Të dhënat e BE-së tregojnë se dhjetëra mijëra maqedonas janë larguar nga vendi në pesë vitet e fundit, duke nxitur frikën e rënies në numër të popullatës dhe të largimit “të trurit”.
Analiza e të dhënave publikuar nga organi i BE-së për statistikat, Eurostat, tregojnë se në katër vite, nga fillimi i 2010 deri në fund të 2013, 58,713 shtetas maqedonas morën leje për të qëndruar ose u bënë shtetas të vendeve të BE.
Numri është pak më shumë se popullata e qytetit të pestë më të madh në Maqedoni, Tetovë.
Shumica e maqedonasve që u larguan nga vendi gjatë kësaj periudhe shkuan në Itali, tregojnë të dhënat. Arsyeja më e përmendur për dhënien e lejeve të qëndrimit ishin shkaqet familjare, ndërsa arsyeja e dytë ishte arsimimi.
Mitko Veta, me origjinë nga qyteti juglindor i Strumicës, është mes të rinjve që kërkojnë një jetë më të mirë. Pas studimit në Universitetin Utrecht, në Holandë, ai po kryen kërkimet në doktoraturë në Universitetin e Teknologjisë Eindhoven.
“Nuk u largova për arsye ekonomike – mund të kisha fituar mirë nëse qëndroja në Maqedoni,” tha Veta për BIRN.
“Jetesa në një shoqëri që funksionon mirë dhe që ndan të njëjtat vlera me mua, është e rëndësishme. Në kohën kur u largova, Maqedonia nuk i përmbushi ato kushte dhe nuk kisha shpresë se gjërat do të ndryshonin për më mirë. Më vonë rezultoi se kisha të drejtë,” shtoi Veta.
Numri real i të larguarve nga vendi drejt BE-së mund të jetë më i lartë, sepse nuk ka të dhëna mbi mijëra maqedonas që largohen nga vendi me pasaporta bullgare, shpesh të ndërmjetësuara nga të tjerë.
Bullgaria ka thënë prej kohësh se maqedonasit kryesonin listën e të huajve që aplikonin për shtetësi bullgare, që mund të merret më lehtë dhe që i jep atyre akses në vendet e BE-së, pasi Bullgaria është shtet anëtar.
Sipas censusit të fundit të kryer në Maqedoni në vitin 2002, vendi ka një popullatë prej 2.1 milionë banorësh.
Herën e shkuar që Maqedonia u përpoq të kryente një census, në vitin 2011, operacioni dështoi për shkak të mosmarrëveshjeve etnike. Kjo e bëri të pamundur verifikimin e frikës së shprehur nga disa parti opozitare se popullata mund të ketë rënë në 1.6 milionë.
Në mungesë të të dhënave zyrtare, norma e emigracionit është bërë çështje e debatit politik. Megjithatë institucionet kanë filluar ta njohin problemin.
Një rezolutë mbi politikat e migracionit 2015-2020, miratuar vitin e shkuar nga parlamenti, thekson një tjetër trend shqetësues, që është renditja e Maqedonisë në 10 vendet me largimin më të madh të elitës shoqërore.
“Në pesë vitet e fundit, emigracioni i njerëzve të edukuar ka vazhduar. Kjo konfirmohet nga Indikatori i Largimit të Trurit nga Forumi Ekonomik Botëror, që e liston Maqedoninë në mes të 10 vendeve me intensitetin më të lartë në periudhën 2009-2013,” thuhej në rezolutë.
Rezoluta parlamentare rekomandoi përshtatjen e forcës punëtore me nevojat e tregut të punës, duke rritur punësimin te të rinjtë dhe ofrimin e mundësive të punësimit nga shtëpia të studentëve të talentuar.