Pas protestave të banorëve të fshatit të lindjes së piktorit, Ministria e Kulturës ka njoftuar se zhvendosja e planifikuar e eshtrave të Ibrahim Kodra në Kodrat e Liqenit të Tiranës është pezulluar.
“Megjithë bisedimet disa ditore të zëvendësministrit të Ministrisë së Kulturës, të përfaqsuesve të ekzekutorëve testamentarë si dhe angazhimit të deputetëve të zonës, si pasojë e keqkuptimeve, keqinformimeve dhe keqpërdorimeve për rastin në fjalë, një grup banorësh krijuan një rezistencë të paarsyeshme dhe të padrejtë për procedurat ligjore të përmbushjes së amanetit të fundit të Maestros,” tha Ministria e Kulturës nëpërmjet një njoftimi për shtyp të enjten.
“Ky qëndrim i paarsyeshem, e pamundësoi përkohësisht realizimin e amanetit dhe nderimin e Maestros në një monument të ri në Tiranë, veç atij ekzistuesit në Ishëm,” shtoi ajo.
Sipas Ministrisë zhvendosja e eshtrave të Kodrës nëpërmjet një ceremonie protokollare është shtyrë për një moment të dytë pas kërkesës së fondacionit “Ibrahim Kodra.” Shtyrja e zhvarrimit të piktorit nga fshati i lindjes në Ishëm – ku ai prehet prej më shumë se 10 vitesh – vjen pas protestave të banorëve që kundërshtojnë dhe ngrenë dyshime për arsyet e Ministrisë së Kulturës për ta rivarrosur piktorin larg vendlindjes.
Ibrahim Kodra konsiderohet si një nga piktorët më të njohur shqiptarë me famë ndërkombëtare. Ai ka lindur në Ishëm në vitin 1918, por është zhvendosur më pas në Itali, ku jetoi derisa vdiq në vitin 2006 në Milano. Pas vdekjes, trupi i Ibrahim Kodrës u varros në vendlindje, ndërsa autoritetet e kohës organizuan edhe një ceremonial zyrtar.
Nga ana saj Ministria shprehet që vendimi për të zhvendosur eshtrat e piktorit vjen pas një kërkese të bërë nga fondacioni “Ibrahim Kodra,” i cili pretendon që amaneti i tij ka qenë që të varrosej në Tiranë ose Durrës.
“Fondacioni “Ibrahim Kodra” përjetësues të vullnetit të Mjeshtrit Kodra, në nismën e tij për plotësimin e vullnetit të Maestros paraqitur në Ministrisë e Kulturës, theksonte rëndësinë e promovimit të vlerës së artistit dhe të njeriut,” thotë Ministria.
“Me kërkese të vazhdueshme të ekzekutorëve testamentarë të Maestro Ibrahim Kodrës, në kuadër të dhjetë vjetorit të vdekjes së tij, Ministria e Kulturës, autoritetet vendore, në përputhje me ligjet në fuqi, nisën një bashkëbisedim me komunitetin e Ishmit, për të mundësuar vendosjen e eshtrave në Tiranë, sipas vullnetit të tij,” shtoi ajo.
Por megjithë negociatat duket që autoritetet nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët me komunitetin.