![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Sala.jpg)
Autoriteti i Mediave Audiovizive ka anuluar procedurën e Beauty Contestit, duke sjellë vonesa të reja në procesin tashmë të zvarritur të dixhitalizimit.
![Kryetari i AMA, Gentian Sala, duke folur gjatë një mbledhje të Komisionit Parlamentar të Medias, në një seancë degjimore me drejtuesit e Autoritetit të Medias Audiovizive për Raportin e veprimtarisë vjetore të AMA per vitin 2014. | Foto nga : LSA](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Sala-300x177.jpg)
Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA dështoi të arrinte kuorumin e nevojshëm prej 5 votash për shpërndarjen e licensave numerike për operatorët televizivë privatë, duke shtyrë në një afat të pacaktuar procesin e dixhitalizimit në Shqipëri.
Mbledhja e 1 shkurtit në AMA kishte në axhendë shqyrtimin e aplikimeve të operatorëve Top Channel, TV Klan, Digitalb dhe Supersport, por përfundoi me anulimin e Beauty Contestit-procedura që synonte të legalizonte operatorët ekzistues kombëtarë dhe numërikë në kuadër të dixhitalizimit.
Përmes një njoftimi për shtyp, AMA publikoi vendimin e mosdhënies së licensave kombëtare të transmetimit numerik sipas procedurës së Beauty Contestit, pasi “nuk u arrit kuorumi i kërkuar ligjor për dhënien e licensave”.
“Dy prej anëtarëve, përkatësisht z. Sami Nezaj, zëvëndëskryetar dhe znj. Suela Musta, anëtare, vendosën rrëzimin e aplikimeve të subjekteve, pasi bazuar në nenin 139, pika 8 e Ligjit 97/2013, licencimi sipas procedurës Beauty Contest kryhet për një periudhë tranzicioni…Sipas kësaj dispozite, afati përfundimtar i kalimit të plotë në transmetimet numerike është data 17.06.2015,” thuhet në njoftimin e AMA.
Beauty Contesti u shpall nga AMA më 23 prill 2015, por kjo procedurë u shoqërua me akuza për favorizim dhe paligjshmëri nga Vizion Plus dhe nga opozita. Në një investigim të mëparshëm, BIRN zbuloi se futja në garë e Supersport ishte kryer në shkelje të nenit 62 të ligjit të AMA, ku përcaktohen raportet e pronësisë. Ky akt solli kundërshti nga operatorët e lënë jashtë garës dhe u bë objekt debati mes anëtarëve të AMA.
Mungesa e kuorumit në AMA për shkak të bojkotit 1 vjeçar të dy anëtarëve të propozuar nga opozita ishte një tjetër arsye e zvarritjes së trajtimit të aplikimeve të operatorëve.
I kontaktuar nga BIRN, kryetari i AMA, Gentian Sala tha se qëndrimi i dy anëtarëve Neza dhe Musta ishte i paargumentuar, ndërsa shtoi se Autoriteti do të ecë përpara tanimë me procedurën e garës së hapur.
“Argumenti i përdorur prej tyre nuk qëndron, pasi afatet janë djegur për shkak të mungesës së tyre dhe jo për ndonjë faj të operatorëve,” tha Sala.
Shqipëria është një ndër vendet e pakëta në Europë që ka dështuar të përmbyllë procesin e dixhitalizimit brenda afatit 17 qershor 2015, të përcaktuar nga Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve.
Transmetimi në sistemin analog e ka përballur vendin me disa ankesa të vendeve fqinje si Italia dhe Mali i Zi, për shkak të interferencave që operatorët shqiptarë u shkaktojnë rrjeteve të tyre.
Zvarritja e procesit të dixhitalizimit ka shqetësuar edhe zyrtarët e Brukselit, të cilët në progres-raportin e tyre të fundit i ka bërë thirrje Shqipërisë që ta përmbyllë sa më parë këtë proces.
Me anulimin e Beauty Contestit, kryetari i AMA-s parashikon shtyrje të reja në kohë për licensimin e operatorëve privatë-një kosto kjo e shtuar mbi detyrimet që vendi duhet të përmbushë.
“Kostot janë të pallogaritshme dhe kjo jo për faj të operatorëve audiovizivë privatë,” përfundoi Sala.