![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/okb.jpg)
Ndërsa disa politikanë të profilit të lartë në Ballkan duan të zënë vendin e Ban Ki-moon, nuk ka garanci që shefi i ardhshëm i OKB do të vijë nga Europa Lindore.
![Foto: OKB.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/okb-533x400.jpg)
Diplomatët në selinë e OKB në Nju Jork së fundmi bënë shaka rreth hutimit të postierëve në Midtown, Nju Jork kur shihnin zarfet me vula të Ballkanit për aplikimet e pozicionit të Sekretarit të Përgjithshëm.
Dekada pasi i pari Sekretar i Përgjithshëm i OKB, Trygve Halvdan Lie, e quajti postin si “punën më të pamundur në botë”, pasardhësi me gjasa do të jetë prej Europës Lindore, që është i vetmi nga pesë grupet rajonale që nuk ka sjellë kurrë shef të OKB.
Telashi i zgjedhjes në OKB vjen me një tjetër kleçkë – çështja e gjinisë. Diplomatët parashikojnë jo vetëm që fituesi do të jetë i pari shef i OKB nga Ballkani, por gjithashtu ky shef mund të jetë një grua.
OKB mbetet shumë e pabalancuar kur vjen puna për barazinë gjinore. Sipas uebsajtit të Rishqyrtimit të Operacioneve të Paqes Globale, rreth 83 për qind e emërimeve të reja në OKB vitin e shkuar ishin burra; vetëm 25 për qind të zyrtarëve të lartë ishin gra në OKB.
Intervistat e para me kandidatët fillojnë në prill dhe emri i pasardhësit të Ban Ki-moon duhet të bëhet publik vetëm në takimin e 71 në Asamblenë e Përgjithshme në shtator.
Nga mesi i shkurtit, gjashtë vende, Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia, Bullgaria, Portugalia dhe Sllovenia dorëzuan kandidatët e tyre. Vetëm dy prej tyre janë gra, ish-ministrja e jashtme e Kroacisë, Vesna Pusiç dhe Irina Bokova e Bullgarisë, aktualisht drejtore e përgjithshme e UNECSO-s.
Tre nga katër kandidatët e mbetur janë gjithashtu nga Ballkani: Srgjan Kerim nga Maqedonia, që ishte president i Asamblesë së Përgjithshme nga 2007 në 2008, Ministri i jashtëm i Mali të Zi, Igor Luksiç, ish-presidenti i Sllovenisë, Danilo Turk. I katërti është ish-kryeministri portugez dhe ish-komisioneri lartë i OKB për refugjatët, Antonio Guterres.
Diplomatët e OKB i kanë thënë BIRN se ata presin rreth shtatë ose tetë kandidatë nga Europa Lindore deri në fund, por mohuan të zbulojnë emra përveç atyre që kanë dorëzuar tashmë kredencialet e tyre.
Bokova është në krye
Irina Bokova e Bullgarisë shihet gjerësisht si kryesuesja. Shanset e saj u rritën pasi kaloi “zgjedhjet e fazës së parë”, duke fituar mbështetjen e qeverisë së Sofjes përballë kandidates rivale, Kristalina Georgieva, zv.presidente e Komisionit Europian.
Bokova ka qenë kandidatja gjysmë-zyrtare e Bullgarisë që në 2014, por hasi me probleme të politikës së brendshme. Dritën jeshile e mori vetëm më 8 shkurt pasi Georgieva i tha kryeministrit Boyko Borisov se ajo donte të mbante punën në Europë.
Arsimuar në Institutin Shtetëror të Moskës për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe në Shkollën Harvard Kennedy, puna aktuale e Bokovës si drejtore e përgjithshme e UNESCO-s i ka dhënë aftësitë dhe përvojën e duhur për këtë punë kryesore të OKB. Megjithatë, telashet e shkaktuara nga njohja e UNESCO për Autoritetin Palestinez mund të ndikojë në shanset e saj, për shkak të kundërshtimit të SHBA në këtë lëvizje.
Duke e dëmtuar më tej kërkesën e Bokovës, uebsajti investigativ bullgar Bivol.bg shkaktoi polemika pasi raportoi se apartamentet e Bokovës në Manhatan kushtonin më shumë se 3 milionë dollarë. Ajo i justifikoi blerjet me rrogat e larta të saj dhe bashkëshortit.
Diplomatët e OKB në Nju Jork nuk kanë qartësuar nëse kandidati për postin në OKB duhet të heqë dorë nga puna aktuale për të kandiduar.
Ish-ministrja e jashtme kroate, Pusiç pritej të merrej seriozisht në OKB, por shanset e saj u pakësuan që kur Bashkimi Demokratik Kroat, formoi qeverinë në fillim të 2016 në Kroaci, duke i hequr mbështetjen. Ajo kishte si krah mbështetës për kandidimin, tani ish-kryeministrin Zoran Milanoviç.
Luksiç i Malit të Zi, 39 vjeç, shihet gjerësisht si një humbës. Ai ka ruajtur një profil të ulët rreth kandidimit në OKB deri më tani. Trazirat politike në Malin e Zi do ta dëmtojnë shansin e tij tashmë të pakët për t’u bërë Sekretari i Përgjithshëm më i ri.
Disa vëzhgues politikë në Podgoricë besojnë se aplikimi i Luksiç është thjesht formal.
Aplikimet nga Turk dhe Kerim nuk kanë tërhequr shumë interes megjithëse Kerim drejtoi Asamblenë e Përgjithshme të OKB nga 2007 në 2008.
Emra të tjerë kandidojnë:
Ndërsa të gjithë sytë janë kthyer nga Bokova, dy nga politikanët e tjerë të Europës Lindore shpresojnë të dallohen nëse gjërat shkojnë keq për bullgaren, Miroslav Lajcak i Sllovakisë dhe Vuk Jeremiç nga Serbia.
Ish-ministri i jashtëm serb Jeremiç së pari u përmend si një pasardhës i mundshëm i Ban Ki-moon në vitin 2012, por dështoi të sigurojë mbështetjen e qeverisë serbe.
Në fakt, presidenti serb Tomislav Nikoliç në dhjetorin e shkuar foli kundër Jeremiç, duke thënë: “Jeremiç, ti nuk e mbështetjen time, – jo më të ndonjë tjetri”.
Zyrtarisht Beogradi nuk ka vendosur ende mbi një emër. Ministri i jashtëm Ivica Daçiç ka thënë vetëm se Serbia do të “mbështesë kandidatin që ka shanset më të mëdha të fitimit”.
Teorikisht, Jeremiç nuk ka nevojë për mbështetjen e qeverisë serbe nëse një vend tjetër e dominon atë. Por është e paqartë se cili vend mund të jetë. Diplomati kryesor i Rusisë në OKB, Vitaly Churkin së fundmi theksoi se anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit nuk propozojnë kandidatë.
Ministri i jashtëm sllovak, Lajcak, ekspert i BE-së në Ballkan, gjithashtu konsiderohet një favorit në pritje por kandidimi i tij varet gjerësisht nga rezultati i zgjedhjeve në mars.
Diplomatët dhe media kanë përmendur disa dhjetëra emra të tjerë si pasardhës të mundshëm të Ban Ki-moon.
Ata përfshijnë presidenten kiliane, Michelle Bachelet, ish-kryeministrin australian Kevin Rudd, shefen e UNDP Helen Clark dhe madje Kancelaren Gjermane Angela Merkel. Kandidatët përfshijnë gjithashtu Christiana Figueres nga Kosta Rika dhe Rebeca Grynspan e Alicia Barcena Ibarra nga Meksika.
Asnjë prej tyre nuk ka kandiduar zyrtarisht, megjithatë.
Një kandidat i Europës Lindore apo më i miri?
Mbretëria e Bashkuar dhe disa vende më të vogla, si Estonia, ndërkohë kanë thënë se rotacioni rajonal nuk ka përse të luajë një rol kryesor në zgjedhjen e një sekretari të ri, pasi prioritet duhet të jetë kandidati më i mirë, jo domosdoshmërisht nga një Europa Lindore.
Në rast ngërçi në Këshillin e Sigurisë mbi kandidatin e Europës Lindore, shtetet anëtare mund të shohin jashtë rajonit për disa kandidatë të tjerë.
Disa nga diplomatët, mendojnë se largimi nga Europa Lindore dhe Ballkani ka më shumë gjasa për shkak të lojërave të komplikuara të pushtetit brenda Këshillit të Sigurisë.
Në këtë çast, të paktën dy anëtarë të përhershëm të OKB mund të duan një kandidat që të kritikojë lëvizjet ruse në Krime dhe gjetkë.
Një kërkesë e tillë dhe fakti se anëtarët e përhershëm kanë një veto, mund ta lëvizë zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm përtej grupit të Europës Lindore.
Lojëra të ngjashme diplomatike të ndërlikuara u shfaqën edhe pas përzgjedhjes së shefit të OKB në 1996, kur SHBA, atëherë përfaqësuar nga ambasadorja Madeleine Albright, bllokoi Boutros Boutros-Ghali të Egjiptit për një mandat të dytë.
Me mandatin e Ban Ki-moon thuajse drejt fundit, OKB ka premtuar një proces më transparent dhe të ndryshëm për zgjedhjen e shefit të ri. Në të shkuarën, anëtarësia e OKB nuk luante thuajse asnjë rol në proces përveç miratimit të njeriut të përzgjedhur nga Këshilli i Sigurisë.
Të gjithë kandidatët tani do të intervistohen informalisht nga përfaqësuesit e përhershëm dhe një uebsajt është krijuar me emrat dhe biografitë e të gjithë kandidatëve.
Megjithatë, pavarësisht premtimeve për proces më transparent, takimi i parë “si të zgjidhet sekretari i i përgjithshëm i ardhshëm i OKB” prillin e shkuar u emërua “i mbyllur” dhe nuk u transmetua live. Ky u pa si një fillim i dobët.