![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Johannes-Hahn-Nikola-Gruevski-by-European-Commission-800x.jpg)
Komisioneri i BE për zgjerim, Johannes Hahn tha se vizita e tij e të premtes në Maqedoni, pas dorëheqjes së kryeministrit Gruevski, shënon një afat përfundimtar të zbatimit të marrëveshjes që do t’i japë fund krizës politike.
![Komisioneri i BE për zgjerim, Johannes Hahn dhe ish-kryeministri maqedonas Gruevski në një takim të mëparshëm. Foto: Komisioni Europian.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Johannes-Hahn-Nikola-Gruevski-by-European-Commission-800x-300x224.jpg)
Hahn tha përpara vizitës së tij se ai pret që të gjitha çështjet e marrëveshjes politike – përfshirë reformat elektorale dhe në media – të zgjidhen gjatë qëndrimit të tij në Shkup.
“15 janari është një afat përfundimtar i marrëveshjes politike, zbatimi i të cilës është i rëndësishëm për qeverinë dhe qytetarët e vendit,” tha ai përpara se të drejtohej në Maqedoni për bisedime me katër partitë kryesore politike.
“Pres që të zgjidhen elementët e rëndësishëm të marrëveshjes politike përpara ose gjatë vizitës sime, duke i lejuar autoriteteve zgjedhore organizimin e zgjedhjeve të besueshme sipas kohës së rënë dakord,” shtoi ai.
Vizita e Hahn pritet të zgjidhë dilemat rreth shtyrjes ose jo të zgjedhjeve të parakohshme të 24 prillit.
Në dhjetor, spekulimi i shumëfishua rreth shtyrjes së mundshme të zgjedhjeve me një ose disa muaj për shkak të mospërmbushjes së detyrave nga marrëveshja e krizës që u ra dakord mes qeverisë dhe opozitës verën e shkuar.
Një nga pengesat u zgjidh menjëherë përpara vizitës së Hahn.
Në mbrëmjen e së enjtes, kryeministri Nikola Gruevski konfirmoi në një shfaqje televizive se ai po jepte dorëheqjen sipas marrëveshjes.
Megjithatë, ai vuri kushtin që dorëheqja e tij do të ishte e vlefshme vetëm nëse zgjedhjet mbahen në prill.
Sipas marrëveshjes Gruevski duhej të hiqte dorë 100 ditë përpara zgjedhjeve duke i lejuar partisë së tij të nominojë një kryeministër të përkohshëm deri më 15 janar si një garanci shtesë që ai nuk do të ndërhyjë në zgjedhje.
Komiteti qendror i VMRO DPMNE vendosi të enjten mbrëma të nominojë sekretarin e përgjithshëm të partisë Emil Dimitriev si kryeministër deri në mbajtjen e zgjedhjeve.
Sipas liderit të Social Demokratëve në opozitë, Zoran Zaev kjo përfaqësonte progres por nuk ishte përfundimtare.
“Ky nuk është fundi. Ky është fillimi i fundit të qeverisë kriminale, të korruptuar, nepotike dhe jo-demokratike,” tha Zaev në mbrëmjen e së enjtes si përgjigje ndaj dorëheqjes së Gruevskit.
Ndërkohë ndërmjetësuesi i BE në bisedimet mes qeverisë dhe opozitës synon që përmes takimit të sigurojë mbarëvajtjen e marrëveshjes dhe zgjedhje të lira në vend.