![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/TPP.jpg)
Marrëveshja e Partneritetit të Trans-Paqësorit ka krijuar kampin pro dhe kundër tregtisë ndërkombëtare. Ekspertët nga të dyja kampet po argumentojnë përfitimet dhe efektet negative të marrëveshjes mbi pagat, ekonominë vendase dhe punësimin.
![Një grua mban një pankartë me mbishkrimin “Për një vend transparent, pa sekrete” gjatë një proteste kundër marrëveshjes TPP në Santiago, Kili, 4 shkurt 2016. Foto: BETA/AP.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/TPP-300x204.jpg)
Partneriteti i Trans-Paqësorit (TPP), një mega-marrëveshje që mbulon 12 shtete që përbëjnë më shumë se një të tretën e PBB-së globale dhe një të katërtën e eksporteve botërore, është fushëbeteja më e fundit në përballjen disa dekadëshe mes atyre pro dhe kundër marrëveshjeve të tregtisë.
Si zakonisht, mbrojtësit e paktit kanë mobilizuar modelet sasiore që e bëjnë marrëveshjen të duket si një gjë e thjeshtë. Modeli i tyre i preferuar parashikon rritje në të ardhurat reale pas 15 vitesh që variojnë nga 0.5 për qind për SHBA në 8 për qind në Vietnam. Për më tepër, ky model, i krijuar nga Peter Petri dhe Michael Plummer, nga Universitetet Brandeis dhe Johns Hopkins, duke ndërtuar respektivisht një varg të gjatë marrëveshjesh të ngjashme nga ata dhe të tjerët –parashikon kosto relativisht të parëndësishme në punësim te industritë e prekura.
Kundërshtarët e TPP kanë prezantuar një model konkurrues, që gjeneron pikëpamje shumë të ndryshme. Prodhuar nga Jeronim Capaldo nga Universiteti Tufts dhe Alex Izurieta nga Konferenca e Kombeve të Bashkuara mbi Tregtinë dhe Zhvillimin (së bashku me Jomo Kwame Sundaram, një ish-asistent i sekretarit të përgjithshëm të OKB), ky model parashikon ulje të pagave dhe papunësi më të lartë, si dhe ulje të të ardhurave në dy vendet kyçe, SHBA dhe Japoni.
Nuk ka mosmarrëveshje mes modeleve mbi pasojat e tregtisë. Në fakt, Capaldo dhe bashkëpunëtorët e tij marrin si pikënisje parashikimet e tregtisë nga një version i mëparshëm i studimit Petri-Plummer. Ndryshimet qëndrojnë kryesisht nga prezumimet e kundërta mbi mënyrën se si ekonomitë do t’i përgjigjen ndryshimeve të vëllimit të tregtisë nxitur nga liberalizimi.
Petri dhe Plummer supozojnë se tregjet e punës janë mjaftueshëm freksibël saqë humbjet e vendeve të punës në pjesë të prekura negativisht të ekonomisë do të kompensohen nga fitimet gjetkë. Papunësia përjashtohet që prej fillimit – një rezultat i përfshirë i modelit që mbrojtësit e TPP shpesh e përgënjeshtrojnë.
Instituti Peterson për Ekonomiksin Ndërkombëtar, që publikoi studimin pro-TPP, deklaron në mënyrë të pashpjegueshme se “Marrëveshja do të rrisë rrogat në SHBA, por nuk pritet të ndryshojë nivelet e punësimit në SHBA…” Rezultati mbi pagat është një konkluzion i studimit, pavarësisht se “projeksioni” i punësimit mund të jetë krijuar para se të bëheshin llogaritë.
Capaldo dhe bashkëpunëtorët e tij, ofrojnë një pikëpamje të ndryshme: një garë kompetitive në fund të tregjeve të punës, me një ulje të pagave dhe ku shpenzimet qeveritare mbajnë nën kontroll kërkesën agregate dhe punësimin. Fatkeqësisht, megjithatë, studimi i tyre shpjegon dobët se si funksionon modeli i tyre dhe të dhënat e simulimit janë disi të errëta.
Modeli Petri-Plummer i ka themelet në dekada modelimi akademik të tregtisë, që bën një dallim të madh nga efektet mikroekonomike dhe efektet makroekonomike. Në këtë traditë, liberalizimi i tregut është një “shok” mikroekonomik që prek përbërjen e punësimit, por jo nivelin e përgjithshëm.
Ekonomistët priren të analizojnë marrëveshjet tregtare në të tilla terma, duke e bërë modelin Petri-Plummer më të pëlqyeshëm për ta. Përkundrazi, marrëveshjes Capaldo i mungojnë detajet sektoriale dhe vendore; supozimet e saj të sjelljes janë të errëta dhe supozimet e saj kejneziane nuk shkojnë shumë me perspektivën afatmesme.
Problemi është se bota reale nuk është në sinkron kaq të ngushtë me supozimet tregtare të ekonomistëve. Kritikët e marrëveshjeve tregtare kanë mobilizuar anektoda të pafundme rreth efekteve të kundërta të importeve mbi pagat dhe punësimin në komunitetet e prekura. Puna empirike e fundit nga tre ekonomistë akademikë – David Autor (MIT), David Dorn (Universiteti i Zyrihut) dhe Gordon Hanson (UC San Diego), tregon se kritikët kanë një lloj të drejte.
Autor, Dorn dhe Hanson dokumentojnë faktin se zgjerimi i eksporteve kineze ka prodhuar “kosto të konsiderueshme të përshtatjes dhe pasoja të shpërndarjes) në SHBA. Në rajonet ku industritë preken më shumë nga konkurrenca prej importeve kineze, pagat kanë mbetura të ulëta dhe nivelet e papunësisë janë rritur për më shumë se një dekadë. Punësimi në rënie në industri të tilla pritej; surpriza është mungesa e kompensimit të fitimeve të punësimit në industri të tjera.
Mbrojtësit e marrëveshjeve tregtare prej kohësh i kanë qëndruar idesë se deindustrializimi dhe humbja e punëve që kërkojnë pak aftësi në ekonomitë e përparuara nuk ka shumë lidhje me tregtinë ndërkombëtare; ato janë produkt i teknologjive të reja. Në debatin aktual të TPP, mbështetësit më të zjarrtë ende i qëndrojnë kësaj. Në dritën e zbulimeve të reja empirike, një moskokëçarje e tillë ndaj tregtisë është bërë e papërshtatshme.
Ekonomistët nuk e kuptojnë plotësisht përse zgjerimi i tregtisë ka prodhuar pasoja negative për pagat dhe punësimin, siç e ka bërë tashmë. Ne nuk kemi një marrëveshje të mirë alternativë ndaj llojit që mbrojtësit e tretisë përdorin. Por ne nuk duhet të sillemi sikur realiteti nuk e ka dëmtuar rëndë modelin tonë standard. Do të ishte më mirë të merrej në konsideratë gama e gjerë e mundësive të theksuara nga modelet e ofruara, në vend që t’ia hedhim peshën vetëm njërës.
Pasiguritë nuk i japin fund ndërveprimeve makroekonomike. Studimi Petri-Plummer parashikon se pjesa më e madhe e përfitimeve ekonomike nga TPP do të vijë nga pakësimi i barrierave jo-tarifore (si barrierat rregullatore mbi shërbimet e importuara) dhe ulja e pengesave mbi investimin e huaj. Por modelimi i këtyre efekteve është më i vështirë sesa thjesht ulja e tarifave. Supozimet që duhen për ta bërë këtë nuk janë standarde dhe kërkojnë më shumë shkurtime arbitrare.
Ideja është se asnjë nga modelet nuk gjeneron numra mjaftueshëm të besueshëm mbi të cilën mund të argumentohej pro ose kundër TPP-së. E vetmja gjë që mund të themi me një lloj sigurie është se do të ketë fitues dhe humbës. Ndoshta marrëveshja do të nxisë investimin dhe shkëmbimin e dijeve nëpër Paqësor, duke i dhënë ekonomisë botërore një shtysë shumë të nevojshme. Ose ndoshta jo. Por ata që besojnë se kjo marrëveshje tregtare, ashtu si ato të mëparshmet, do të ofrojnë përfitime të njëanshme kanë arsye të shumta për t’u shqetësuar.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Trade Numbers Game