Avokatët kundërshtojnë vendosjen e një page të lartë reference nga qeveria, ndërsa paralajmërojnë përshkallëzim të bojkotit të gjyqeve nëse kërkesat e tyre nuk do të realizohen.
Dhjetra avokatë në të gjithë vendin varën pelerinat e tyre të zeza në kangjellat e gjykatave dhe bojkotuan gjyqet, në shenjë proteste ndaj një vendimi të qeverisë që përcakton një pagë të lartë reference për efekt të sigurimeve shëndetësore. Më 2 shkurt, protesta u paralajmërua nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ndërsa një numër i madh avokatësh iu bashkuan këtij vendimi.
Dhoma Kombëtare e Avokatisë deklaroi përmes një njoftimi për shtyp se vendimi nr.37 datë 21.01.2016 i qeverisë shqiptare “cënon rëndë liritë dhe të drejtat kushtetuese dhe ligjore në ushtrimin e profesionit të avokatit”. Si hap të parë kundër tij, Dhoma Kombëtare e Avokatisë përcaktoi bojkotin e të gjitha gjyqeve, përveç masave të sigurisë në të gjitha nivelet e gjykimit.
“Dita e bojkotit do të jetë vetëm fillimi i një procesi që do të zgjatet në varësi të reflektimit të shtetit,” thuhet në deklaratën e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Vendimi i Këshillit të Ministrave me nr: 37 përcakton pagën mujore referenciale për profesionet e lira, për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Sipas VKM-së së mësipërme, profesionet e lira janë ndarë në pesë kategori, sipas vendit ku ato e ushtrojnë aktivitetin e tyre. Sipas saj, avokatët në Tiranë dhe në disa qytete të rëndësishme të vendit do ta kenë pagën referencë në vlerën e 73 800 lekëve-një shifër kjo që konsiderohet si tepër e lartë nga ata.
Vjollca Pustina, avokate në Tiranë i tha TV Klan se paga referencë e përcaktuar në vendimin e qeverisë është tepër e lartë dhe kjo do të ndikojë në rritjen e tarifave për klientët.
“Çdo muaj duhet të paguajmë si kontribute 206 mijë lekë,” tha ajo.
Protesta e avokatëve është shtrirë thuajse në të gjitha rrethet e vendit, ku janë zhvilluar normalisht vetëm seancat e masës së sigurisë. Ata u kanë bërë thirrje autoriteteve që të ndryshojnë vendimin, ose në të kundërt protesta e tyre do të përshkallëzohet.