sipër. Por zgjidhjet po duken më të pakapshme se kurrë. Vetëm 1 për qind e refugjatëve ishin në gjendje të ktheheshin në shtëpi në vitin 2014. Shumica e të zhvendosurve nuk kaluan ditë apo muaj në mërgim, por vite ose dekada, madje edhe tërë jetën. Ata rrezikojnë të mbeten pas.
Mendoni për Somaya-n, një refugjate prej tre brezash në Kenia. Dekada më parë, gjyshja e saj u largua për në kampin e refugjatëve në Hagadera për t’ia mbathur konfliktit brutal në Somali. Gjyshja e saj lindi atje dhe po ashtu edhe ajo. Asnjë prej tyre nuk ka shkelur jashtë 13 km katrorë të kampit. Ato ende jetojnë në rrethanat e gjyshes së saj, duke pritur një shans përparimi.
Si Somaya, shumë refugjatë jetojnë në botën në zhvillim. Dhe ende, shumë shpesh, organizatat e zhvillimit që mund të ofrojnë ndihmë te refugjatët përballen me fonde të pamjaftueshme dhe rregulla të ngurta që i ndalojnë ata nga përmbushja e nevojave të refugjatëve.
Zhvendosja afatgjatë sjell barra të rënda për njerëz si Somaya. Refugjatët shpesh përballen me kufizime të aftësisë së tyre për të punuar dhe lëvizur lirshëm, duke e bërë të pamundur sigurimin e mjeteve të jetesës për familjet apo komunitetet mikpritëse. Ata jetojnë në harresë, pa zgjedhje veç ndihmave humanitare. Ose janë të detyruar të kërkojnë një jetesë në ekonominë informate, ku rrezikojnë të jenë viktima të arrestimit, shfrytëzimit seksual, punës së të miturve apo abuzimeve të tjera.
Merrni parasysh një tjetër shembull: atë të Anasit, një refugjat sirian 13-vjeçar në Liban. Familja e tij nuk mund të mbijetojë pa 5 dollarët që ai fiton çdo ditë. Ndaj, në vend që të shkojë në shkollë, ai grumbullon qymyr për ta shitur si karburant. Refugjatët si Anasi luftojnë për t’i ushtruar të drejtat e tyre – për arsimim, kujdes shëndetësor, liri të lëvizjes dhe akses në punë, tokë dhe strehim – që janë të domosdoshme për t’i shpëtuar varfërisë.
Rregullimi i kësaj kërkon ndryshime politike dhe ekonomike që lejojnë komunitetin e zhvilluar të ofrojë më shumë mbështetje. Marrëdhënia mes zhvillimit dhe zhvendosjes është e qartë dhe ne kemi nevojë të fillojmë të marrim në konsideratë këto sfida si zonë të përgjegjësisë së përbashkët.
Zhvnedosja në shkallë të gjerë kufizon burimet publike, edhe në vendet me të ardhura të mesme; pa ndihmë të mjaftueshme nga jashtë, mund të zhbëjë progres disa vjeçar. Derisa bota të japë mbështetje më të madhe dhe më të mirë për vendet mikpritëse dhe refugjatët që jetojnë atje, ne mund të presim të paguajmë shuma edhe më të mëdha për programet humanitare që nuk përfundojnë kurrë.
Ka një tjetër anë të medaljes. Kur njerëzit e zhvendosur lejohen të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të ndjekin aspiratat që duan, ata krijojnë mundësi të reja për zhvillim. Kjo është arsyeja përse agjencitë e zhvillimit duhet të kenë më shumë fleksibilitet për të adresuar ciklet e reja të varfërisë dhe brishtësisë – kurdo që shfaqen – përpara se të dalin nga kontrolli.
Çasti ka ardhur të hedhim poshtë imazhin klishe të refugjatëve si marrës pasivë të ndihmës, që qëndrojnë me përtaci me duart e shtrira. Ai imazh reflekton rrethanat që janë imponuar mbi refugjatët dhe frymëzuar nga përgjigjja inkompetente e botës. Refugjatët janë sipërmarrës. Ata janë artistë. Ata janë mësues, inxhinierë dhe punonjës të të gjitha llojeve. Ata janë një burim i pasur i kapitalit njerëzor që ne po dështojmë t’i kultivojmë.
Komuniteti ndërkombëtar nuk mund ta përballojë më gjatë injorimin e një potenciali të tillë ose të qëndrojë pa bërë gjë ndërsa më të dobëtit nxirren nga marxhinat e shoqërisë. Teksa titujt e lajmeve bëjnë thirrje për vëmendje ndaj kostove njerëzore të këtyre strategjive, ne duhet të kujtojmë se kemi zgjedhjen t’i përgjigjemi me më shumë sesa thjesht tronditje.
Ne mund të refuzojmë përjashtimin ekonomik të atyre që jetojnë mes nesh, por që kanë lindur gjetkë. Ne mund të dyfishojmë përpjekjet tona për të kërkuar zgjidhje politike për konfliktin dhe përndjekjen. Ne mund të fuqizojmë partnerët humanitarë dhe ata të zhvillimit të punojnë së bashku nga momenti kur shpërthen kriza. Shkurt, ne mund të nderojmë zotimin tonë “për të mos lënë askënd pas”.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Leave No Refugee Behind